Lidhje

Shtohen rastet me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut


Klinika infektive në Maqedoni
Klinika infektive në Maqedoni

Gjendja me koronavirusin në Maqedoninë e Veriut, megjithëse nuk është aq shqetësuese sa pak muaj më parë, vazhdon të jetë shqetësim kryesor për autoritetet shëndetësore, të cilat paralajmërojnë për mundësinë e një vale të re të virusit dhe rikthimin e masave më të ashpra për parandalimin e tij.

Vendi ka pësuar më shumë humbje të jetëve nga COVID-19 krahasuar me shtetet e rajonit, por disa ekspertë e lidhin këtë me metodologjinë e përdorur për regjistgrimin e viktimave. Në Maqedoninë e Veriut, personave, të cilët vdesin nga sëmundje të tjera, u bëhen testet e koronavirusit pas vdekjes dhe kur rezultojnë të kenë qënë të prekur nga virusi, iu shtohen numrit të viktimave nga COVID-19.

Maqedonia e Veriut me një popullsi prej rreth dy milion banorësh, që nga fillimi i pandemisë ka shënuar 705 raste vdekjesh. Gjithsej të diagnostikuar janë 16.867, prej tyre 14.084 rezultojnë të shëruar dhe 2.078 raste aktive.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçë u tha gazetarëve të martën se nëse do të duhet, sërish do të kthehen masat kufizuese. “Me ardhjen e vjeshtës shtohet rreziku i përhapjes së virusit dhe shifrat kudo nëpër botë edhe në vendin tonë janë në rritje”, tha ai.

“Synimi ynë është të marrim masa që do të ndikonin në mënyrë direkte në luftimin e përhapjes së virusit. Nuk kemi synim të vendosim masa që përsëri do ta bllokonin ekonominë dhe që do të na mbyllnin brenda shtëpive, por nëse e do ishte e nevojshme, gjithsesi do të veprojmë kështu”, tha ministri Filipçe duke shpjeguar më pas se nuk pret vendosjen e masave për karantinë.

Zoti Filipçe thotë se një ndër masat do të jetë përdorimi i detyrueshëm i maskave të fytyrës edhe në ambiente të hapura, qoftë edhe për një person të vetëm në rrugë. Ai theksoi se sipas analizave të bëra, vërtetohet se masat nuk po respektohen në të gjitha organizimet dhe zhvillimet publike në mjedis të hapur. Në rast të vazhdimit të shtimit të rasteve, do të shqyrtohet edhe orari i punës së objekteve gastronike.

Autoritetet shëndetësore po analizojnë shkakun e ngritjes së shkallës së vdekshmërisë tek të rinjtë, ndërsa Komisioni për sëmundjet ngjitëse nuk ka ndryshuar rekomandimin që fëmijët nga klasa e parë deri në të tretën të shkollave fillore të fillojnë mësimin nga 1 tetori me prani fizike nëpër klasa. Një ditë më parë u regjistrua një viktimë e moshës 23 vjeçe. Sipas të dhënave, 6.7 për qind, apo 47 raste kanë humbur jetën në kushte jashtë-spitalore, pa arritur të kërkojnë ndihmën e mjekëve.

Maqedonia e Veriut vazhdon ta mbajë kufirin e mbyllur për shtetasit e Kosovës, përveç atyre të cilët kalojnë tranzit dhe kanë certifikata me rezultate negative për koronavirusin të bërë në 48 orët e fundit. Autoritetet në Shkup thonë se po presin që grupi i punës së ekspertëve ndërkombëtarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor të hartojnë një politikë të përbashkët gjithpërfshirëse rajonale për qarkullimin në rajon në kushtet e pandemisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG