Kandidati demokrat për president Joe Biden bëri të ditur se do të vizitojë qytetin Kenosha të shtetit Uiskonsit të enjten, dy ditë pas vizitës së Presidentit Donald Trump (të martën) i cili përshkoi në këmbë disa pjesë të qytetit të dëmtuar javën e kaluar nga trazirat civile.
Zyrtarët e fushatës së zotit Biden thanë se ish-Nënpresidenti do të zhvillojë një takim me komunitetit në Kenosha, një qytet me 100 mijë banorë që shtrihet në brigjet e liqenit Miçigan.
"Ajo që duhet të bëjmë ne është që të shërohemi. Duhet t'i bashkojmë njerëzit", tha zoti Biden në një konferencë shtypi të mërkurën.
Vizita së shpejti e zotit Biden dhe ajo e zotit Trump në Kenosha nënvizon përpjekjet e tyre për të fituar avantazh politik mbi tema të ndjeshme në SHBA siç janë ato që lidhen me diskriminimin racor dhe trajtimin e pakicave nga policia. Këto çështje u rikthyen në qendër të vëmendjes pas vdekjes në duart e policisë se afrikano-amerikanit George Floyd, në fund të maj. Incidenti shkaktoi protesta në Mineapolis dhe në shumë qytete amerikane.
Vizita e Presidentit Trump në Kenosha
Presidenti amerikan Donald Trumpvizitoi të martën disa pjesë të qytetit të Kenoshës në Uiskonsin, që u dëmtuan javën e kaluar në trazirat civile që shpërthyen pasi një polic qëlloi shtatë herë në shpinë afrikano-amerikanin Jacob Blake gjatë përpjekjes për arrestimin e tij.
"Duhet të jesh i vendosur, i fortë, dhe i gatshëm të mobilizosh njerëzit" për të shuar dhunën, tha presidenti amerikan në një bisedë me oficerët e zbatimit të ligjit.
Më vonë, në një diskutim me zyrtarët e zbatimit të ligjit, Presdienti Trump tha: “Ju përballeni me anarkistë, plaçkitës dhe protestues të dhunshëm. Ju merreni me njerëz të ndryshëm. Ju përballeni me agjitatorë.”
Presidenti Trump është përfshirë në një përplasje politike me rivalin e tij demokrat, Joe Biden, rreth asaj se kush do ta mbante vendin të sigurt ndërsa të dy po bëjnë fushatë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Presidenti Trump sulmoi "politikanët e pamatur të ekstremit të majtë", duke shtuar, "Ne duhet t'i japim një mbështetje shumë më të madhe forcave tona të zbatimit të ligjit".
Presidenti Trump tha në Kenosha se, "Turmat e dhunshme shkatërruan ose dëmtuan të paktën 25 për qind të biznese, dogjën ndërtesa publike dhe hodhën tulla drejt policëve, një veprim që policët tuaj nuk do ta duronin. Dhe ata nuk e duruan atë", tha Presidenti Trump. "Këto nuk janë vepra të protestave paqësore, por me të vërtetë të terrorit të brendshëm."
Presidenti Trump vizitoi Kenoshën, një qytet me 100,000 banorë në brigjet e Liqenit të Miçiganit, kundër dëshirës së kryebashkiakut të qytetit dhe guvernatorit të shtetit të Uiskonsinit, Tony Evers, i cili tha se ajo ishte shumë e shpejt pasi policia ende po vazhdonte hetimet në rastin e qëllimit me armë të afrikano-amerikanit Jacob Blake më 23 gusht. Anëtarët e familjes së tij thonë se ai tani është pjesërisht i paralizuar.
Policia gjithashtu po heton rrethanat e vrasjes së dy protestuesve dhe plagosjes së një tjetri gjatë protestave që pasuan qëllimin me armë nga policia të afrikano-amerikanit Jacob Blake. Policia ka akuzuar njëadoleshent i cili pretendoi se po mbronte bizneset në Kenosha.
Guvernatori demokrat Evers dislokoi trupat e Gardës Kombëtare të Uiskonsinit në Kenosha dhe më vonë pranoi një ofertë të Shtëpisë së Bardhë për më shumë ndihmë federale për zbatimin e ligjit.
Presidenti Trump pretendoi, pa ofruar prova, se trazirat civile përfunduan kur Shtëpia e Bardhë tha se ai do të vizitonte qytetin e Kenoshës.
"Kjo përfundoi brenda një ore, dhe sapo njoftuam se do të vinim dhe pastaj ata na panë se ishim këtu", tha Presidenti Trump, i cili ishte i shoqëruar në Kenosha nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr.
Presidenti Trump nuk u takua me familjen e afrikano-amerikanit Jacob Blake gjatë vizitës së tij, por theksoi disa herë se ai kishte folur me një pastor të familjes.
Gjatë nisjes për në Kenosha, Trump tha, "Sot, unë do të shkoj atje për të mbështetur forcat e zbatimit të ligjit dhe Gardën Kombëtare, sepse ata kanë bërë një punë të shkëlqyeshme në Kenosha. Ata e kanë shuar flakën menjëherë. Në momentin kur ata ndrëhynë flaka u shua. Tani mbase do të fillojë përsëri, nëse kjo ndodh ata do ta shuajnë atë në mënyrë shumë më të fuqishme."
Presidenti të hënën nuk pranoi të kritikonte veprimet e adoleshentit të bardhë Kyle Rittenhouse, i cili akuzohet për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri gjatë një proteste në Kenosha dy netë pas incidentit në të cilin policia qëlloi afrikano-amerikanin Jacob Blake. Rittenhouse, i cili pretendon se qëllimi i tij ishte mbrojtja e bizneseve, përballet me pesë akuza kriminale, duke përfshirë atë të vrasjes me paramendim.
"Ata e sulmuan atë me dhunë", u tha Trump gazetarëve për rastin e adoleshentit Rittenhouse. "Ai ndoshta do të ishte vrarë" po të mos hapte zjarr ndaj protestuesve.
Guvernatori Evers i bëri thirrje presidentit që të mos e vizitonte qytetin e Kenoshës të martën, duke thënë se prania e zotit Trump "vetëm se do ta pengonte procesin e shërimit të plagëve tona. Jam i shqetësuar se prania juaj do të zvarriste punën tonë për të kapërcyer përçarjet dhe për të ecur përpara së bashku."
Udhëtimi i Presidentit Trump në Uiskonsin vjen ndërsa ai dhe ish-nënpresidenti Biden, kundërshtari i tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, shkëmbyen akuza në lidhje me sigurinë dhe kërcënimet për jetën në Amerikën e udhëhequr nga kundërshtari.
Presidenti Trump njoftoi të hënën se Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Drejtësisë po fillojnë një hetim për "trazirat civile të së majtës" në "qytetet e drejtuara nga demokratët", duke shtuar se operacionet federale kundër dhunës urbane kanë rezultuar në arrestimin e 200 personave, përfshirë 100 në Portland të Oregonit.
"Në Amerikë, ne kurrë nuk do t'i dorëzohemi sundimit të turmës, sepse nëse turma sundon, demokracia në realitet ka vdekur," u tha presidenti gazetarëve në zyrën e konferencave të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.
Duke theksuar "duhet vendosur rendi," presidenti Trump, foli vetëm disa orë pasi zoti Biden tha se presidenti "nuk mund ta ndalojë dhunën, sepse për vite me radhë, ai e ka nxitur atë".
Më parë po atë ditë, zoti Biden duke folur në Pitsburg, iu drejtua kamerave gjatë fjalimit të tij, që u transmetuan drejtpërdrejt në tre rrjetet kryesore kabllore të lajmeve në vend dhe tha: "Pyeteni veten, a dukem unë si socialist radikal që i kam për zemër protestat? Vërtetë? "
Zoti Biden bëri thirrje që vandalët dhe plaçkitësit të ndiqen penalisht dhe akuzoi presidentin Trump për "nxitjen e kaosit dhe dhunës" gjatë sezonit të zgjedhjeve sepse ai e sheh atë si "përfitim politik".
Në një deklaratë të hënën vonë zoti Biden fajësoi presidentin Trump që refuzoi kritikat ndaj adoleshentit Rittenhouse dhe i bëri thirrje presidentit që bashkarisht të deklarojnë “se ndërsa protesta paqësore është e drejtë -- e nevojshme, dhuna është e gabuar".
Facebook Forum