Lidhje

Gjykata e Lartë fillon sesionin e ri me sfida të mëdha përpara


Gjykata e Lartë amerikane fillon sesionin e saj të ri nëntë mujor të hënën me një vend bosh të krijuar nga vdekja e gjykatëses liberale Ruth Bader Ginsburg, mes një betejë konfirmimi në Senat mbi pasardhësen e saj, pandemisë së koronavirusit dhe zgjedhjeve presidenciale që po afrojnë, rezultati i të cilave mund të vendoset nga vetë anëtarët e gjykatës.

Mes kësaj vorbulle, gjykata e paplotë me vetëm tetë gjykatës nga nëntë gjithsej, ka gjithashtu një seri çështjesh të rëndësishme për të trajtuar, përfshirë një ankim nga republikat për të shpallur të pavlefshëm ligjin e kujdesit shëndetësor që njihet si Obamacare. Mbi këtë çështje pritet një seancë dëgjimore më 10 nëntor, një javë pas ditës së zgjedhjeve. Nëse e emëruara e Presidentit Donald Trump për të zëvendësuar zonjën Ginsburg, anëtare e një prej gjykatave federale të apelit, Amy Coney Barrett konfirmohet siç dhe pritet nga një Senat i kontrolluar nga republikanët, ekuilibri ideologjik i gjykatës do të anonte më tej drejt një shumice të fuqishme konservatore, 6 me 3. Gjykata e nisi sesionin e ri sipas traditës të hënën e parë të tetorit. Veprimtaria e saj nis ndryshe nga çdo herë tjetër, me dy raste që do të argumentohen nëpërmjet telekonferencës, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gjykata e filloi për herë të parë shqyrtimin e çështjeve në këtë format në muajin maj.

Ndërtesa e gjykatës, ku më 18 shtator u mblodhën turma të mëdha njerëzish për të nderuar gjykatësen Ginsburg, qëndron e mbyllur për publikun për shkak të pandemisë. Ndërthyrja e disa çështjeve që pritet të trajtojë gjykata shihen si një provë për rolin udhëheqës të kreut të gjykatës, konservatorit John Roberts. Ky i fundit në muajin shkurt kryesoi gjyqin në Senat, pjesë e një procesi që synonte shkarkimin e presidentit, e që përfundoi me lirimit të tij nga akuzat për abuzim me detyrën e pengim të punës së Kongresit për të hetuar rreth dyshimeve për presion ndaj Ukrainës me qëllim hetimin e rivalin të tij demokrat Joe Biden.

Zoti Roberts njihet si një person që e vë theksin në dobinë e institucioneve, e që vlerëson pavarësinë e gjykatës.

"Ai do të dëshironte ta kishte situatën nën kontroll si dhe që gjykata të ketë një rrugë të qëndrueshme përpara", thotë avokatja Nicole Saharsky.

Çështja që pritet të marrë shumë vëmendje javën e parë të sesionit të ri shqyrtohet të mërkurën. Gjyqtarët do të peshojnë një mosmarrëveshje mbi të drejtën e autorësisë mbi një program me vlerë disa miliarda dollarë mes kompanive Alphabet Inc's Google dhe Oracle Corp.

Oracle akuzon kompaninë Google se ka shkelur të drejtat e saj të autorësisë mbi programin që përdoret për të ndërtuar sistemin operativ të Android-it të përdorur në telefonat inteligjentë. Në çështjen lidhur me programin Obamacare, vota e zonjës Barrett mund të ishte thelbësore. Një grup shtetesh të udhëhequra nga demokratët, përfshirë Kaliforninë dhe Nju Jorkun, po përpiqen të ruajnë ligjin e vitit 2010, njohur zyrtarisht si Akti i Kujdesit të Përballueshëm, në një kohë kur shtetet e drejtuara nga republikanët dhe administrata e Trump po përpiqen ta shfuqizojnë atë.

Obamacare ka ndihmuar afërsisht 20 milionë amerikanë të marrin sigurime mjekësore ose përmes programeve qeveritare ose përmes politikave nga kompani private të sigurimit shëndetësor.

Ai gjithashtu ndalon kompanitë që t'u refuzojnë sigurimin shëndetësor personave me sëmundje ekzistuese. Kundërshtarët republikanë e kanë quajtur ligjin një ndërhyrje të pajustifikuar të qeverisë në tregjet e sigurimeve shëndetësore.

Gjykata e Lartë më parë e la në fuqi ligjin pas një votimi 5 me 4 në vitit 2012 në të cilin vota e zotit Roberts ishte vendimtare. Po kështu gjykata refuzoi një ankim tjetër në 2015 në një votim 6 me 3. Zonja Ginsburg ishte krah shumicën në të dyja votimet.

Në të kaluarën zonja Barrett i ka kritikuar të dy vendimet. Demokratët që kundërshtojnë emërimin e saj kanë theksuar se ajo mund të votojë për shfuqizimin e ligjit Obamacare, megjithëse ekspertët ligjorë mendojnë se gjykata nuk ka gjasa ta bëjë një gjë të tillë.

Të drejtat fetare

Gjykata trajton një çështje tjetër madhore më 4 nëntor që lidhet me shtrirjen e përjashtimit ndaj ligjeve të caktuara federale, të të drejtave fetare. Mosmarrëveshja lindi nga vendimi i qytetit të Filadelfias për të ndaluar një subjekt lokal katolik nga pjesëmarrja në programin e strehimit të qytetit, sepse organizata ndalon çiftet e të njëjtit seks, të shërbejnë si prindër strehues, pra si prindër që kujdesen për një fëmijë që nuk është fëmija i tyre biologjik.

Gjyqtarët kanë trajtuar deri tani çështje të shumta emergjente në lidhje me zgjedhjet këtë vit dhe disa kanë të bëjnë me ndryshimet e rregullave të nxitura nga pandemia. Gjasat janë që të trajtojnë edhe shumë çështje të tjera.

Shumica konservatore i ka dalë në krah zyrtarëve shtetërorë që kundërshtojnë gjykatat që të imponojnë ndryshime në procedurat zgjedhore për ta bërë më të lehtë votimin gjatë pandemisë.

Zoti Trump ka thënë se ai dëshiron që zonja Barrett të konfirmohet para ditës së zgjedhjeve në mënyrë që ajo të mund të hedhë një votë vendimtare mbi çdo mosmarrëveshje të mundshme mbi zgjedhjet.

Ai ka thënë gjithashtu se nuk e përjashton mundësinë që Gjykata e Lartë të vendosë për rezultatin e zgjedhjeve, gjë që ka nodhur vetëm një herë, gjatë garës së vitit 2000. Vendimi i gjykatës i dha fitoren republikanit George W. Bush. Demokratët kanë thënë se do ta pyesin zonjën Barrett gjatë seancave konfirmuese që pritet të nisin në 12 tetor, nëse është e gatshme të heqë dorë e të mos trajtojë çështje të lidhura me zgjedhjet. Gjykatësit kanë fjalën e fundit për të vendosur nëse duan apo jo ta bëjnë një gjë të tillë.

Jeffrey Rosen, presidenti i Qendrës jofitimprurëse mbi Kushtetutën thotë se ai pret që gjykata ose të qëndrojë larg çështjeve të rëndësishnme që lidhen me zgjedhjet ose nëse në të kundërt të përpiqet të arrijë një vendim unanim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG