Lidhje

Tiranë: Vazhdon ngërçi politik me reformën zgjedhore


Në Tiranë Këshilli Politik, një tryezë jashtë-parlamentare mes pozitës dhe opozitës, mbylli sot një tjetër mbledhje pa rezultat lidhur me reformën zgjedhore.

Opozita e Bashkuar, që ka bojkotuar parlamentin, kërkoi përsëri që Këshilli Politik të kërkojë nga OSBE / ODIHR- komente mbi propozimet e hedhura në tryezë.

Reforma zgjedhore, pezull në Këshillin Politik
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Ndërsa socialistët këmbëngulin se ndihma e OSBE-ODIHR-it mund të kërkohet pasi të jenë diskutuar variantet që palët kanë paraqitur.

Nga rezultatet e punës në Këshillin Politik varet suksesi i reformës zgjedhore dhe zhvillimet e mëtejshme politike në Shqipëri, deri në zgjedhjet e 25 prillit.

Reforma zgjedhore në Tiranë ka mbetur në qerthullin e qëndrimeve të pandryshuara nga pozita dhe opozita për listat dhe koalicionet zgjedhore.

Edhe sot në Këshillin Politik të dy palët nuk lëvizën nga qëndrimet e tyre; socialistët për koalicione me lista të përbashkëta dhe të hapura pjesërisht, ndërsa demokratët për të mbajtur modelin e deritanishëm të koalicioneve dhe lista të hapura 100 për qind.

Palët prej dy javësh po ndahen tani edhe nëse duhet kërkuar apo jo ndihma e OSBE / ODIHR-it.

“Thirrja jonë publike për opozitën është që nëse dëshiron konsensus, të vijë me produkt të zgjedhur nga vet ajo. Të zgjedhë formulimin e një ligji europian që ka sistem proporcional me lista të hapura, qoftë edhe me lista të mbyllura, dhe të vijnë ta diskutojmë. Nëse nuk e pranojnë, atëherë mund të shkojmë te ODIHR-i, por në tryezë duhet ardhur me një produkt të zgjedhur nga një model europian. Për të marrë mendimin e europianëve mbi standartet europiane, duhet ardhur me një produkt europian. Nuk ka shumë kohë, dhe ajo po bëhet kritike. Mund të merret një opinion i shpehjtë paraprak, nëse vihet me këto modele, por jo me pyetje dhe debate teorike, apo me sajim modelesh ballkanike” - tha përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

Opozita këmbënguli që të dy palët të kërkojnë nga ODIHR komente mbi ndryshimin e rregullave themelore të sistemit zgjedhor, gjë që Partia Socialiste nuk e pranoi përsëri, duke u përpjekjur të ndryshojë rregullat, tha Oerd Bylykbashi i opozitës, ndërkohë që gara ka filluar.

Ai shtoi se refuzimi i socialistëve është paradoksal për sa kohë që ODIHR është i pranuar nga palët si arbitër i këtij procesi.

“PS përsëri sot tregoi frikën e saj nga përgjigja që do të vijë nga ODIHR, që të gjithë kemi pranuar të jetë arbitër jo vetëm i këtij procesi reforme, por edhe i zgjedhjeve në Shqipëri. Ne vazhdojmë të qëndrojmë në këtë pozicion. Nëse PS nuk ndryshon qëndrim, bllokon funksionimin e Këshillit Politik e për rrjedhojë bllokon edhe reformën konsensuale zgjedhore, që është kërkesë e BE-së si një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Shqipërinë” - tha përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

Parlamenti shtyu për disa ditë në calendar seancën plenare të planifikuar për sot, edhe komisioni i ligjeve shtyu mbledhjet për pasqyrimin e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut në Kodin Zgjedhor; të dyja këto në pritje të një mirëkuptimi në Këshillin Politik me opozitën jashtë-parlamentare.

Por reforma zgjedhore, pohojnë vëzhguesit e politikës, ka hyrë në spiralin e humbjes së kohës dhe kapërcimit të afateve, ndërsa palët qëndrojnë sërish në pozicione të pandryshuara, duke u kujdesur kryesisht për interesat e secilit kamp partiak, pa menduar se sa mund të ndikojnë këto vonesa në përgatitjet e sakta të procesit të ardhshëm zgjedhor dhe në integrimin e vendit në BE.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG