Në Shqipëri, për të katërtën ditë radhazi, numri i të shëruarve nga koronavirusi ishte më i lartë se ai i të prekurve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 119 persona të infektuar, rezultuan negativë në testin e dytë, duke u konsideruar tanimë të shëruar, ndërsa 101 raste të reja u konfirmuan në 24 orët e fundit. Kryeqyteti vijon të ketë më shumë se gjysmën, ndërsa pjesa tjetër u zbulua në 19 qytete të tjera të vendit: 10 raste në Lezhë, 5 raste në Kamëz, 4 raste në Shkodër, 3 raste në Krujë, Durrës, Korçë, Kavajë, Gjirokastër, Vorë, 2 raste në Kurbin, Elbasan, Kukës, nga 1 rast në Has, Lushnje, Mirditë, Mat, Vau i Dejës, Gramsh, Shijak. Në total janë 9830 personat e infektuar që nga fillimi i pandemisë.
Numri i viktimave vijon të jetë i lartë. Në 24 orët e fundit 5 persona të tjerë humbën jetën: një 62 vjeçar nga Gjirokastra, një 66 vjeçar nga Burreli, 72 vjeçar nga Elbasani, një 87 vjeçar dhe një 92 vjeçare nga Tirana. Deri më tani janë 280 qytetarët që kanë humbur jetën.
Në rritje dhe të shtruarit në të dy spitalet që trajtojnë të sëmurët me shenja klinike. “Në spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 178 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 45 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”, bëri të ditur ministria e Shëndetësisë.
Facebook Forum