Lidhje

Zgjedhjet 2020 – Votimi i hershëm tejkalon rekordet


Votimi i hershëm në Virxhinia

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara afrohen zgjedhjet e 3 nëntorit, shumë votues po shfrytëzojnë rregullat e disa shteteve për të hedhur votën më herët, qoftë me postë, ose personalisht në qendrat e votimit. Në Virxhinia, banorët patën shansin të votojnë herët duke filluar me 18 shtator, tregues që pjesmarrja po tejkalon rekordet e mëparshme.

Në një qendër votimi në Virxhinia, pranë kryeqytetit amerikan, votuesit po mbërrijnë herët në mëngjes edhe pse zgjedhjet janë me 3 nëntor. Me kalimin e orëve, radha e votuesve sa vjen e zgjatet. Të gjithë kanë maska dhe po mbajnë distancë fizike ndërsa koha mesatare e pritjes për të votuar është rreth 45 minuta. Aron po shfrytëzon rastin për të votuar më herët në Virxhinia.

“Duket se duhet të presim të paktën një orë ose më shumë. Do të pres sepse demokracia amerikane është në rrezik.”

Helena është një tjetër votuese që po pret në rradhë.

“Nuk e prisja, por radha po lëvizë më shpejt se mendoja. Më duhet të shkoj në punë, por votimi është më i rëndësishëm ndaj do të pres.”

Pjesmarrja deri tani për zgjedhjet e 3 nëntorit është e lartë. Kreu i zgjedhjeve në qarkun Fairfax, Gary Scott thotë se nuk ka parë radhë kaq të gjata në karrierën e tij 24 vjeçare.

“Katër vite më parë, në votimet e hershme me postë, ose në qendrat e votimit patëm 137 mijë vota. Këtë vit kemi dërguar rreth 170 mijë fletë votimi vetëm me postë. Po shohim që ndoshta dy të tretat e votuesve, ose kanë hedhur votën, ose kanë marrë fletën e votimit para zgjedhjeve të 3 nëntorit.”

Sipas ekspertëve, mesatarisht rreth gjysma e votuesve do të votojnë herët. Michael McDonald është me Universitetin e Floridës.

“Parashikoj që rreth 150 milionë njerëz të votojnë dhe gjysma e tyre para ditës së votimit me 3 nëntor. Pra mund të kemi 75 milionë njerëz që votojnë para 3 nëntorit.”

Ndërsa ka interes të madh në garën presidenciale, arsyeja kryesore për këtë valë të votimit të hershëm, thonë ekspertët, është pandemia. Njerëzit druhen nga turmat e mëdha në ditën e votimit, thotë Laura që ka vendosur të marrë pjesë në votimin e hershëm.

“Jam disi e shqetësuar për atë që mund të ndodhë dhe dua të sigurohem që mund të votoj. Dua të bëj ndryshime këtë vit dhe pa dyshim që situata në 2020 është zhgënjyese.”

Për shkak të pandemisë, shumë shtete kanë thjeshtëzuar procedurën e votimit të hershën dhe me postë. Këtë vit çdokush mund të votojë me postë. Gary Scott është drejtor i zgjedhjeve në qarkun Fairfax.

“Kur fillova të merresha me këtë punë, votimi në mungesë ishte shumë i vështirë. Ishte shumë i kufizuar numri i arsyeve për të justifikuar votën në mungesë.”

Nuk ka asnjë mënyrë për të ndryshuar vendimin pas votimit, edhe nëse ke postuar fletën e votimit disa javë para 3 nëntorit. Por kjo gjë nuk po pengon mijëra njerëz. Michael McDonald është me Universitetin e Floridës.

“Jetojmë në një kohë mjaft të polarizuar në Shtetet e Bashkuara dhe shumë njerëz tashmë e kanë vendosur se kë do të mbështesin. Mund të them se mbështetja e shumë njerëzve për një kandidat një vit më parë nuk ka ndryshuar as sot. Njerëzve u është mbushur mendja shumë kohë më parë.”

Sigurisht që ka shumë amerikanë që do të marrin vendimin e tyre me 3 nëntor dhe do të jenë audienca kryesore për parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Megjithatë, asnjëra parti nuk do të dijë rezultatet e votimit të parakohëshëm deri ditën e zgjedhjeve. Wendy Underhill është me Konferencën Kombëtare të Legjislaturave të Shtetit.

“Fletët e votimit të parakohshëm nuk janë numëruar. Askush, madje as zyrtarët e zgjedhjeve nuk do ta dinë para ditës së zgjedhjeve se sa prej atyre votave u hodhën për secilën parti. Mund të thuash se vota është në makinë, por ende nuk është shtypur butoni për numërimin e tyre.”

Çdo shtet ka të drejtë të vendosë për fillimin e votimit të hershëm. Shumica e shteteve hapin qendrat e votimit rreth një javë para ditës së zgjedhjeve dhe pritet që numërimi i votave me postë të vazhdojë për ditë të tëra pas 3 nëntorit.

(Lesia Bakalets, Zëri i Amerikës)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG