Lidhje

Kandidatët intensifikojnë fushatën me mesazhe për punëtorët amerikanë 


Voters cast their ballots to vote in state and local elections at Robious Elementary School in Midlothian, a suburb of Richmond, Virginia, U.S. November 5, 2019. REUTERS/Ryan M. Kelly - RC11256D2610

Kandidati demokrat për president, Joe Biden shkoi të hënën në shtetin e Pensilvanisë, një ndër shtetet e lëkundura me rëndësi kritike për zgjedhjet. Me rastin e Ditës së Punës, zoti Biden bisedoi me anëtarë sindikatash ndërkohë që fushata hyn në periudhën më intensive.

Vizita e zotit Biden në Pensilvani është një ndër ndalesat e fushatës që do të bëjnë kandidatët presidencialë gjatë kësaj jave për të tërhequr mbështetes në një garë që po ashpërsohet, ndërsa afron data e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Pandemia dhe trazirat sociale me thirrjet për drejtësi racore dhe kundër forcës së tepruar policore janë bërë tema qendrore të fushatës në këto javë. Zoti Biden po përpiqet të ruajë epërsinë duke e portretizuar rivalin republikan si udhëheqës të paaftë, i cili e ka lënë në harresë klasën punëtore dhe po përpiqet të shfrytëzojë kaosin për të fituar pikë politike.

Presidenti Trump është përpjekur ta përqendrojë mesazhin tek “ligji dhe rendi” për të entuziazmuar bazën e tij dhe për të tërhequr përkrahës të rinj në zonat periferike, përgjithësisht më të pasura dhe kryesisht të bardha, në shtete kritike si Pensilvania, Miçigani dhe Uiskonsini.

Aktualisht presidenti është përballur me debatin që ka shkaktuar një artikull i javës së kaluar i revistës prestigjoze The Atlantic, ku citohen katër persona, të paidentifikuar me emër, të cilët thonë se në 2018 zoti Trump nuk kishte pranuar të vizitonte një varrezë me ushtarë amerikanë të rënë gjatë luftimeve në Francë, duke i cilësuar ata “dështakë”. Presidenti e përgënjeshtroi me forcë njoftimin e revistës. Ai njoftoi në Twitter se do të zhvillonte të hënën një konferencë për shtyp duke shkruar “Vendet e reja të punës, fuqizimi ekonomik, të gjitha duken Shumë Mirë! Gëzuar Ditën e Punës!”

"Ata do të thonë gjithçka si gënjeshtrat e tyre të fundit për mua dhe ushtrinë, me shpresën se diçka do të mbetet ... por #MAGA e kupton!, shkruante Presidenti duke iu referuar mbështetësve të tij që përkrahin parullën e tij “Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore".

Presidenti ka në plan të shkojë në Karolinën e Veriut, Miçigan dhe Pensilvani gjatë javës. Nënpresidenti Mike Pence dhe kandidatja demokrate për nënpresidente Kamala Harris do të zhvillojnë aktivitete në Uiskonsin.

Fushata e zotit Biden u përpoq t’i shfrytëzonte polemikat e shkaktuara nga artikulli në The Atlantic lidhur me njoftimet për komente denigruese të presidentit në adresë të pjesëtarëve të forcave të armatosura, duke nxjerrë një reklamë të dielën në shtete të lëkundura ku ka një numër të madh veteranësh dhe ushtarësh aktivë, duke nënvizuar përkrahjen që u ka dhënë zoti Biden forcave të armatosura.

Fushata e zotit Biden ka thënë se në nëntor deri në 16 shtete mund të cilësohen si të lëkundura, pasi përgjigja e administratës ndaj pandemisë dhe problemet ekonomike që rezultuan prej saj e kanë zvogëluar përkrahjen për presidentin në shteti si Arizona, Teksasi dhe Xhorxhia, thonë përfaqësues të kandidatit demokrat.

Megjithatë, sipas anketave, ekonomia mbetet pike e fortë për presidentin, megjithë problemet e thella të papunësisë që ka shkaktuar pandemia.

“E kuptojmë se kjo do të jetë një betejë e fortë deri në fund, tha në komentet për shtyp Mike Donilon, strateg politik për zotin Biden.

Tim Murtaugh, drejtor për komunikimin i fushatës së Presidentit Trump, tha se rivali demokrat Biden ka filluar të zhvillojë aktivitete më të shpeshta jashtë shtetit të tij, Delauer, sepse “e di që po humbet mbështetje ndër votues”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG