Lidhje

Akuza të reja mbi skandalin e pranimeve në kolegje


Një tjetër prind i pasur u akuzua të mërkurën mbi përpjekje për të korruptuar një universitet elitar, duke përdorur të dhëna të rreme mbi aftësitë sportive të fëmijës së tij. Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi ndaj dy ish-trajnerëve të një kolegji të përfshirë në skandalin e ryshfeteve, u ngritën akuza të reja.

Amin Khoury, 54 vjeç, nga qyteti Palm Beach i shtetit Florida dhe Mashpi i shtetit Masaçusets, akuzohet se i ka paguar në maj të 2014-s, 200 mijë dollarë ish-trajnerit të tenisit të universitetit Georgetown, Gordon Ernst, për të futur vajzën e tij në universitet përmes rekrutimit si teniste edhe pse "aftësitë e saj në këtë sport nuk përputheshin me kriteret e vendosura nga Georgetown-i", bëri të ditur nëpërmjet një deklarate zyra e prokurorit amerikan në Boston.

Amin Khoury është personi i 57-të që akuzohet në kuadër të hetimit mbarëkombëtar. Ai akuzohet për mashtrim bankar dhe ryshfet.

Akuzat ndaj zotit Khoury u njoftuan një ditë pasi ndaj zotit Ernst u ngritën akuza të reja, tre akuza për vjedhje ose ryshfet në lidhje me programet që përfitojne fonde federale si dhe tre akuza për deklarim të rremë të taksave, thuhej në një deklaratë të martën nga zyra prokurorit amerikan të Masaçusetsit Andrew Lelling.

Në deklaratë thuhej gjithashtu se ish-trajneri i vaterpolit në universitetin e Kalifornisë Jugore Jovan Vavic, u akuzua të martën për vepër kriminale në bashkëpunim lidhur me programe që përfitojne fonde federale.

Zoti Ernst u deklarua i pafajshëm vitin e kaluar për një seri akuzash, përfshirë mashtrimin bankar dhe pastrim parash. Ai u akuzua për pranimin e një ryshfeti në vlerën e 2.7 milionë dollarëve nga drejtuesi i skemës, me qëllimin për t’u siguruar mundësinë të paktën 12 aplikantëve të universitetit Georgetown që të pranoheshin në kolegj për shkak të aftësive të tyre si tenistë. Sipas akuzave të reja ai kërkoi dhe mori ryshfet edhe nga tre aplikantë të tjerë të Georgetown-it dhe më pas nuk raportoi një pjesë të konsiderueshme të parave për efekt taksash. Agjencia e lajmeve “Associated Press” kontaktoi të mërkurën për komente avokatin e zotit Ernst.

Zoti Vavic, i cili ka fituar 16 tituj kombëtarë në vaterpol si pjesë e skuadrës së universitetit të Kalifornisë së Jugut (USC), u deklarua i pafajshëm vitin e kaluar për pranimin e 250 mijë dollarëve për të futur në këtë kolegj dy aplikantë. Sipas akuzave të reja ai komplotoi për të marrë ryshfet në lidhje me programe që përfitojne fonde federale për të futur më shumë aplikantë në USC. AP thotë se i ka kërkuar komente të mërkurën avokatit kryesor të zotit Vavic që ndodhet në Los Anxhelos. Avokati i tij në zonën e Bostonit nuk pranoi të komentojë me email. Gjykata nuk ka përcaktuar ende një datë për shqyrtimin e akuzave të reja. Sipas akuzës, ryshfetet erdhën nga William "Rick" Singer, konsulent i pranimeve në kolegje i njohur si organizator i skemës. Zoti Singer e ka pranuar fajin dhe po bashkëpunon me hetimet.

Me dhjetëra prindër të famshëm e të pasur si dhe mbi 12 trajnerë kolegjesh e administratorë të çështjeve sportive, u bënë pjesë e një hetimi të quajtur operacioni “Varsity Blues”, i cili përfshinte ryshfete në shuma të mëdha me qëllimin për të futur fëmijë pa meritat e duhura në universitetet elitare amerikane, duke manipuluar rezultatet në mësime apo të dhënat e tyre sportive. Rreth 30 prindër dhe tetë trajnerë e administratorë e kanë pranuar tashmë fajësinë, përfshirë aktoren Lori Loughlin dhe bashkëshortin e saj, stilistin Mossimo Giannulli, të cilët u dënuan me burg muajin e kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG