Ndërsa kanë mbetur më pak se dy muaj nga zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, vëmendja e kandidatëve është përqëndruar në shtete si Pensilvania, Florida, Uiskonsini, Miçigani apo Karolina e Veriut, që pritet të luajnë rol përcaktuese për fituesin.
Kandidati demokrat Joe Biden dhe presidenti Donald Trump gëzojnë pothuajse të njëjtën mbështetje në Pensilavani dhe Karolinën e Veriut, ndërsa ish-nënpresidenti kryeson në Miçigan dhe Uiskonsin, sipas një akete nga agjencia e lajmeve Reuters në bashkëpunim me firmën hulumtuese Ipsos.
Ndërsa afron data e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, dy kandidatët janë përqendruar tek shtetet e pavendosura.
Ata po zhvillojnë tubime këtë muaj në shtetet që Presidenti Trump i fitoi me rezultat të ngushtë në zgjedhjet e vitit 2016, Uiskonsin, Miçigan, Florida dhe Pensilvani. Të martën zoti Trump shkoi në Pensilvani për një tubim elektoral në Pitsburg.
Një anketë nga Reuters/Ipsos e publikuar të hënën tregon se dy konkurentët kanë pothuajse të njëjtën mbështetje në këtë shtet fushëbeteje, të fituar nga zoti Trump në vitin 2016 me më pak se një për qind.
Por zoti Biden shpreson të fitojë në Pensilvani. Në vendlindjen e tij, në qytetin Scranton, votues si Anes Omeragic i shohin gjërat të përziera.
“Në këtë pjesë të qytetit Scranton, të gjithë janë për zotin Biden. Por 10 apo 15 minuta më tutje, drejt fermave, atje ka shumë mbështetës të zotit Trump. Por ky është qyteti i zotit Joe Biden dhe besoj se do të votojë për të.”
Farmacistja Karen Gilchrist thotë se masat e mbylljes së vendit në fillim të vitit luajtën rol në favor të zotit Trump.
“Mendoj se shumë njerëz e pëlqejnë vërtetë zotin Trump. Ata nuk e shprehin këtë shumë, por mendoj se prirjet janë drejt tij. Mendoj se mbyllja e vendit e shtoi mbështetjen për të, e ndihmoi atë këtu. Jemi të pakënaqur nga mbyllja.”
Në shtetin e Floridës, që ka shumë rëndësi dhe që zoti Trump e fitoi me më pak se dy për qind katër vite më parë, studentja e Universitetit të Majamit Nicole Osgood thjeshtë e sheh zotin Biden si mjet për të frenuar zotin Trump.
“Biden nuk do të ishte kandidati im ideal, ndoshta. Por ai nuk është Donald Trump. Trump nuk është njeri i mirë për sa u përket çështjeve sociale dhe të tjera. Mendoj se ka bërë disa gjëra të mira, por gjërat e këqija që ka bërë dhe thënë, thjeshtë nga ana njerëzore, më kanë shtyrë larg tij.”
Jose Cadenas në Doral të Floridës mendon ndryshe.
“Kimoterapia është e nevojshme për të trajtuar kancerin. Zoti Trump është kimoterapia. Këta njerëz janë socialistë, komunistë, janë fundërina. Ne e pranojmë zotin Trump ashtu si është. Më mirë hileqar se komunist.”
Një anketë nga Reuters/Ipsos e publikuar të martën tregon se zoti Biden kryeson me rreth 5 për qind midis votuesve të mundshëm në Miçigan. Dy kandidatët duket se gëzojnë të njëjtën mbështetje në Karolinën e Veriut. Anekta e së hënës tregonte epërsi të zotit Biden mes votuesve të mundshëm në Uiskonsin.
Facebook Forum