Lidhje

Ekipet e shpëtimit në Liban vazhdojnë kërkimet në rrënoja


Ekipet e shpëtimit rifilluan kërkimet të premten për të mbijetuar të mundshëm nën rrënojat e një ndërtese që u shemb si pasojë e një shpërthimi vdekjeprurës muajin e kaluar në portin e Bejrutit.

Operacionet e kërkimit rifilluan të enjten pasdite, pasi ekipet kiliane të kërkimit që kanë shkuar për të ndihmuar morrën disa sinjale ndërsa kalonin në një nga lagjet e qytetit. Kërkimet u ndërprenë pas perëndimit të diellit, por një grup protestuesish mbërritën në vendin e ngjarjes dhe filluan të kërkonin vetë, duke pretenduar se ishte ushtria libaneze që i kishte kërkuar ekipit kilian të ndalonte punën.

Një orë pas mesnate punonjësit e Mbrojtjes Civile të Libanit mbërritën në vendngjarje dhe rifilluan punën. Në një deklaratë të ushtrisë lëshuar të premten u tha se ekipi kilian i ndërpreu kërkimet nga frika se një pjesë e një muri mund të binte mbi punëtorët e kërkim-shpëtimit. Shpërthimi masiv në portin e Bejrutit shkaktoi dhjetra të vrarë e mijëra të plagosur duke traumatizuar vendin që po përballet gjithashtu me një krizë financiare.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka paralajmëruar se pas shpërthimit të 2.750 tonëve nitrat-amoni janë shkarkuar shumë mbetje toksike, potencialisht të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG