Lidhje

COVID-19, parashikimi agresiv: 410 mijë të vdekur deri më një janar


Më shumë se 410 mijë amerikanë mund të vdesin nga COVID-19 deri më 1 janar të vitit 2021, sipas modelit të fundit të zhvilluar nga Instituti i universitetit të Uashingtonit mbi Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME), një institut kërkimor që punon në fushën e statistikave globale të shëndetit dhe vlerëson ndikimin e tyre.

Shtetet e Bashkuara raportuan më shumë se 188,500 vdekje të dielën dhe më shumë se 6,2 milionë raste të konfirmuara me koronavirus, sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins. Nëse modeli IHME-së, i publikuar të premten, është i saktë, kjo do të nënkuptojë se përgjatë më shumë se tre muajve të ardhshëm do të shënoheshin rreth 222 mijë vdekje.

"Ne presim që niveli ditor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara, për shkak të sezonit dhe vigjilencës në rënie të publikut, të arrijë gati 3,000 në ditë në muajin dhjetor", thanë përfaqësues të këtij insituti, që e konsideron veten si një qendër e pavarur kërkimore.

Më parë u parashikuan 317,697 vdekje deri më 1 dhjetor.

Sidoqoftë, studiuesit në IHME-së thanë se nëse përdorimi i maskave do të bëhej gati i përgjithshëm, 222 mijë vdekjet e parashikuara mund të përgjysmoheshin. Anasjelltas nëse lehtësohen kufizimet, shifra do të ishte shumë më e lartë deri në vitin e ri.

"Rritja e përdorimit të maskave në nivelet që shihen në Singapor do të ulte numrin e vdekjeve në 288 mijë ose do të shpëtoheshin 122 mijë jetë njerëzish. Nëse nuk do të ketë asnjë ndërhyrje të mëtejshme të qeverisë duke filluar nga tani deri në 1 janar, numri i të vdekurve mund të rritet në 620 mijë", bëri të ditur IHME-ja.

Modeli IHME-së është një nga më agresivët krahasuar me 35 modele të përdorura për të parashikuar vdekjet nga COVID-19. Sipas parashikimit të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i cili u publikua të enjten, deri më 26 Shtator numri i vdekjeve në SHBA do të arrinte në 211 mijë. Parashikimi i këtij modeli në rang botëror ishte edhe më i rëndë, sipas të cilit vdekjet do të trefishoheshin në 2.8 milionë deri në 1 janar 2021.

India raportoi 86,432 raste të reja COVID-19 të shtunën, duke çuar numrin total të infeksioneve në mbi 4,1 të dielën sipas universitetit Johns Hopkins. SHBA udhëheq botën për nga numri i infeksioneve me COVID me mbi 6.2 milionë raste ndërsa Brazili renditet i dyti me mbi 4.1 milionë raste. Koronavirusi ka krijuar probleme të mëdha në disa zona në Meksikë aq sa qeverive lokale u kanë mbaruar çertifikatat e vdekjes.

Zyrtarët meksikanë njoftuan se janë shtypur një milion formularë të rinj.

Meksika ka regjistruar mbi 67 mijë vdekje si pasojë e COVID-19, duke e radhitur atë pas SHBA-së, Brazilit dhe Indisë për nga numri i vdekjeve si pasojë e pandemisë. SHBA ka regjistruar 188,554 vdekje, Brazili 126,203 dhe India ka 70,626, tha Johns Hopkins.

Organizata “Amnesty International” njoftoi këtë javë se 1,320 punonjës të shëndetësisë në Meksikë kanë vdekur si pasojë e koronavirusit, shifrat më të larta se çdo vend tjetër i botës. Në përgjithësi, të paktën 7 mijë punonjës të shëndetësisë kanë vdekur nga virusi.

Sipas një analize që agjencia “Reuters” u ka bërë të dhënave të qeverisë meksikane, punonjësit e kujdesit shëndetësor në atë vend kanë katër herë më shumë gjasa të vdesin sesa punëtorët e këtij sektori në SHBA.

Rastet e reja me koronavirus vazhdojnë të shfaqen në Korenë e Jugut, vend që për një farë kohe u duk se e kishte bllokuar virusin. Autoritetet njoftuan të shtunën se 115 nga 168 rastet e reja u shfaqën në Seul.

Zelanda e Re njoftoi të shtunën se kishte regjistruar vdekjen e saj të 24-të nga COVID-19. Joseph Williams, me profesion mjek dhe ish-kryeministër i ishujve Cook, u bë viktima e 24-të.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG