Lidhje

Hope Hick, këshilltare e Presidentit Trump, pozitive për koronavirusin


Hope Hicks, një nga ndihmëset më të afërta të Presidentit Donald Trump, ka rezultuar pozitive për koronavirusin.

Zonja Hicks, e cila shërben si këshilltare e presidentit dhe udhëtoi me të në një tubim të mërkurën, rezultoi të enjten pozitive, sipas një zyrtari të administratës, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar informacione private shëndetësore. Ajo është ndihmësja më e afërt e Presidentit Trump deri tani që preket nga koronavirusi.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të shumta se kur ka qenë hera e fundit që presidenti Trump është testuar dhe nëse atij dhe anëtarëve të tjerë të stafit që kanë qenë pranë zonjës Hicks ditët e fundit do t'u kërkohet të hyjnë në karantinë.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere tha se "Presidenti e merr shumë seriozisht shëndetin dhe sigurinë e tij dhe të gjithë atyre që punojnë në mbështetje të tij dhe popullit Amerikan".

"Zyra e Operacioneve e Shtëpisë së Bardhë bashkëpunon me Mjekun e Presidentit dhe Zyrën Ushtarake të Shtëpisë së Bardhë për t’u siguruar që të gjitha planet dhe procedurat ndjekin udhëzimet e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve dhe praktikat më të mira për kufizimin e ekspozimit ndaj COVID-19 në masën më të madhe të mundshme si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe kur Presidenti udhëton", tha zoti Deere.

Hope Hicks kishte udhëtuar disa here me presidentin këtë javë, përfshirë me helikopterin presidencial, për një tubim në Minesota të mërkurën dhe në avionin presidencial për në debatin e parë presidencial të së martës.

Hicks, një nga ndihmësit më të besuara të presidentit, më parë ka shërbyer si drejtore e komunikacioneve në Shtëpinë e Bardhë dhe u rikthye në administratë këtë vit përpara zgjedhjeve. Bloomberg News ishte media e pare që njoftoi e para se ajo kishte rezultuar pozitive.

Disa punonjës të Shtëpisë së Bardhë kanë rezultuar pozitivë për virusin, përfshirë sekretaren e shtypit të nënpresidentit Mike Pence, Katie Miller, këshilltarin e sigurisë kombëtare Robert O'Brien dhe një nga asistentët personalë të presidentit.

Pas rasteve të para pozitive pranë presidentit, Shtëpia e Bardhë vendosi një regjim për testim të përditshëm për ndihmësit e lartë të presidentit. Të tjerët që do të jenë pranë presidentit dhe nënpresidentit, përfshirë gazetarët, testohen gjithashtu çdo ditë.

XS
SM
MD
LG