Lidhje

Koronavirusi, 50 mijë persona humbën punën në Shqipëri


Në Shqipëri, 50 mijë persona rezultojnë të kenë humbur vendin e punës, gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti, nën efektin kryesisht të pandemisë së COVID 19-ës. Sipas të dhënave të Anketës së forcave të Punës, të publikuara nga Instituti shqiptar i Statistikave, INSTAT, në fund të tremujorit të dytë përllogariteshin 1.224.823 të punësuar, ndërkohë që në fund të dhjetorit të vitit të shkuar, ishin 1.274.857 të punësuar.

Gjatë tremujorit të parë të vitit, sipas të njejtave të dhëna, humbën punën mbi 16 mijë persona, ndërkohë që rënia ka qenë më e theksuar në tremujorin e dytë, i cili përkon dhe me mbylljen më të gjatë të aktiviteteve ekonomike në kuadër të masave shtrënguese që ndërmorrën autoritetet për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Si gjashttë-mujor, punësimi ka rënë më gati 4 përqind.

Sipas të dhënave po të INSTAT-it, bazuar në të dhënat administrative, goditjen më të madhe e ka ndjerë sektori privat jo bujqësor, ku janë rregjistruar gati 30 mijë të punësuar më pak, ose -6 përqind. Afro 18 mijë të tjetër kanë humbur punën në sektorin bujqësor, ndërsa gati 2 mijë të tjerë, kanë qenë pjesë e sektorit shtetëror.

Por pavarësisht këtyre shifrave, papunësia u rrit vetëm më 0.7 pikë përqindje, krahasuar me fundin e vitit të kaluar, duke ngjitur në 11.9 përqind. Numri zyrtar i të papunëve rezulton të jetë 166.127 persona, ose pak më shumë se 6 mijë të papunë. Pjesa tjetër e atyre që kanë humbur vendin e punës, rezultojnë të jenë përfshirë në pjesën dërrmuese, të paktën 42 mijë persona, si popullsi inaktive.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG