Lidhje

Rama-Mitsotakis: Të zgjidhim shpejt çështjet e mbetura pezull


Greqia dhe Shqipëria kanë vendosur të punojnë së bashku për të zgjidhur me shpejtësi çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve. Në përfundim të një darke pune që kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis, patën mbrëmjen e të martës, në Athinë, ishte zyra e kreut të qeverisë greke që shpërndau njoftimin mbi temat e diskutuara.

Të dy kryeministrat “ranë dakord të punojnë së bashku në mënyrë që të dy vendet të zgjidhin shpejt çështjet e pazgjidhura në të kaluarën në kontekstin dypalësh dhe të çlirojnë potencialin e madh që mund të krijojnë marrëdhëniet strategjike midis dy vendeve”, saktësohet në njoftim.

Kryeministri shqiptar Edi Rama takon ne Athine homologun grek Kyriakos Mitsotakis
please wait

No media source currently available

0:00 0:00:43 0:00

Fundjavën e shkuar, duke folur me gazetarët në Selanik, kryeministri grek ishte shprehur se me zotin Rama do të diskutonte dhe për çështjen e përcaktimit të kufirit detar dhe zonave ekonomike eskluzive mes dy vendeve, pas vendimit të Greqisë për të zgjeruar ujërat e saj territoriale deri në 12 milje detare.

Kjo temë rihapi në Tiranë debatet mbi një marrëvveshje të mundshme mes dy vendeve. Kryeministri Rama foli për një të drejtë që Greqisë i njihet nga Konventat ndërkombëtare, duke saktësuar se ajo nuk ka lidhje me përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve.

Pas rrëzimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të marrëveshjes së firmosur në vitin 2009, Tirana dhe Athina, rinisën bisedimet dy vjet më parë, si pjesë e një pakete çështjesh të mbetura pezull mes dy vendeve. Kryeministri Rama ka deklaruar se bisedimet për çështjen e detit janë ndërprerë, pas ardhjes në pushtet të qeverisë së kryeministrit Mitsotakis. Një gjë të tillë e konfirmoi pak ditë më parë dhe vetë kreu i qeverisë greke.

Në njoftimin mbi takimin e mbrëmes të së hënës, nuk pati asnjë referencë specifike për këtë temë, e cila mesa duket mbetet e përfshirë mes disa çështjeve të tjera që janë ende të hapura mes Tiranës dhe Athinës.

Qeveria greke bëri të ditur se “të dy kryeministrat patën mundësinë për të diskutuar rrjedhën e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë, të cilën Greqia e ka mbështetur ndër vite, duke respektuar gjithnjë kushtëzimin relativ të vendosur nga Këshilli Evropian. Ata shprehën kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin e tyre brenda NATO-s”.
Një tjetër temë diskutimi, ka qenë ajo rreth pakicës greke në Shqipëri, “e cila duhet të jetë një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy popujve, ndërsa theksi u vu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare. Të dy kryeministrat shprehën kënaqësinë e tyre për integrimin e përkryer të qetë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi”, saktëson njoftimi i palës greke.
Nga ana e tij kryeministri Rama, i cili ndodhet në kryeqytetin grek për të marrë pjesë në konferencën e përvitshme të organizuar nga Qeveria greke dhe revista The Economist, nuk dha asnjë detaj mbi bisedimet me homologun grek, duke lënë megjithatë të kuptohet se kishte mbetur i kënaqur. “Një darkë e bukur me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, që ofroi përzemërsisht mikpritjen e tij. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve janë busulla jonë drejt shkëlqimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”, shkruajti zoti Rama në një postim në Facebook, të shoqëruar me foto e video nga takimi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG