Lidhje

Bjellorusi, dhjetra të arrestuar ndërsa vazhdojnë protestat kundër Lukashenkos


Policia bjelloruse ndaloi me dhjetëra protestues të dielën gjatë një marshimi në Minsk. Forcat e sigurisë në qytetin Homel përdorën gaz lotsjellës kundër demonstruesve që kërkojnë largimin e Aleksandër Lukashenkos i cili pretendon se i ka fituar zgjedhjet presidenciale. Të dielën protestat hynë në ditën e 50-të të tyre.

Protestat në Minsk, Homel e qytete të tjera u nxitën pasi Akeksandër Lukashenko, në pushtet që nga viti 1994, u inagurua në 23 shtator në një ceremoni të fshehtë.

Kjo bëri që vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të lëshonin deklarata se nuk e njihnin legjitimitetin e tij. Dhjetëra mijëra njerëz, me flamuj në duar marshuan nëpër Minsk në demonstratën më të fundit që kur zoti Lukashenko u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit.

Protestuesit kishin në plan të zhvillonin atë që e quajtën "inaugurim nga njerëzit", në mbështetje të Svyatlana Tsikhanouskaya, kandidates së opozitës e cila tashmë ndodhet në Lituani. Zonja Tsikhanouskaya, që iu bashkua garës presidenciale në momentet e fundit, thotë se ajo është fituesja e zgjedhjeve të 9 gushtit me 60 deri deri në 70 për qind të votave.

Ajo bëri thirrje që bjellorusët të demonstrojnë në 27 shtator me qëllimin siç shtoi për “zgjedhje të reja, të ndershme dhe si rezultat një inaugurim zyrtar e të ligjshëm".

Në Minsk policia arrestoi me dhjetëra protestues të dielën. Demonstrata u raportuan gjithashtu edhe në qytete të tjera si në Mogilev, Hrodna-t, Lida-n dhe Homel. Protestat vijnë vetëm një ditë pasi forcat e sigurisë në Minsk arrestuan më shumë se 100 protestues gjatë një marshimi të grave.

Qindra mijëra Bjellorusë kanë dalë në rrugë për shtatë javë me radhë, duke kërkuar largimin e zotit Lukashenko dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Zoti Lukashenko ka udhëhequr një goditje brutale ndaj protestave, përfshirë arrestimin e mijëra prej tyre, rrahje dhe keqtrajtime të protestuesve paqësorë dhe dëbimet e gazetarëve të huaj.

Ai i ka mohuar akuzat se zgjedhjet presidenciale ishin të manipuluara. Ndërkohë, shumica e figurave të atij që njihej si Këshilli i Koordinimit të opozitës bjelloruse, një organ krijuar për të lehtësuar dialogun dhe një transferim paqësor të pushtetit, janë internuar ose arrestuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG