Lidhje

Përgatitjet e Kosovës për përballjen me COVID-19 gjatë dimrit


Kosova të martën shënoi ditën e parë pa asnjë viktimë nga COVID-19, pas më shumë se dy muaj numra të lartë të viktimave. Ditët e fundit po ashtu është shënuar një ulje e numrit të infektimeve ndërsa vëmendja tashmë e institucioneve po përqendrohet në sezonin dimëror kur fillon përhapja e viruseve sezonale dhe hapja e shkollave.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani thotë për Zërin e Amerikës se tashmë janë përgatitur dy strategji menaxhuese për zhvillimet e ardhshme.

Naser Ramadani, Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike,
Naser Ramadani, Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike,

“Tashmë me përvojën 8 mujore me COVID-19, Instituti Kombëtar i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe skenaret e mundshme me të cilat mund të ndodhin gjatë sezonit dimëror kur ne jemi të përgatitur jo vetëm në mbikëqyrjen, menaxhimin, organizimin dhe në kontrollin e tërë situatës epidemiologjike por njëkohësisht edhe kemi dhënë rekomandimet e duhura tashmë ministrisë dhe qeverisë të furnizohet popullata me doza të pesëfishuara të vaksinës së gripit sezonal dhe me sasi të mjaftueshme të vaksinës COVID-19 e cila besojmë se do të dal ose deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2021”, thotë ai.

Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli, në një bisedë për Zërin e Amerikës, tha se rënia e numrit të të infektuarve duhet të shfrytëzohet në përgatitjen e vendit për sezonin e dimrit.

Isme Humolli, Organizata Botërore e Shëndetësisë
Isme Humolli, Organizata Botërore e Shëndetësisë

“Duhet të ngriten kapacitetet në menaxhimin e rasteve, në rritjen e testimeve të laboratorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, njëkohësisht duhet të fokusohemi në ngritjen e kapaciteteve në mbikëqyrjen e rasteve të gjurmimit dhe kontakteve e sidomos fokusi duhet të jetë dhe vetëm kemi filluar të punojmë në atë drejtim me institucionet në parandalimin dhe kontrollen e infeksioneve të cilat ndodhin brenda institucioneve shëndetësore”, tha ajo.

Zonja Humolli thotë se tashmë është krijuar një hapësirë për të rishikuar disa nga masat e që lidhen me aktivitet kulturore. Por, sipas saj me afrimin e kohës së gripit sezonal kërkohet nga institucionet që të rritet kujdesi në organizmin e veprimtarive ditore të qytetarëve.

“Një tjetër gjë që është evidente për Kosovën është se numri i rasteve aktive është shumë i lartë është rreth 3 mijë që këto janë burim potencial të infeksionit për raste të reja”, tha ajo.

Përgatitjet e Kosovës për përballjen me COVID-19 gjatë dimrit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Autoritetet në Kosovë kanë marr vendim që më 14 shtator të fillojë procesi mësimor, dy javë më vonë se orari i rregullt i mësimit në vend. Ministria e Arsimit thotë se është duke punuar për të siguruar kushte për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.

Sipas, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, te fëmijët e moshës më të re të klasave të ulëta mundësia e bartjes së infeksionit është më e ulët në krahasim me nxënësit më të rritur që llogariten edhe burim potencial i infeksionit.

“Në qoftë se bazohemi në përvojat e shteteve të cilat veç se e kanë aplikuar një metodologji të tillë numri i rasteve mund të vije deri te rritja sidomos të shtetet që kanë një karakteristikë të ngjashme me Kosovën por nëse respektohet vendosja e maskave dhe mbajtja e distancës fizike dhe parandalohet deri diku grumbullimi i nxënësve në masë atëherë mundësia e rritjes së rasteve ekziston por ky numër duhet të jetë më i ulët se sa ai që zakonisht pritet”, tha zonja Humolli.

Gati gjashtë muaj që nga shfaqja e rasteve të para me COVID-19, në Kosovë janë prekur më shumë se 14 mijë e 300 persona nga të cilët afër 570 kanë humbur jetën nga pasojat e koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG