Lidhje

SHBA, Shërbimi Postar në qendër të debateve


U.S. Capitol

Dhoma e Përfaqësuesve po debaton një legjislacion emergjent të shtunën për të sprapsur ndryshimet operacionale në Shërbimin Postar Amerikan që kanë ngadalësuar shpërndarjen e postës në vend dhe për të siguruar 25 miliardë dollarë për agjencinë ndërsa vendi përgatitet për shifra rekord të votimit me postë në zgjedhjet e nëntorit në mes të pandemisë së koronavirusit.

Kreu i përgjithshëm Louis DeJoy ka bërë ndryshime të shumta në Shërbimin Postar që nga marrja e detyrës në qershor. Zoti DeJoy, i cili është një republikan që ka dhuruar fonde në fushatën Trump, tha se masat, të cilat përfshijnë heqjen e makinave të renditjes së postës me shpejtësi të lartë dhe shkurtimin e pagës jashtë orarit për punonjësit, u zbatuan për të ulur kostot në agjenci, e cila është përballur me humbje të të ardhurave vitet e fundit.

Zoti DeJoy u tha senatorëve të premten në një seancë se posta për votimin do të ishte me përparësi për shpërndarje, duke thënë se është "detyra e tij e shenjtë" të sigurojë dërgimin e kësaj kategorie poste. Sidoqoftë, ai tha që kutitë blu të grumbullimit të postës në pika publike dhe pajisjet e renditjes që janë hequr nuk janë "të nevojshme".

Louis DeJoy
Louis DeJoy

Në fillim të kësaj jave, DeJoy pezulloi "nismat operative afatgjata" në zyrën postare deri pas zgjedhjeve "për të shmangur madje edhe shfaqjen e ndonjë shenje ndikimi në shpërndarjen e fletëve të votimit". Ai tha se asnjë pajisje për përpunimin e postës ose kutive në pikat e mbledhjes nuk do të hiqet deri pas zgjedhjeve dhe se "pagesa jashtë orarit është dhe do të vazhdojë të miratohet, sipas nevojës."

Para votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, kryetarja Nancy Pelosi u tha gazetarëve në Kongres se zotimi i zotit DeJoy që të kthejë disa prej ndryshimeve të tij duhet të shihet me skepticizëm. “Komentet e tij janë një gjë. Veprimet e tij do të jenë diçka tjetër”, tha zonja Pelosi.

Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë të premten kritikoi projekt-ligjin e propozuar nga demokratët, duke thënë se është një "reagim i tepërt ndaj raporteve sensacionale të mediave që kanë bërë akuza pa prova se Shërbimi Postar Amerikan ka ndërmarrë reforma për të arritur objektiva politike dhe jo operacionale". Në deklaratë thuhet se kjo zyrë do t'i rekomandojë Presidentit Donald Trump të vendosë veton ndaj projektligjit, nëse ai do të miratohet.

Senati i kontrolluar nga republikanët nuk pritet të marrë masa mbi projektligjin, një veprim që zonja Pelosi sugjeroi se nuk do t'i shërbente interesave të tyre politike.

Nancy Pelosi
Nancy Pelosi

"Ndjenja e publikut është gjithçka", tha zonja Pelosi. "Ata do të dëgjojnë nga zgjedhësit e tyre sepse kjo është e rëndësishme për ta. Mosmarrja e postës në kohë i shqetëson të gjithë. Mosmarrja e ilaçeve, veçanërisht për veteranët tanë është e rëndësishme dhe në një mënyrë e dëmshme edhe për vendin tonë".

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur ka thënë, pa dhënë prova, se zgjedhjet e nëntorit mund të manipulohen për shkak të votimit me postë, duke pretenduar se Rusia dhe Kina mund të falsifikojnë votat e amerikanëve.

"Kjo do të jetë fatkeqësia më e madhe zgjedhore në histori", u tha Presidenti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.

Presidenti Trump në Pensilvani
Presidenti Trump në Pensilvani

Presidenti gjithashtu ka thënë se nuk dëshiron të presë "javë, muaj apo madje vite" për rezultatet e zgjedhjeve për shkak të problemeve që ai parashikon se do të ndodhin me fletëvotimet me postë.

Sipas një analize të gazetës New York Times, rreth tre të katërtat e amerikanëve do të kenë të drejtë të votojnë me postë në zgjedhjet presidenciale, duke e çuar në rreth 80 milionë numrin e votave me postë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG