Lidhje

Dokumentar i ri në 2-vjetorin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi


Dokumentar i ri në dy-vjetorin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Një dokumentar i ri trajton marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Arabinë Saudite përmes vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi. Dokumentari "Mbretëria e heshtjes", një realizim i regjisorit Rick Rowley, fillon të shfaqet në rrjetin televiziv Showtime më 2 tetor, përvjetori i dytë i vrasjes së Jamal Khashoggit. Zyrtarët turq kanë thënë se ai u vra dhe më pas trupi i tij u copëtua brenda konsullatës saudite në Stamboll. Deri më sot, trupi nuk është gjetur.

Filmi ndjek trajektoren e Jamal Khashoggit nga një njeri i brendshëm i familjes mbretërore saudite tek dikush që më në fund zgjodhi të flasë kundër saj në artikujt që shkruante për gazetën Washington Post, deri sa iu mbyll goja duke e vrarë.

"Ne e filluam punën për dokumentarin si një vrasje misterioze. U takuam me shumë agjenci të inteligjencës. Pamë dokumentet e klasifikuara dhe kontaktuam njerëz të brendshëm që nuk kishin folur më parë, duke zbuluar hollësi të reja për vrasjen. Shumë shpejt u bë e qartë se nën sipërfaqe kishin mbetur shumë pyetje interesante. Jo pyetja nëse ishte princi saudit i kurorës Mohammad bin Salman përgjegjës për vrasjen. Tani ne e dimë përfundimisht se ai është. Por përse e vrau atë dhe jo pyetja si u bë vrasja,” tregon regjisori.

Agjencitë perëndimore të inteligjencës si dhe Kongresi Amerikan, kanë thënë se princi i kurorës mban përgjegjësinë përfundimtare për vrasjen dhe se një operacion i këtyre përmasave nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë e tij. Princi 35-vjeçar mohon se kishte dijeni për operacionin dhe e ka dënuar vrasjen.

Historia e Jamal Khashoggit është komplekse. Ai ishte dikur mik i Osama bin Ladenit, kishte punuar në kohë të ndryshme për ish-shefin e inteligjencës saudite dhe kishte qenë zëdhënës i mbretërisë pas 11 shtatorit 2001.

Por ai kaloi nëpër një transformim dhe u bë kritik i Mbretërisë Saudite. Më vonë ai doli në internim dhe më në fund u vra.

"Historia e tij është epike, por për mua është gjithashtu thellësisht personale, prekëse dhe emocionuese. Jamal Khashoggi e jetoi jetën e tij në qendër të një cikloni. Dua të them, ai nuk ishte thjesht një gazetar vëzhgues. Por ishte edhe një pjesëmarrës aktiv në të gjitha ngjarjet që formësuan epokën tonë.”

Regjisori thotë se historitë njerëzore janë më të fuqishme kur ato kanë të bëjnë me një person që kalon nëpër ndryshime.

“Ai ishte i aftë të ndryshonte. Në fund të jetës ai ishte 60 vjeç, e megjithatë arrinte të shihte qartë rolet që kishte luajtur në jetë dhe të kuptonte dhimbjen që ato duhet të kishin shkaktuar në botë. Khashoggi u përpoq të shprehte pendesë dhe të shlyente të kaluarën e tij. Ky është një lloj shpirti njerëzor që, shpresoj se ne të gjithë duhet ta aspirojmë".

Në fillim të shtatorit, një gjykatë saudite shpalli vendimet përfundimtare në çështjen e vrasjes së Jamal Khashoggit, pas deklaratës së djalit të tij, i cili ende jeton në Arabinë Saudite, se falte pesë nga personat e dënuar, duke bërë që ata t’i shpëtonin ekzekutimit.

XS
SM
MD
LG