Lidhje

Aktivitetet që mund të kenë shkaktuar infektimin e gjerë mes republikanëve


Ekspertët thonë se disa aktivitete që Presidenti Donald Trump ka ndjekur javët e fundit, ka të ngjarë të kenë shkaktuar përhapjen në masë të koronavirusit, duke lënë pas shumë persona të infektuar dhe duke e bërë të vështirë të përcaktohet se kush infektoi kë.

Të premten e javës së kaluar, presidenti mori pjesë në një aktivitet për mbledhje fondesh në hotelin e tij në Uashington. Kryetarja e Komitetit Kombëtar republikan Ronna McDaniel, e cila organizoi aktivitetin, ka njoftuar tashmë se është testuar pozitive me COVID-19.

Ditën tjetër, Shtëpia e Bardhë organizoi një aktivitet për gjykatësen Amy Coney Barrett, e emëruara e Presidentit Trump për të zëvendësuar vendin bosh të krijuar nga vdekja e anëtares së Gjykatës së Lartë Ruth Bader Ginsburg. Vizitorët u testuan përpara takimit dhe nëse rezultonin negativë u ishte thënë se ishte e sigurt t'i hiqnin maskat e të qëndronin pranë të ftuarve të tjerë në Shtëpinë e Bardhë. Fotografitë nga aktiviteti tregojnë shumë njerëz pa maska të ulur krah njëri-tjetrit dhe pa ruajtur distancën fizike.

Ndërkohë që nga ajo kohë dy senatorë që morën pjesë në aktivitet, Thom Tillis nga Karolina e Veriut dhe Mike Lee nga Utah së bashku me Presidentin e Universitetit të Notre Dame, John Jenkins, kanë njoftuar se janë prekur nga virusi.

Në debatin e parë presidencial të martën në Klivlend të shtetit Ohajo, Zonja e Parë dhe fëmijët e rritur të presidentit Trump u ulën përkrah atyre që ndoqën debatin, pa maska, edhe pse mjekët e Klinikës së Klivlendit u kishin ofruar të tilla.

"Jam e zhgënjyer sot ndërsa shqetësohem për shëndetin tim e shumë të tjerëve që ishin të pranishëm atë mbrëmje, qofshin gazetarë, anëtarë të stafeve të kandidatëve, profesionistë të Klinikës së Klivlendit e shumë të tjerë që mund të kenë qenë potencialisht të ekspozuar", tha udhëheqësja e minorancës në Dhomën e Përfaqësuesve për Ohajon Emilia Strong Sykes në një deklaratë të premten. "Ky është një moment shumë i errët për vendin tonë, në një vit me momente të errëta”, shtoi ajo.

Bill Stepien, menaxheri i fushatës së zotit Trump, njoftoi gjithashtu se ka rezultuar pozitiv me COVID-19 që nga udhëtimi i tij në Klivlend.

Të mërkurën, presidenti ishte në Minesota për një mbledhje fondesh në Shorewood dhe një tubim në Duluth. Ndihmësja e zotit Trump, Hope Hicks, konstatoi probleme me shëndetin gjatë kthimit për në Uashington dhe sipas njoftimeve ishte vetëizoluar në aeroplan. Zonja Hicks kishte qenë gjithashtu me presidentin edhe në Kliveland. Ajo kishte rezultuar negative të mërkurën më herët gjatë ditës, por doli pozitive të enjten në mëngjes. Pavarësisht nga ekspozimi i tij ndaj zonjës Hicks, presidenti Trump udhëtoi të enjten drejt Nju Xhersit për të marrë pjesë në një aktivitet për mbledhje fondesh në klubin e tij të golfit, ku ai qëndroi pa maskë mes të ftuarve. Të enjten vonë, Bloomberg News njoftoi se zonja Hicks kishte rezultuar pozitive me COVID-19, lajm që u konfirmua më pas edhe nga Shtëpia e Bardhë.

Zyrtarët e shëndetit publik të Nju Xhersit po kryejnë gjurmimin e kontakteve për të paralajmëruar pjesëmarrësit në aktivitetin për mbledhjen e fondeve për ekspozimin e tyre të mundshëm ndaj sëmundjes. Zonja e Parë Melania Trump gjithashtu është infektuar. Ajo po trajtohet në Shtëpinë e Bardhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG