Lidhje

Shtëpia e Bardhë mbron shqetësimet e ngritura nga presidenti për votën me postë


Robert O'Brien

Shtëpia e Bardhë mori në mbrojtje përpjekjet e saj për të mos lejuar ndërhyrje të jashtme në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Komentet erdhën pas një njoftimi se "faktorë keqdashës" rusë po u bëjnë jehonë paralajmërimeve të përsëritura të Presidentit Donald Trump për mashtrim të mundshëm në zgjedhjet e 3 nëntorit.

"Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të mbrojtur karakterin e shenjtë të zgjedhjeve,” tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien në komente për shtyp të premten, duke shtuar se presidenti ka ndërmarrë “masa të pashembullta” për të mbrojtur zgjedhjet e nëntorit.

"Ua kemi bërë shumë të qartë kinezëve, rusëve, iranianëve dhe të tjerëve që nuk janë përmendur publikisht se kushdo që përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane do të përballet me pasoja të jashtëzakonshme," tha ai.

FILE - A person drops applications for mail-in-ballots into a mailbox in Omaha, Neb., Aug. 18, 2020.
FILE - A person drops applications for mail-in-ballots into a mailbox in Omaha, Neb., Aug. 18, 2020.

Në një buletin të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që u zbulua në media të enjten, thuhej se Rusia po ngjall frikën se votimi me postë, që këtë herë do të zbatohet në përmasa më të gjera, do të çojë në një rezultat difektoz të zgjedhjeve.

Në buletinin e siguruar fillimisht nga televizioni ABC News thuhet se qëllimi i Rusisë është të minojë besimin e publikut tek procesi zgjedhor.

Presidenti Trump ka ngritur shpesh shqetësime për votimin me postë.

Në qershor ai komentoi në Twitter se votimi me postë do të çonte në “zgjedhjet më të MANIPULUARA në historinë e vendit”.

Në fillim të kësaj jave, ai zgjoi polemika të shumta kur u duk sikur po nxiste përkrahësit e tij të votojnë dy herë, përmes postës dhe duke shkuar fizikisht në qendrat e votimit për t’u siguruar se vota e tyre do të numërohej. Votimi dy herë me dashje është i paligjshëm.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë mbrojtën të premten shqetësimet e presidentit për votimet me postë, duke i cilësuar të arsyeshme:

“Pa diskutim ekzistojnë shqetësime të mëdha për votën me postë,” tha këshilltari O’Brien, duke aluduar se nëpër komplekse apartamentesh në mbarë vendin ka stiva me fletëvotime.

Autori i këtij artikulli kërkoi përmes Google në internet për raportime që e mbështesin këtë pretendim dhe gjeti vetëm një rast kur raportohej për një postier në Nju Xhërsi që kishte lënë fletëvotime në lobin e disa ndërtesave në vend që t’i vendoste në kutitë postare të banorëve.

Këshilltari për sigurinë kombëtare tha se shqetësimet nuk duhet të ngatërrohen me kërcënimet e tjera ndaj zgjedhjeve:

"Këto shqetësime dallojnë nga kërcënimi ndaj zgjedhjeve nga kundërshtarë të huaj,” tha zoti O’Brien, duke përsëritur se kërcënimi kryesor nuk vjen nga Rusia.

"Komuniteti i zbulimit e ka bërë të qartë se në radhë të parë është Kina, e cila ka programin më të madh për të ndikuar politikisht tek SHBA,” tha ai.

Zoti O’Brien gjithashtu dukej se po përpiqej të hidhte dyshime mbi njoftimet e agjencive të zbulimit se vende të ndryshme rivale të SHBA kishin preferenca mes pretendentëve në zgjedhje:

"Disa prej tyre preferojnë zotin Biden,” tha ai duke iu referuar pretendentit demokrat, ish-nënpresidentit Joe Biden. “Disa thonë se ka prej tyre që preferojnë presidentin”.

"Unë besoj se nuk ka rëndësi se çfarë duan këto vende; se kushdo që tenton të ndërhyjnë tek zgjedhjet e lira dhe të drejta amerikane, duhet të ndalet,” tha zoti O’Brien.

Informacioni i bërë publik muajin e kaluar tregon se zyrtarë të lartë të shërbimeve të zbulimit besojnë se vende si Rusia dhe Kina kanë preferenca të qarta dhe se sidomos Rusia ka qenë mjaft aktive.

“Sipas analizës sonë, Rusia po përdor një numër masash për të denigruar ish-nënpresidentin Joe Biden dhe atë që e konsideron si ‘elitë politike’ anti-ruse,” tha Drejtori i Kundërzbulimit amerikan, William Evanina përmes një deklarate më 7 gusht.

“Disa aktorë që kanë lidhje me Kremlinin po ashtu po përpiqen të mbështesin kandidaturën e Presidentit Trump përmes medias sociale dhe televizionit rus,” tha ai.

William Evanina
William Evanina

Zoti Evanina po ashtu tha se si Kina, ashtu edhe Irani do të preferonin që të fitonte zoti Biden.

Pekini e konsideron zotin Trump “të paparashikueshëm,” tha zoti Evanina, duke shtuar se zyrtarët kinezë e kanë të qartë se një numër masash influencuese që ata kanë ndërmarrë “mund të ndikojnë tek gara presidenciale”.

Presidenti Trump, i cili është përballur me pretendimet se Moska e ndihmoi të fitonte zgjedhjet e 2016-ës, ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur ndikimin e Rusisë.

“Kemi ndërmarrë masa më të forta kundër Rusisë se sa çdo vend tjetër,” tha të premten presidenti gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, duke argumentuar se kërcënimet nga Rusia janë ekzagjeruar.

"Sa interesante që të gjithë përmendin Rusinë,” tha presidenti. “Nuk e kam problem që përmendni Rusinë, por mendoj se ndoshta Kina, në këto momente, është vendi që duhet diskutuar shumë më tepër se Rusia”.

Zyrtarët amerikanë kanë premtuar se megjithëse ka një numër shqetësimesh, zgjedhjet presidenciale do të jenë “më të sigurtat në historinë moderne,” megjithëse kanë paralajmëruar se ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme mund të ketë vonesa pasi pritet që një numër i madh amerikanësh të votojnë me postë.

Zyrtarë të zbulimit dhe agjencive amerikane të rendit kanë thënë se nuk ka informata nga zbulimi se ndonjë vend apo aktor i huaj po përpiqet të manipulojë zgjedhjet duke ndërhyrë tek votat e dërguara me postë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG