Lidhje

Vazhdojnë luftimet në Nagorno-Karabakh pavarësisht thirrjeve për armëpushim


Forcat azere sulmojnë një kamp ushtarak armen gjatë luftimeve në Nagorno-Karabakh
Forcat azere sulmojnë një kamp ushtarak armen gjatë luftimeve në Nagorno-Karabakh

Forcat armene dhe azere vazhduan luftimet të shtunën në ditën e shtatë rradhazi lidhur me rajonin Nagorno-Karbakh, duke mos marrë parasysh thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim.

Armenia thotë se kryeqyteti i territorit, Stepanakert, ishte objektiv bombardimesh nga forcat e Azerbajxhanit.

Autoritetet në territorin e shkëputur kanë paralajmëruar se ka filluar “beteja e fundit” për rajonin. Ata i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të shtunën për të “njohur pavarësinë” e zonës Nagorno-Karabakh, si “i vetmi mekanizëm për të rivendosur paqen”.

Përmes një deklarate të lëshuar mbrëmjen e së premtes, e dyta këtë javë, bashkëdrejtuesit e “Grupit të Minskut – OSBE” Igor Popov i Rusisë, Stéphane Visconti i Francës dhe Andrew Schofer i Shteteve të Bashkuara, u shprehën të “alarmuar lidhur me raportet për rritje të viktimave civile” dhe dënuan fuqishëm dhunën e vazhdueshme.

“Vënia në shënjestër ose kërcënimi i civilëve nuk është asnjëherë e pranueshme dhe në asnjë rrethanë”, thuhej në deklaratë, duke shtuar se “bashkëdrejtuesit u bëjnë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë plotësisht detyrimet e tyre ndërkombëtare për të mbrojtur popullatën”.

Armenia iu përgjigj pozitivisht thirrjes të premten nga “Grupi i Minskut” për armëpushimin me Azerbajxhanin, të përfshira në një konflikt që po kërcënon të përshkallëzohet në një luftë të gjerë.

Armenia është “e gatshme të angazhohet” me të ashtuquajturin Grupi i Minskut për “të rivendosur një regjim armëpushimi bazuar në marrëveshjet e viteve 1994-1995”, tha të premten përmes një deklarate Ministri i Jashtëm i Armenisë.

Presidenti i Azerbajxhanit ka kërkuar tërheqjen e të gjitha forcave armene nga Nagorno-Karabakh si e vetmja mënyrë për dhënien fund të luftimeve.

Të dyja palët më parë i kishin hedhur poshtë kërkesat për një armëpushim në rajonin e diskutueshëm ku luftimet janë përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit në nivele të pashembullta që nga vitet 1990. Dhjetëra njerëz janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në luftimet që filluan me 26 shtator.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG