Udhëheqësit e partive të koalicionit qeverisës në Kosovë zhvilluan të hënën një takim siç u tha bashkërendues për çështjen e bisedimeve me Serbinë që pritet të mbahet në Shtëpinë e Bardhë më katër shtator dhe sfidave që po përballet koalicioni qeverisës.
Kryeministri Avdullah Hoti është përballur me kritika posaçërisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për shkak të mënyrës së udhëheqjes së bisedimeve dhe lënien anash të anëtarëve të saj në këtë proces, ndërsa theksi është vënë tek nevoja e shmangies së çdo procesi ku nuk janë të përfshira Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha pas takimit se Kosova do të shkojë me disa qëndrime të qarta në Uashington.
“Presim të shtrohen temat konkrete që ofrojnë sa më shpejt me një përkufizim kohor që sa më shpejt të kemi një marrëveshje Kosovë-Serbi. Në Uashington, Kosova do të duhej të thotë vullnetin e saj se është e interesuar shpejt për të ardhur deri te një marrëveshje në kuptimin e marrëveshjes për njohje dhe kështu e ka bërë dhe do ta bëj edhe në Bruksel. Ne nuk jemi të interesuar të futemi në lojën e stërzgjatjes të së ashtuquajtura tema teknike të cilat do të na kthejnë në një dialog siç ka qenë nga viti 2011 kur janë mbajtur në Bruksel. Miqtë tanë, partnerët tanë na kanë kërkuar të kthehemi në dialog duke bërë ato kompromise (tarifa dhe reciprociteti) për shkak të kësaj marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe besoj se edhe ata e dinë dhe janë të përkushtuar që në asnjë mënyrë të mos kthehemi në procesin zero i cili pastaj do të ishte i pakufishëm”, tha zoti Limaj.
Zoti Limaj tha se partia e tij ka shqetësime dhe vërejtje për mënyrën e funksionimit të qeverisë dhe për këtë ai tha duhet të ketë takime më të shpeshta.
“Koalicioni qeverisës është ky që është, është i qëndrueshëm për aq sa ka partneritet korrekt në funksion të detyrave shtetërore, në momentin që nuk ka korrektësi nuk na duhen koalicione të improvizuara të cilat nuk janë në shërbim të temave për të cilën folëm”, tha zoti Limaj duke nënvizuar se partia e tij dëshiron një qeveri të qëndrueshme dhe me një konsensus përballë temave me të cilat pritet të përballet Kosova.
Analistët në Kosovë thonë ndërkaq se bisedimet e paralajmëruara në Uashington po e gjejnë vendin me mungesë të unitetit të brendshëm, gjë që rrezikon sipas tyre të dëmtojë seriozisht pozicionin e Kosovës në procesin e bisedimeve.
Analisti Arton Demhasaj tha për Zërin e Amerikës se faktori politik në Kosovë gjithmonë është përballur me mungesë të bashkërendimit në proceset e deritashme të bisedimeve.
“Kjo vërehet edhe tash, nuk kemi një dakordim dhe një organizim ose bashkërendim si duhet edhe brenda koalicionit aktual qeveritar sa i përket çështjes së dialogut e lerë më të ketë një bashkërendim më të gjërë politik kështu që gjithmonë kur shkohet në dialog pa një kordinim të tillë brenda strukturave institucionale dhe brenda partive politike që qeverisin vendin atëherë rreziku i madh është që në atë dialog Kosova gjtihmonë të dal e humbur”, tha ai.
Analisti Faton Abdullahu thotë se kryeministri Avdullah Hoti duhet të jetë më bashkëpunues në raport me partnerët që e përbëjnë qeverinë dhe t’i trajtojë të barabartë.
“Pavarësisht që jemi në një situatë në prag të dialogut ende atyre nuk po u shkon për dore që të bëhen unikë dhe kjo është brengosëse sepse për aq sa nuk jemi ne unikë si qeveri por edhe qeveri në raport me opozitën për aq do të dëmtohemi në raport me Serbinë përkatësisht në raport me atë se çka ne do të duhej të përfitonim nga kjo, e ne do të duhej të përfitonim më në fund diçka që do të jetë përfundimtare e që do të duhej të ishte njohja reciproke”, tha zoti Abdullahu.
Analistët thonë se mungesa e bashkërendimit ndërmjet partnerëve të koal icionit para takimit në Uashington, mund të çojë drejt një marrëveshjeje jo të mirë për Kosovën.
“Ne duhet ta pranojmë idenë se sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uashingtoni zyrtar dhe konkretisht administrata Trump janë duke u munduar të na ndihmojnë. Çdo paragjykim që kishim në të kaluarën e afërt se atje ka thika mbi hartë, e të tjera paragjykime janë përjashtuese dhe të dëmshme për ne, por nëse sot nuk e themi këtë dhe është mirë që nuk kemi parime apo mendësi të tillë nuk do të duhej të ishim të përqarë”, tha zoti Abdullahu.
“Këtu e shoh dështimin sepse si takim mund të mbahet dhe mund të arrihet diçka apo jo por fakti që ne nuk kemi një kordinim si duhet edhe nuk e kemi një platformë të qartë edhen uk e dimë se çka po kërkojmë nga ky dialog atëherë Kosova mund të dal e humbur dhe nëse Kosova del e humbur nga një proces i tillë dialogues ose thjesht e humb mundësinë që me pas një marrëveshje të mirë për vendin atëherë kjo mund të konsiderohet si dështim”, tha zoti Demhasaj.
Kosova dhe Serbia pritet të takohen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, bisedime këto që pritet të ndërmjetësohen këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien dhe i dërguari i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi ambasadori Richard Grenell.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet disa ditë para takimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel më 7 shtator, për të vazhduar bisedimet e rifilluara më 16 korrik.
Koalicioni qeverisës në Kosovë i cili u miratua në parlament më 3 qershor, vlerësohet i brishtë për shkak të votave të pakta dhe situata në vend ka bërë që të hapen diskutimet për mundësinë e zgjerimit të tij gjë që do të siguronte një konsensus më të gjerë edhe përballë bisedimeve.
Facebook Forum