Lidhje

Pikëpyetje për shkelje etike kur Presidenti, Zonja e Parë, mbajnë fjalime politike nga Shtëpia e Bardhë 


Sipas zyrtarëve të administratës amerikane, është e ligjshme për Presidentin Trump dhe Zonjën e Parë, Melania Trump të përdorin Shtëpinë e Bardhë për aktivitete që lidhen me Kuvendin Kombëtar Republikan.

Por për të tjerët, ndër to edhe punonjës të Shtëpisë së Bardhë apo zyrtarë të administratës, një gjë e tillë nuk lejohet në bazë të Ligjit federal Hatch të vitit 1939 që e bën të palejueshme për zyrtarët qeveritarë të angazhohen në aktivitet politik gjatë punës.

Zyrtarë të administratës Trump janë përmendur 13 herë për shkelje të Ligjit Hatch nga hetues të Zyrës së Kontrollorit Ligjor. Mësohet se 12 nga këto akte që konsiderohen si shkelje janë nën shqyrtim, sipas burimeve brenda administratës dhe organizatave që vëzhgojnë respektimin e etikës nga qeveritarët.

“Shtëpia e Bardhë është treguar shumë e rreptë me ne. Na kanë dërguar emaile të shumta për të shpjeguar se çfarë lejohet dhe çfarë jo,” tha Stephanie Grisham, shefja e personelit të Zonjës së Parë, Melania Trump në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës. “Na kanë informuar se aktivitete jashtë punës nuk mund të bëhen në orar të punës, apo me pajisjet e punës. Pra e ndjekim me rreptësi”.

Zonja e Parë, ndërkaq, e mban fjalimin e saj drejtuar delegatëve në Kuvendin Kombëtar Republikan drejtpërdrejt nga Kopshti i Shtëpisë së Bardhë.

Pak metra më tutje, nga ku qëndron Zonja e Parë gjatë fjalimit është ngritur podiumi dhe është planifikuar hapësira për dritat, mikrofonin, të ftuarit që do të ndjekin presidentin kur të pranojë të enjten emërimin si kandidat i republikanëve në zgjedhjet e 3 nëntorit. Pas fjalimit, në Parkun Kombëtar jashtë perimetrit të Shtëpisë së Bardhë do të ketë shfaqje me fishekzjarre.

“Presidenti dhe nënpresidenti nuk preken nga kufizimet e Ligjit Hatch. Ligji nuk e pengon presidentin të mbajë fjalimin ku pranon emërimin nga mjediset e Shtëpisë së Bardhë,” tha Erica Hamrick, zëvendës shefe e Njësisë për Ligjin Hatch në Zyrën e Kontrollorit Ligjor, në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjes së Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve mbi Funksionimin e Administratës.

Megjithatë, kritikat vazhdojnë se me një akt të pashoq, Shtëpia e Bardhë po përdoret haptazi për një aktivitet politik. Gjatë presidencës së tij, zoti Trump ka shfrytëzuar aktivitete zyrtare, përfshirë konferenca për shtyp, apo fjalime në Shtëpinë e Bardhë për të goditur rivalët e tij politikë.

Kuvendet gjatë Pandemisë

Si rezultat i pandemisë, republikanët dhe demokratët i kanë reduktuar ndjeshëm aktivitetet politike që shoqërojnë kuvendet partiake. Ish-nënpresidenti Joe Biden dhe kandidatja demokrate për nënpresidente, Kamala Harris i mbajtën fjalimet nga qyteti i zotit Biden, Uilmington në Delauer, në prani të një grupi të vogël gazetarësh.

Presidenti Trump ishte të hënën në Sharlot të Karolinës së Veriut në ditën e parë të kuvendit ku ishin mbledhur disa qindra delegatë. Në mbrëmje pati dy aktivitete që ishin regjistruar në Shtëpinë e Bardhë për t’u transmetuar gjatë punimeve të kuvendit.

Nënpresidenti Mike Pence do ta mbajë fjalimin ku pranon emërimin e republikanëve të mërkurën në Fort McHenry në Meriland, një fortesë ku u zhvillua një betejë e rëndësishme në vitin 1812 që frymëzoi një oficer amerikan të kompozonte këngën patriotike Flamuri i Spërkatur me Yje, që u bë himni kombëtar amerikan.

Shpenzimet, ndër to udhëtimi ajror dhe të tjera që konsiderohen si kosto të një aktiviteti politik, duhet të paguhen nga fushata e presidentit dhe jo nga buxheti i qeverisë federale.

Nëse Presidenti Trump e mban nga Shtëpia e Bardhë fjalimin për të pranuar emërimin, ky akt do të përbënte shkelje të normave etike të vendosura nga presidentët e mëparshëm, thotë Georgia Lyon, analiste në grupin jopartiak Qendra për Fushata të Ligjshme.

“Janë përdorur mënyra nga më të ndryshmet për të shfrytëzuar Shtëpinë e Bardhë për të ndikuar tek zgjedhjet, të gjitha deri diku jo të pëlqyeshme në bazë të ligjit,” tha për buletinin “Government Executive” Scott Bloch, ish-kreu i Zyrës së Kontrollorit Ligjor në 2003-2008.

Ai përmendi administratën e ish-Presidentit Bill Clinton që kishte dhënë me qera disa mjedise të Shtëpisë së Bardhë si dhe administratën e ish-Presidentit George H.W. Bush për përdorim fondesh dhe burimesh federale për të ndihmuar kandidatët republikanë.

Megjithatë, ish-Presidentët George W. Bush dhe Barack Obama u përpoqën të krijojnë ndarje të qartë mes përmbushjes së detyrës zyrtare dhe aktivitetit politik për rizgjedhje. Gjatë administratave të tyre, aktivitetet politike që u zhvilluan në Shtëpinë e Bardhë u kufizuan në mjediset e rezidencës së presidentit dhe jo në ambjentet që përdoren si zyrë, në përputhje me specifikimet e Ligjit Hatch.

Fjalimi i Sekretarit të Shtetit Pompeo

Një tjetër largim nga tradita është fjalimi drejtuar delegatëve të Kuvendit Kombëtar Republikan nga Sekretari i Shtetit Pompeo nga Izraeli, ku ndodhet për një vizitë diplomatike.

“Kjo përbën thyerje të traditës, një nga shkeljet e shumta gjatë presidencës Trump,” thotë për Zërin e Amerikës Matthew Continetti, analist me Institutin “American Enterprise”.

Sekretari Pompeo, ish-ligjvënës, po e ndërmerr këtë hap jo thjesht për të ruajtur praninë para delegatëve republikanë, por “edhe për t’u kujtuar shikuesve arritjet e administratës Trump në politikën e jashtme,” thotë zoti Continetti.

Rrallë herë ndodh që shefi i diplomacisë të angazhohet në një aktivitet politik të këtyre përmasave.

Fjalimi i Sekretarit të Shtetit ndërkohë që vazhdon një mision diplomatik “është një shfrytëzim i pacipë i funksionit zyrtar për qëllime të hapura politike,” që minojnë punën kritike të Departamentit të Shtetit, thotë zëvendës menaxherja e fushatës së zotit Biden, Kate Bedingfield.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se fjalimi i zotit Pompeo ishte shkruar nga kapaciteti personal, jo zyrtar.

Edhe nëse aktet e zyrtarëve të administratës aktuale gjykohen si shkelje të Ligjit Hatch, ndëshkimin e kanë në dorë eprorët e tyre. Presidenti nuk ka ndëshkuar deri tani ndokënd nga administrata që është gjykuar se ka shkelur rregulloret.

Disa nga ndihmësit e tij e trajtojnë me mospërfillje Ligjin Hatch dhe thonë se krenohen kur e shkelin, sipas një artikulli të gazetës New York Times.

**Patsy Widakuswara kontribuoi në këtë artikull. **

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG