Lidhje

OBSH: Shifra rekord, mbi 350,000 raste të reja me koronavirus në ditë


Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi shifra të reja rekord rastesh të reja në shkallë globale. Të premten OBSH njoftoi mbi 350,000 raste të reja të diagnostikuara me koronavirus.

Shifra e re prej 350,766 rastesh kalon rekordin e mëparshëm të kësaj jave me 12,000 raste të reja. Këtu përfshihen më shumë se 190,000 raste të reja vetëm në Evropë.

Në një konferencë për shtyp të premten, shefi i emergjencave të OKB-së, Michael Ryan pohoi se COVID-i vaqzhdon të përhapet në botë dhe se problemi “nuk ka përgjigje të reja”.

Ai tha se agjencia udhëzon që vendet të shmangin masa izolimi që kanë dërrmuar ekonomitë, por të garantojnë se popullata më e rrezikuar të mbrohet.

Ndërkohë që virusi përhapet në Evropë, zoti Ryan pohoi se masat kufizuese mund të jenë të nevojshme në një moment të caktuar. Shkencëtarët britaninë njoftuan këtë javë se rastet po dyfishohen çdo disa javë. Ndërkohë në Francë pothuajse është zënë plotësisht kapaciteti spitalor. Gjermania mund të kërkojë ndihmën e ushtrisë për të përballuar përhapjen dhe Spanja ka deklaruar gjendje emergjence pas rritjes së rasteve në Madrid.

Kina bashkohet me nismën për vaksinimin e botës në zhvillim kundër koronavirusit

Kina njoftoi të premten se do t’i bashkangjitet nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpërndarë vaksina kundër koronavirusit në botën në zhvillim.

Kina së bashku me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara kishin thënë më parë se nuk do të përfshiheshin në këtë nismë që u krijua për të ndihmuar për vaksinimin brenda 2022 të dy të tretave të popullatës së botës.

Me ndryshimin e qëndrimit, Kina bëhet tani vendi më i madh që merr pjesë në nismën e njohur si COVAX.

Më shumë se 36.5 milionë vetë janë infektuar me koronavirus në shkallë globale, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.

Shtetet e Bashkuara, India dhe Brazili kryesojnë me numër të infektuarish dhe viktima nga COVID-19. Ministria e Shëndetësisë në Indi njoftoi 70,000 raste të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar në mbi 1 milion numrin e të infektuarve në këtë vend, ku janë regjistruar mbi 106,000 të vdekur. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 7.6 milionë të infektuar dhe mbi 212,000 të vdekur, ndërsa Brazili ka regjistruar mbi 5 milionë të infektuar, dhe afro 149,000 viktima.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG