Lidhje

 SHBA, anëtari i Shtetit Islamik pranon fajësinë


A general view taken on August 13, 2017 shows an Islamic State (IS) group poster in the central Syrian town of Al-Sukhnah. Pro-government fighters cleared the area after taking control of the county's large desert area called the Badiya.

Një amerikan i cili udhëtoi në Siri për të luftuar për kalifatin e vetëshpallur të Shtetit Islamik pranoi fajësinë për akuzat për terrorizëm, një vit pas kthimit në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi të mërkurën se Omer Kuzu, 23 vjeç, pranoi fajësinë për komplot për mbështetjen materiale të terrorizmit.

Banori vendas i qytetit të Dallasit në Teksas, përballet me 20 vjet burg. Shpallja e dënimit është caktuar për në janar të vitit 2021.

"Ky i pandehur, një shtetas amerikan i radikalizuar në tokën amerikane, u zotua për besnikëri ndaj një grupi brutal terrorist dhe udhëtoi në anën tjetër të botës për të mbështetur agjendën e tij", tha në një deklaratë prokurorja amerikane, Erin Nealy Cox. "Unë jam e kënaqur që zoti Kuzu u përball me drejtësinë në një gjykatë amerikane", shtoi ajo.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Kuzu pranoi se ishte larguar nga Shtetet e Bashkuara me vëllain e tij në tetor të vitit 2014, kundër dëshirës së prindërve, për t'u bashkuar me Shtetin Islamik.

Vëllezërit, me shtetësi amerikane dhe turke, më pas udhëtuan drejt Stambollit para se të hynin në mënyrë të paligjshme në Siri.

Zoti Kuzu tha se pak pasi mbërritjes në Siri, ata u dërguan në Mosul të Irakut, ku u stërvitën.

Pas kthimit në Siri, ai u zotua për besnikëri ndaj udhëheqësit të atëhershëm të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdadi dhe filloi të punonte për drejtorinë e telekomit të grupit terrorist, duke riparuar pajisjet e komunikimit për luftëtarët e vijës së frontit. Për punën e tij ai paguhej 125 dollarë në muaj.

Zyrtarët thanë se Kuzu u kap nga Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara në Mars të vitit të kaluar, së bashku me 400 luftëtarë të tjerë të Shtetit Islamik, pranë fshatit sirian Dashisha.

Pas kthimit të tij në Shtetet e Bashkuara, Kuzu u tha hetuesve se ai kishte një grua dhe një fëmijë, por fati i tyre dhe i vëllait të tij mbetet i paqartë.

Që nga viti 2017, Shtetet e Bashkuara kanë riatdhesuar tetë të rritur dhe dhjetë fëmijë nga Siria dhe Iraku.

Mohamad Jamal Khweis nga Virxhinia u dënua nën akuzat për terrorizëm.

Një tjetër shtetase amerikane, Samantha Elhassani pranoi fajësinë në nëntor të vitit të kaluar.

Tre shtetas të tjerë amerikanë janë në pritje të ngritjes së akuzave. Ndaj dy grave që u riatdhesuan qershorin e kaluar nuk janë ngritur akuza.

Mënyra se si duhen trajtuar luftëtarët e huaj të Shtetit Islamik dhe familjet e tyre ka qenë një burim debati mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre që nga shkatërrimi i kalifatit të grupit terrorist.

Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë kanë bërë thirrje që vendet tëriatdhesojnë njerëzit e tyre që janë larguar për t'u bashkuar me Shtetin Islamik, por shumë vende, veçanërisht ato në Evropën Perëndimore, kanë hezituar ta bëjnë këtë.

"Departamenti i Drejtësisë mbetet i angazhuar në përpjekjet për të kërkuar llogari nga ata që janë larguar nga ky vend për t'u bashkuar dhe për të mbështetur ISIS-in (Shtetin Islamik)", tha Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm, John Demers në një deklaratë të mërkurën. "Ne shpresojmë që vendet e tjera të botës, duke përfshirë aleatët dhe partnerët tanë evropianë, gjithashtu do të marrin përgjegjësinë për qytetarët e tyre që udhëtuan për të mbështetur ISIS-in", shtoi ai.

Forcat Demokratike Siriane vazhdojnë të mbajnë rreth 2,000 luftëtarë të huaj në burgjet e improvizuara në Sirinë verilindore. Sipas një përllogaritjeje tjetër, rreth 10,000 gra dhe fëmijë të huaj banojnë në kampet për personat e zhvendosur në rajon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG