Lidhje

Shqetësime dhe kritika nga votuesit për infektimin e presidentit Trump


Infektimi i Presidentit Donald Trump me koronavirus e ka kthyer pandeminë përsëri në qendër të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë numrin më të lartë të të infektuarëve në botë, me më shumë se 7.4 milionë raste dhe mbi 209,000 vdekje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton se reagimi i votuesve në të gjithë vendin ka qenë i përzier, me shumë amerikanë që shprehin keqardhje për presidentin, por me shumë të tjerë që e fajësojnë atë për minimizimin e seriozitetit të pandemisë dhe për dështimin e tij për të ndjekur protokollet e shëndetit publik.

Gjatë fundjavës, mbështetësit e Presidentit Trump u mblodhën pranë Qendrës Mjekësore Ushtarake Walter Reed në periferi të Merilendit, ku presidenti ishte shtruar për t’u trajtuar nga koronavirusi, për t’i uruar atij shërim të shpejtë.

"Ai është i fortë, është luftarak, kështu që kam shumë shpresë se do ta kalojë. Sigurisht që ata duhet të marrin paraprakisht çdo masë", thotë Aleksandër Bush, mbështetës i presidentit Trump.

Të dielën mbështetësit e tij brohoritën ndërsa presidenti Trump doli për pak kohë nga spitali për të përshëndetur turmën nga makina e tij. Por disa ekspertë mjekësorë ngritën shqetësime për dy agjentët e Shërbimit Sekret që ishin në makinë me presidentin e infektuar.

Një sondazh i ri i agjencisë Reuters tregon se shqetësimet e shumta për mirëqenien e presidentit mund të mos kenë ndihmuar fushatën e tij të rizgjedhjes, ndërsa rivali demokrat Joe Biden e ka shtuar epërsinë ndaj presidentit Trump me 10 për qind në shkallë vendi.

Në të njëjtin sondazh, gati dy të tretat e të anketuarve mendojnë se presidenti, i cili ka mbajtur tubime të mbushura me njerëz dhe është tallur me mbajtjen e maskave, ndoshta nuk do të ishte infektuar nëse do ta kishte marrë më seriozisht virusin.

Në mbarë vendin, votuesit kritikë ndaj presidentit i kanë shoqëruar shqetësimet e tyre për gjendjen e tij shëndetësore, me kritika të ashpra për atë që ata e shohin si sjellje të pamatur.

“Nuk dua që ai të vdesë nga koronavirusi dhe e di që ka simptoma, por shpresoj që mos ta kalojë aq lehtë, në mënyrë që ta kuptojë sesi vuajnë dhe vdesin njerëzit. Ta kuptojë sa serioze është sëmundja dhe të fillojë të verë maskën", thotë Carole Bungard, votuese në Viskonsin.

Në Virxhinia, votimi i hershëm në zgjedhjet presidenciale tashmë ka filluar.

“Nga njëra anë, njerëzit mund të ndiejnë keqardhje për të. Nga ana tjetër, njerëzit mund të mendojnë se është ironike pasi ai ka qenë kaq shumë kundër maskave dhe gjithçkaje tjetër”, thotë David Lawatad, votues demokrat në Virxhinia.

Nga ana e tij, ekipi elektoral i presidentit Trump po mbron përpjekjet e tij për të kufizuar ndikimin e pandemisë tek ekonomia.


“Nuk mund të qëndrojmë në bodrum për gjithë jetën. Ne duhet të dalim dhe të jetojmë jetën, të prodhojmë vaksinën, të zhvillojmë më shumë terapi dhe ta mposhtim virusin", thotë Jason Miller, këshilltar i fushatës së presidentit Trump.

Ndërsa fushata e presidentit Trump nukm ka qenë aktive këto ditë, ndërsa ai rikuperohet nga COVID-19, zoti Biden vazhdon të mbajë tubime të distancuara sociale dhe virtuale, ku ai nënvizon seriozitetin e pandemisë.

Me zgjedhjet vetëm disa javë larg, dhe rreth tre milionë vota të hedhura tashmë në votimin e hershëm dhe me postë, presidentit Trump nuk i mbetet shumë hapësirë për të kompensuar kohën e humbur në fushatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG