Lidhje

Demokratët mbyllin kuvendin, Biden kritikon presidentin për trajtimin e pandemisë


Democratic Convention 2020
Democratic Convention 2020

Joe Biden, pas gati një gjysmë shekulli në skenën politike amerikane, të enjten mbrëma pranoi nominimin demokrat për të kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke u thënë amerikanëve se ishte koha për të larguar Presidentin republikan Donald Trump pas pothuajse një mandati në Shtëpinë e Bardhë.

Demokratët mbyllin kuvendin, Biden kritikon presidentin për trajtimin e pandemisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

"Të bashkuar ne mund dhe do ta kapërcejmë këtë stinë të errësirës", deklaroi zoti Biden ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me pandeminë e ashpër të koronavirusit dhe miliona njerëz kanë humbur vendet e punës.

Ai deklaroi se Presidenti Trump "nuk merr asnjë përgjegjësi" për përhapjen e sëmundjes ngjitëse dhe "refuzon të udhëheqë".

"Pas gjithë kësaj kohe", tha zoti Biden, "ky president ende nuk ka një plan" për të luftuar pandeminë. "Ai nuk arriti të mbrojë Amerikën ... dhe kjo është e pafalshme".

Fjalimi i zotit Biden, nga një qendër aktivitetesh në qytetin e tij të lindjes, Wilmington, Delaware, u mbajt në natën e katërt dhe të fundit të Konventës Kombëtare virtuale Demokrate, një koleksion prezantimesh të regjistruara dhe të drejtpërdrejta, që lavdëruan zotin Biden dhe sulmuan presidencën 3-vjeçare e gjysëm të Presidentit Trump.

Presidenti Trump dhe republikanët do të mblidhen në konventën e tyre virtuale katër-ditore kombëtare duke filluar nga e hëna. Por Presidenti Trump, në një vizitë të enjten në Old Forge, Pensilvani, afër shtëpisë së fëmijërisë së zotit Biden në Scranton, dha tregues të sulmeve të ardhshme republikane.

"Nëse doni një vizion të jetës suaj nën presidencën Biden, mendoni për rrënojat e shkrumbuara në Minneapolis, anarkinë e dhunshme të Portlandit, trotuaret me gjak të Çikagos dhe imagjinoni kaosin që vjen në qytetin tuaj dhe në çdo qytet të Amerikës", u tha Presidenti Trump mbështetësve disa orë përpara fjalimit të zotit Biden.

Presidenti Trump duke folur gjatë tubimit në Old Forge (20 gusht 2020)
Presidenti Trump duke folur gjatë tubimit në Old Forge (20 gusht 2020)

Demokratët u detyruan të braktisin planet për një konventë me mijëra pjesëmarrës brenda një stadiumi basketbolli në qytetin Milwaukee, të shtetit Wisconsin, për shkak të pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, e cila ka vrarë një numër rekord prej 174'000 njerëzish, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Nëse fiton zgjedhjet e 3 nëntorit dhe inagurohet në janarin e ardhshëm, zoti Biden do të ishte 78 vjeç, presidenti më i vjetër i Shteteve të Bashkuara, duke ia kaluar edhe Presidentit Trump, i cili është 74 vjeç.

Por zoti Biden fitoi përballë kandidatëve të shumtë demokratë, pothuajse të gjithë, përveç njërit, më të rinj se ai, për të fituar nominimin e partisë së tij në kandidimin e tij të tretë për presidencën, pas përpjekjeve të pasuksesshme në 1988 dhe 2008. Ai ishte senator për 36 vjet dhe shërbeu tetë të tjera si zëvendës i Presidentit Barack Obama, përpara se zoti Trump të fitonte presidencën në 2016.

Kandidati demokrat për president Joe Biden, me bashkëshorten Jill Biden, dhe kandidatja për nënpresidente Kamala Harris, me bashkëshortin Douglas Emhoff, festojnë pasi zoti Biden pranoi emërimin
Kandidati demokrat për president Joe Biden, me bashkëshorten Jill Biden, dhe kandidatja për nënpresidente Kamala Harris, me bashkëshortin Douglas Emhoff, festojnë pasi zoti Biden pranoi emërimin

Muaj më parë, zoti Biden premtoi të zgjidhte një grua si kandidate për nënpresidente. Ai përzgjodhi javën e kaluar Senatoren e Kalifornisë, Kamala Harris pas një procesi verifikimi disa javor të shumë opsioneve të tjera. Zonja Harris ishte një zgjedhje historike në analet politike të Shteteve të Bashkuara, gruaja e parë afrikano-amerikane dhe me prejardhje aziatike që bëhet pjesë e kandidaturave partiake në nivel kombëtar.

Disa nga kandidatët demokratë përballë të cilëve zoti Biden fitoi gjatë zgjedhjeve paraprake në fillim të këtij viti, përfshirë Senatorin e Vermontit, Bernie Sanders, mbajtën fjalime në konventë këtë javë në mbështetje të dyshes që kandidon.

Andrew Yang duke folur gjatë konventës (20 gusht 2020)
Andrew Yang duke folur gjatë konventës (20 gusht 2020)

Njëri prej tyre, sipërmarrësi Andrew Yang, u tha shikuesve natën e fundit të konventës se "i kam njohur të dy, Joe-in dhe Kamalan gjatë fushatës vitin e kaluar - ashtu siç mund ta njohësh vërtet dikë kur kamerat janë fikur, turmat kanë ikur, dhe jeni vetëm ju dhe ata".

"Ata i kuptojnë problemet me të cilat përballemi," tha zoti Yang. “Ata janë prindër dhe patriotë që duan më të mirën për vendin tonë. Nëse ua japim atyre mundësinë, ata do të luftojnë për ne dhe familjet tona çdo ditë".

Një tjetër ish-kundërshtar i zotit Biden i shndërruar në përkrahës, ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg, tha se: "Unë po ju them të votoni kundër (Presidentit Trump) sepse ai ka bërë një punë të keqe. Ai harxhon më shumë kohë duke shkruar mesazhe në Twitter se sa duke punuar. Le t'i japim fund këtij kapitulli tërësisht për të ardhur keq në historinë amerikane".

Natën e mëparshme, mbështetësit e zotit Biden, veçanërisht ish-Presidenti Obama dhe bashkëshortja e tij, ish-zonja e parë Michelle Obama, sulmuan Presidentin Trump si një udhëheqës i dështuar i Shteteve të Bashkuara, ndërsa disa personalitete republikane shprehën gjithashtu mbështetjen e tyre për zotin Biden, përfshirë ish-Guvernatorin e shtetit Ohio, John Kasich dhe ish-Sekretarin e Shtetit, Colin Powell.

Sipas normave politike amerikane, sulmet nga një udhëheqës amerikan ndaj pasardhësit të tij janë të rralla.

Por ish-Presidenti Obama dha një vlerësim të ashpër të Presidentit Trump të mërkurën në mbrëmje, duke thënë se ai "nuk ka treguar interes për trajtimin e presidencës, përveçse si një tjetër shfaqje televizive që ai mund ta përdorë për të marrë vëmendjen që dëshiron".

Ish-Presidenti Barack Obama duke mbajtur fjalën e tij të regjistruar për konventën demokrate
Ish-Presidenti Barack Obama duke mbajtur fjalën e tij të regjistruar për konventën demokrate

Duke folur nga një muze në Filadelfia ku përjetësohet themelimi i Amerikës në vitet 1700, ish-Presidenti Obama paralajmëroi se rizgjedhja e Presidentit Trump mund të dëmtojë demokracinë. Ai tha se kishte shpresuar që Presidenti Trump do ta merrte seriozisht detyrën e presidentit dhe se "do të zbulonte një lloj adhurimi për demokracinë që ishte vendosur nën kujdesin e tij".

Por tha ish-Presidenti Obama, "Donald Trump nuk është ngritur në nivelin e detyrës sepse nuk mundet ta bëjë. Dhe pasojat e këtij dështimi janë të rënda. Njëqind e shtatëdhjetë mijë amerikanë të vdekur. Miliona vende pune të humbura, ndërsa ata në krye marrin më shumë se kurrë. Impulset tona më të këqija të lëshuara pa fre; reputacioni ynë krenar në të gjithë botën u zvogëlua keqazi, dhe institucionet tona demokratike u kërcënuan si kurrë më parë".

Pasi fragmente të komenteve të ish-Presidentit Obama u bënë të ditura përpara fjalimit të tij të mbrëmjes, Presidenti Trump u përgjigj, duke kritikuar zotin Obama se ishte joefektiv dhe se e vuri në rrezik demokracinë e Shteteve të Bashkuara.

"Kur e dëgjoj atë dhe shoh tmerrin që ai na la, marrëzinë e transaksioneve që ai bëri. Shikoni çfarë po bëjmë. Ne kemi murin tonë madhështor në kufi. Ne kemi siguri", tha Presidenti Trump në një konferencë shtypi . "Shikoni sa i keq ishte ai, sa i paefektshëm ishte ai".

Folës të shumtë në konventën demokrate kanë vlerësuar vendosmërinë dhe përqasjen prej njeriu të zakonshëm të zotit Biden ndaj jetës publike, duke thënë se ai ka simpati për problemet e të tjerëve, për të cilën ata thanë se Presidenti Trump nuk ka patur aftësinë ta tregojë.

Ata vunë në dukje se zoti Biden ka kapërcyer humbje të mëdha në jetën e tij, përfshirë vdekjen e gruas së tij të parë dhe vajzës së tij në moshë të re në një aksident me makinë në 1972 dhe së fundmi, në 2015, vdekjen e djalit të tij të madh, ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Delaware Beau Biden, nga kanceri në tru.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG