Lidhje

Posta e zgjedhjeve do të jetë e ‘sigurtë dhe në kohë’ – i tha Senatit shefi i Shërbimit Postar


Shefi i Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara Louis DeJoy u tha ligjvënësve të premten se Shërbimi Postar nuk ka ndryshuar mënyrën e trajtimit të postës zgjedhore, ndërsa ai kërkoi të siguronte publikun që fletët e votimit do të trajtoheshin “me siguri dhe në kohë” në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Posta e zgjedhjeve do të jetë e ‘sigurtë dhe në kohë’ – i tha Senatit shefi i Shërbimit Postar
please wait

No media source currently available

0:00 0:00:20 0:00

Në paraqitjen e parë publike para Kongresit, zoti DeJoy u përpoq të minimizojë shqetësimet e demokratëve se vonesat e shërbimit të shkaktuara nga masat e tij të shkurtimit të kostos mund të rezultojnë në miliona fletëvotimi të panumëruara në zgjedhjet e nëntorit dhe të ndihmojnë Presidentin Trump.

Zoti DeJoy, i cili ka dhuruar miliona dollarë për zotin Trump dhe republikanë të tjerë, tha se nuk ka biseduar me zyrtarë të fushatës së zotit Trump ose me shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows lidhur me operacionet e shërbimit postar. Zoti DeJoy tha se punonjësit e postës do t’i japin përparësi postës zgjedhore siç është bërë në të kaluarën, duke shtuar se ai vetë do të votonte me postë.

“Ndërsa i afrohemi zgjedhjeve, dua të siguroj këtë komision dhe publikun amerikan se Shërbimi Postar është plotësisht i aftë dhe i përkushtuar për të shpërndarë postën zgjedhore të vendit në mënyrë të sigurtë dhe në kohë. Kjo detyrë e shenjtë është përparësia ime kryesore deri në ditën e zgjedhjeve.”

Por zoti DeJoy tha se nuk do të rikthente në punë makinat që shërbejnë për klasifikimin e postës që ishin dërguar për riparim gjatë javëve të fundit, duke thënë se nuk ishin të nevojshme. Nën trysni nga publiku dhe ligjvënësit, zoti DeJoy të martën pezulloi të gjitha ndryshimet në shërbimin postar deri pas zgjedhjeve. Kritikët patën frikë se ndryshimet do të ndikonin tek dërgimi i votës përmes postës që do të jetë shumë më i zgjeruar si rezultat i pandemisë së koronavirusit.

Zoti Trump ka thënë vazhdimisht dhe pa prova se një rritje e votimit përmes postës do të çonte në një rritje të manipulimeve, megjithëse ai vetë ka votuar me postë.

Senatori Gary Peters, demokrati kryesor në Komisionin e Seantit për Sigurinë Kombëtare, tha se ka marrë më shumë se 7'500 raporte për vonesa të postës nga njerëz në shtetin e tij Miçigan.

“Nëse planifikoni të vazhdoni këto lloj ndryshimesh, mendoj se kolegët e mi dhe shumë nga zgjedhësit tanë do të vazhdojnë të vënë në pikëpyetje nëse ju jeni personi i duhur për të udhëhequr këtë institucion të domosdoshëm publik”, tha zoti Peters.

Kryetari i komisionit republikan Ron Johnson e mbrojti zotin Dejoy, duke thënë se Shërbimi Postar kishte nevojë për reformim për të sheshuar financat e lëkundura të këtij institucioni.

Pasi mori drejtimin e Shërbimit Postar në muajin qershor, zoti Dejoy vuri në zbatim ndryshime me synimin për të ulur kostot, ndër to, eliminimin e objekteve që përdoren për të klasifikuar postën, si dhe të kutive postare nëpër komunitete. Po ashtu, ai ka eliminuar pagesat shtesë për punën jashtë orarit të rregullt, si dhe ka bërë ndryshime në turnet e punës të stafit.

Zoti DeJoy tha se vendimet për të hequr makineritë për klasifikimin e postës dhe kutitë postare ishin marrë tashmë dhe se ishin çështje rutine si reagim ndaj ndryshimeve të sasisë së postës, që ka rënë gjatë pandemisë.

Zoti DeJoy po ashtu do të dëshmojë të hënën para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët. Një grup prej 90 ligjvënësish demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë bërë thirrje për largimin e zotit DeJoy. Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për projektligjin të shtunën që do të siguronte 25 miliardë dollarë fonde për Shërbimin Postar dhe do të kërkojë kthimin mbrapsht të ndryshimeve të operacioneve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG