Ambientalistët janë alarmuar gjithnjë e më shumë për ritmin në rritje të shpyllëzimit në Amazonën braziliane. Me fillimin e sezonit të zjarrit, pyjet e shiut të Brazilit përballen edhe më shumë me kërcënimin e shkatërrimit. Numri i pemëve të shkatërruara është përshpejtuar që kur zoti Jair Bolsonaro u bë president në vitin 2019. Duke u përballur me kritika, lideri brazilian po mbron politikën e tij për pyjet e shiut dhe kundërshtimin e kritikëve duke miratuar ato që ai thotë se është një fushatë me tolerancë zero për të ndaluar ata që të digjen në mënyrë të paligjshme pyjet e vendit.
Shpyllëzimi në Amazonën braziliane është shtuar shumë.
Në 12 muajt e fundit, më shumë se mbi tre mijë milje katrorë (rreth 9 mijë kilometra katrorë) u dogjën, sipas të dhënave të qeverisë bazuar në imazhet satelitore që identifikojnë pastrimet e reja të pyjeve.
Kjo është një rritje prej 34 përqind nga viti i kaluar dhe shënon nivelin më të lartë në 14 vjet.
Grupet e shoqërisë civile akuzojnë qeverinë e Presidentit Jair Bolsonaro për zhbërjen e politikës së vendit për ruajtjen e mjedisit.
“Brazili nuk ka një politikë mjedisore, por një axhendë për shkatërrimin e mjedisit dhe dobësimin e masave mbrojtëse. Krimi mjedisor ka ekzistuar gjithmonë, por asnjëherë nuk ka patur një partner të ulur në karrigen presidenciale", thotë Marcio Astrini, i Obzervatorit Brazilian të Klimës.
Gushti është muaji më i thatë gjatë dimrit brazilian, i cili rrit tendencën e zjarreve. Vetëm në 10 ditë të këtij muaji kishte 10'000 zjarre të regjistruar në pyje. Ekspertët thonë ... se zjarret nuk janë një fenomen natyror në pyjet e shiut, por një proces i bërë nga njeriu për të pastruar tokën e shpyllëzuar për kullota.
“Të dhënat e fundit tregojnë se 80% e zonave të shpyllëzuara përdoren për kullotje të bagëtive. Shpyllëzimi gjithashtu ndodh me vjedhjen e tokave publike. Zonat që duhet të destinohen për ruajtje janë duke u okupuar dhe shpyllëzuar", thotë Romulo Batista, i organizatës mjedisore "Greenpeace" në Brazil.
Vetë djegia e pyjeve mund të krijojë probleme shëndetësore, duke përhapur ndotjen e ajrit në të gjithë Brazilin.
Vitin e kaluar, qielli mbi Sao Paulo u kthye nga blu në ngjyrë të zezë në pak sekonda. Ishte si fundi i botës në qytetin më të madh të Brazilit. Kishte kaq shumë zjarr në Amazonë në vitin 2019 saqë efektet u ndjenë nga këtu, mijëra milje larg.
Javën e kaluar Presidenti Bolsonaro mohoi ekzistencën e pikave të paligjshme të zjarrit në Amazonë dhe thotë se bashkësia ndërkombëtare dhe ambientalistët punojnë kundër Brazilit.
"Në fund të ditës, Brazili është një qendër e agrobiznesit. Kemi rreziqe gjatë gjithë kohës dhe për fat të keq disa brazilianë po punojnë kundër nesh për çështjen e Amazonës. Politika jonë është toleranca zero. Jo vetëm për krimet, por edhe për çështjen e mjedisit", tha Jair Bolsonaro, Presidenti i Brazilit.
Në përgjigje të kritikave, qeveria ka dërguar ushtarakë për të luftuar zjarret. Forcat e armatosura po punojnë me agjencinë e mjedisit "Ibama". Zoti Bolsonaro krijoi gjithashtu postin e sekretarit të Amazonës për të parandaluar dhe vendosur nën kontroll shpyllëzimet e paligjshme.
Facebook Forum