Lidhje

SHBA, udhëzime të reja më të rrepta për miratimin e vaksinës


Vullnetarët vunë 20 mijë flamuj të vegjël amerikanë përreth monumentit të Uashingtonit në kryeqytetin e vendit të martën, ditën që në Shtetet e Bashkuara numri i të vdekurve si pasojë e COVID-19 arriti në 200 mijë. Çdo flamur përfaqësonte 10 viktima që kanë humbur jetën prej momentit që virusi u fut për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij viti.

Gjatë një shërbimi ndërfetar të mbajtur tek monumenti i Uashingtonit për të shënuar ditën e trishtë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tha se numri i lartë i vdekjeve ishte “i parandalueshëm” dhe i bëri thirrje vendit që të përqafojë shkencën për të parandaluar humbjet në të ardhmen.

Në prill, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive doktor Anthony Fauci, tha se numri i të vdekurve do të arrrinte në “rreth 60 mijë”, ndërsa Presidenti Donald Trump, i cili më herët e kishte minimizuar koronavirusin si diçka të ngjashme me gripin sezonal, tha në muajin maj se numri i të vdekurve mund të arrinte nga 75 mijë deri në 100 mijë njerëz.

Por tashmë ekspertët e shëndetit në universitetin e Uashingtonit thonë se numri i të vdekurve mund të arrijë në 410 mijë deri në fund të vitit.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të vdekjeve mes të gjitha vendeve, por disa shtete në Evropë dhe Amerikën Latine kanë regjistruar më shumë vdekje në bazë të numrit të popullsisë.

Në fund të prillit në Shtetet e Bashkuara regjistroheshin më shumë se 2 mijë vdekje në ditë si pasojë e koronavirusit. Aktualisht kjo shifër është rreth 800 të vdekur në ditë. Ekspertët e mjekësisë po përpiqen të zhvillojnë një vaksinë dhe mund të sigurojnë miratimin për përdorimin e saj gjatë muajve në vazhdim. Por pa një vaksinë dhe me mbërritjen e motit sezonal të ftohtë, ekspertët thonë se numri i të vdekurve mund të rritet sërish.

Shtypi ka njoftuar se Administrata e Ushqimit dhe e Barnave, po vlerëson një sërë udhëzimesh të reja e më të rrepta për autorizimin emergjent të një vaksine të mundshme kundër COVID-19.

Sipas rregullave të reja të propozuara u kërkohet kompanive farmaceutike të vëzhgojnë pjesmarrësit në provat klinike të fazës së vonë për të paktën dy muaj, pasi të marrin dozën e dytë dhe përfundimtare të një vaksine eksperimentale.

Në bazë të udhëzimeve, do të vëzhgohen të paktën edhe pesë raste të rënda me COVID-19 mes vullnetarëve që morën një vaksinë neutrale, të njohur si placebo.

Dy kompani farmaceutike që janë duke zhvilluar një vaksinë kundër koronavirusit, Moderna dhe Pfizer, kanë fillur vetëm administrimin e dozave të dyta tek vullnetarët e tyre.

Nëse rregullat e reja miratohen, një autorizim për një vaksinë të re do të merrej pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Presidenti Donald Trump ka thënë prej disa javësh se vaksina kundër koronavirusit mund të jetë në dispozicion ose në tetor ose menjëherë para ditës së zgjedhjeve.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe agjenci të tjera dhe ente rregullatore të qeverisë federale kanë parë që besueshmeria ndaj tyre ka rënë si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të administratës për të rishikuar raportet dhe udhëzimet e tyre për të ruajtur pikëpamjet e zotit Trump lidhur me natyrën e pandemisë.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një rritje të rasteve të reja me koronavirus në më shumë se 20 shtete, me shumë raste infektimesh të raportuara në kolegje dhe unversitete si rezultar i kthimit të studentëve që nuk respektojnë udhëzimet për distancim fizik. Përhapja e virusit po ashtu ka shkaktuar kaos për shkollat në të gjithë vendin. Administatorët dhe stafi pedagogjik po përballen me vështirësitë e mësimit përmes internetit ose me një kombinim të mësimit në internet dhe në disa ditë në bankat e shkollës.

Anëtarët e bordit të arsimit në kontenë Miami-Dade në Florida, distrikti i katërt shkollor më i madh në Shtetet e Bashkuara, votoi të martën për rikthimin e nxënësve në shkollë duke nisur prej mesit të tetorit. Vendimi u arrit pas një mbledhje prej 29 orësh pa ndërprerje, që përfshinte 18 orë dëshmi publike nga më shumë se 750 persona.

Në bazë të planit të paraqitur nga shefi i arsimit Alberto Carvalho, fëmijët deri në klasë të parë, si dhe ata me nevoja të veçanta, do të kthehen në shkollë me 14 tetor ndërsa pjesa tjetër e nxënësve do të kthehen në klasa më 21 tetor.

Prej fillimit të muajit gusht procesi i mësimdhënies përmes internetit në kontenë Miami-Dade ka patur shumë probleme, përfshirë ndërprerje të qasjes në rrjet, probleme me programet kompjuterike dhe një sulm kibernetik nga një nxënës i një shkollë të mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG