Lidhje

Izrael, vazhdojnë protestat, kërkohet dorëheqja e Netanjahut


Mijëra izraelitë dolën sërish në rrugët e Jeruzalemit të shtunën duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Protestuesit u mblodhën jashtë rezidencës zyrtare të Benjamin Netanjahut, të cilin e akuzojnë për korrupsion dhe e kanë kritikuar mbi mënyrën e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.

"Kam ardhur këtu në mënyrë që ta detyroj që Bibi (Benjamin) Netanjahun të largohet", tha Shlomit Cohen, një protestues nga Galilea.

"Jemi të lodhur, boll më. Nuk e duam më", shtoi ai.

Demonstratat kundër Netanjahut kanë vazhduar për më shumë se një muaj dhe tubimi i së shtunës ndodh ndërsa Izraeli po përballet një numër rekord të infeksionesh me koronavirus.

"Kjo është një protestë kundër qeverisë dhe shumë njerëz kanë ardhur këtu për arsye të ndryshme", tha protestuesi Reut Peretz, 23 vjeç. "Disa njerëz janë këtu për të protestuar ndaj dhunës policore, të tjerë për të protestuar kundër korrupsionit të Bibit (Benjamin Netanjahut). Por gjëja që na bashkon të gjithëve është qeveria. Të gjithë dëshirojnë që qeveria të ndryshojë sepse ka shumë papunësi në vend edhe për shkak të mënyrës së menaxhimit të koronavirusit", shtoi ai.

Zoti Netanjahu i ka hedhur poshtë akuzat per korrupsion dhe i ka cilësuar protestuesit "të majtë" dhe "anarkistë", duke akuzuar mediat izraelite për inkurajimin e tyre.

Policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit pranë rezidencës zyrtare të kryeministrit dhe arrestoi të paktën 12 prej tyre, përfshirë një burrë për të cilin policia tha se "ishte veshur si grua në një mënyrë provokuese".

Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins, Izraeli ka më shumë se 129 mijë raste me koronavirus dhe më shumë se 1 mijë vdekje nga COVID-19. Vendi me një popullsi prej 9 milionë banorësh ndodhet në recesion dhe papunësia ka arritur në mbi 20 për qind.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG