Lidhje

Rëndësia e zgjedhjeve amerikane për izraelitët


Izraelitët dhe palestinezët po i ndjekin nga afër zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Për shumë izraelitë, Donald Trumpi është presidenti amerikan më pro-izraelit në histori. Disa të tjerë në shtetin hebraik, janë të shqetësuar se një fitore e Joe Biden-it mund të sjellë ndryshim në politikën e jashtme amerikane - një ndryshim që palestinezët do ta mirëprisnin.

Shumë izraelitë falenderojnë Presidentin Trump për zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi Lartësitë Golan dhe për ndërmjetësimin e marrëveshjeve të fundit mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit.

Shumë prej tyre, veçanërisht në spektrin e djathtë, shpresojnë për rizgjedhjen e tij.

“Në se zgjidhet Trumpi, mendoj se një nga çështjet që mund të shohim të përparojë është një marrëveshje mbrojtje me Izraelin. Pati shumë diskutime për këtë gjatë mandatit të parë. Mendoj gjithashtu se Presidenti Trump do të vazhdojë të nxisë forcimin e lidhjeve mes Izraelit dhe botës arabe dhe myslimane, ashtu siç e pamë me Emiratet dhe Bahreinin”, thotë Yonatan Freeman, analist politik.

Nga ana tjetër, palestinezët dhe shumë izraelitë të majtë, thonë se ka ardhur koha që presidenti Trump të largohet.

"Si palestinez dhe thellësisht i përfshirë në atë që po ndodh këtu dhe në atë që Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Trumpit kanë bërë gjatë katër viteve të fundit, dua të shoh ndryshime. Dhe jo se kam shumë shpresë se nëse zgjidhet Biden-i gjërat do të ndryshojnë dhe Shtetet e Bashkuara do të vendosen në rrugën e duhur, por mendoj se dëmi do të ndalet”, thotë Sam Bahour, një afarist palestinezo-amerikan.

Shumë izraelitë, përfshi kryeministrin Benjamin Netanyahu, kundërshtuan fuqimisht marrëveshjen bërthamore me Iranin të negociuar nga presidenti amerikan Barack Obama.

Ata përshëndetën tërheqjen e administratës Trump nga ajo marrëveshje dhe janë të shqetësuar se Joe Biden-i mund t’i bëjë përsëri Shtetet e Bashkuara pjesë të marrëveshjes.

Si nënpresident gjatë administratës së Presidentit Obamës, ai është i lidhur me marrëveshjen e Iranit dhe politika të tjera amerikane të Lindjes së Mesme, që disa i vlerësojnë si armiqësore ndaj Izraelit.

“Qeveria izraelite, kryeministri në veçanti dhe publiku izraelit, janë shumë të shqetësuar nga një fitore e Biden-it, për dy arsye. Njëra është shërbimi i tij në administratën Obama. Qeveria izraelite dhe shumica e izraelitëve e konsiderojnë si katastrofë qasjen dhe politikat e Obamës ndaj Iranit, konfliktit palestinezo-izraelit dhe çështje të tjera", thotë Eytan Gilboa profesor i shkencave politike në Universitetin Bar Ilan.

Por analistë të tjerë pohojnë se si administratat demokrate edhe ato republikane kanë qenë përgjithësisht mbështetëse ndaj Izraelit. Ata thonë se një fitore e Biden-it mund të çojë në rifillimin e procesit të dështuar të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve, i cili do të ishte në interesin e të dyja palëve.

“Një fitore e Joe Biden-it dhe partisë demokrate, do të thotë me siguri një kthim në procesin e paqes që përfshin të dyja palët, dhe jo një palë dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk mendoj se do të shohim një përsëritje të "Marrëveshjes së Shekullit" që Presidenti Trump dhe administrata e tij filluan", thotë Hadas Cohen, profesore e shkencave politike në Universitetin Bar Ilan.

Megjithë rëndësinë që ka rezultati i zgjedhjeve amerikane, izraelitët janë të përqëndruar në atë që e shohin si korrupsion të qeverisë së tyre dhe dështim të menaxhimit të krizës së COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG