Lidhje

Dy vjet pas vrasjes së Khashoggit, ende thirrje për drejtësi


Dy vjet pas vrasjes së Khashoggit, ende thirrje për drejtësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Dy vjet pas vrasjes brutale dhe copëtimit të trupit të bashkëpunëtorit gazetës Washington Post dhe rezidentit në Shtetet e Bashkuara, Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe ligjvënësit amerikanë thonë se lufta për drejtësi nuk ka mbaruar.

Më 2 tetor 2018, Jamal Khashoggi, një gazetar i Washington Post, i njohur për kritikat ndaj sundimtarëve të Arabisë Saudite, vendit të tij të lindjes, shkoi në konsullatën saudite në Stamboll, Turqi. Agjencia Qendrore e Zbulimit (CIA) thotë se ai u vra atje me urdhër të Princit të Kurorës saudite, Mohammed bin Salman.

Tetë persona janë dënuar për vrasjen në Arabinë Saudite, por asnjë zyrtar i lartë i mbretërisë saudite nuk është mbajtur përgjegjës.

Në librin e tij të ri "Rage", kolegu i tij gazetar i Washington Post, Bob Woodward, thotë se ai e pyeti Presidentin Donald Trump në lidhje me vrasjen e Khashoggit dhe nëse ai besonte se Princi i Kurorës Mohammed është përgjegjës. Zoti Woodward thotë se ai ka regjistrime ku Presidenti Trump mburret se e shpëtoi princin, duke thënë se, "Unë ia arrita Kongresi ta linte rehat".

Kjo u dërgon një mesazh të tmerrshëm diktatorëve në të gjithë botën se janë të paprekshëm, i tha Zërit Amerikës Sherif Mansour i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

"Njëra është një pranim i regjistruar i Presidentit Trump se ai personalisht e shpëtoi Princin e Kurorës Mohammed bin Salman nga llogaridhënia. Dhe ky pranim nuk është asgjë më pak se një licencë për të vrarë dhe bin Salmani të bëjë ç'të dojë. Dhe ky leksion duhet të hiqet nga institucionet amerikane, nga komuniteti i inteligjencës këtu, nga gjykatat dhe nga Kongresi amerikan", thotë zoti Mansour.

Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo kanë dënuar vrasjen e zotit Khashoggi dhe theksuan se Arabia Saudite është një aleat dhe partner jetik i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Disa ligjvënës amerikanë kanë shprehur shqetësim në lidhje me mungesën e kundërpërgjigjes nga administrata Trump mbi vrasjen dhe abuzimet e tjera të drejtave të njeriut nga sauditët.

"Sauditëve, si pasojë e vrasjes së Jamal Khashoggit, iu dha mundësia për të dalë në një foto duke buzëqeshur me Sekretarin Pompeo", tha Senatori demokrat Chris Murphy.

Disa kanë bërë thirrje për një hetim nëse qeveria amerikane bëri gjithçka që mundi për të paralajmëruar z. Khashoggi se ai ishte në rrezik. Raportuesja Speciale e OKB-së, Agnes Callamard, e trajtoi çështjen përpara një paneli të Kongresit këtë muaj.

"Një fushë që meriton shumë më tepër fokus është shkalla në të cilën qeveria amerikane kishte dijeni, ose duhej ta dinte, se jeta e z. Khashoggi ishte në rrezik, dhe ata duhet të kishin bërë më shumë për ta mbrojtur gazetarin. Informimi i tij mbi të dhënat e zbulimit amerikan, duke përfshirë çdo informacion në lidhje me paralajmërimin që ata mund të kenë marrë dhe në lidhje me detyrën e tyre për të paralajmëruar z. Khashoggi, unë mendoj se është shumë e rëndësishme ndërsa kërkojmë drejtësi", tha zonja Callamard.

Raportuesja Speciale e OKB-së në raportin e saj del me konkluzionin se shteti i Arabisë Saudite është përgjegjës për "ekzekutimin me paramendim" të Jamal Khashoggit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG