Lidhje

Greqi, gjyqi ndaj “Agimit të Artë”, prokuroria kërkon dënime afatgjata


Prokurorja greke Adamantia Ikonomu kërkoi të martën 13 vite burg për 7 drejtuesit e lartë të partisë neonaziste “Agimi i Artë”, të akuzuar se drejtojnë një organizate kriminale.

Në Gjyqin ndaj “Agimit të Artë’ që po mbahet në Athinë, prokurorja greke kërkoi burgim të përjetshëm për Jorgo Rupakias i akuzuar për vrasjen e aktivistit antifashist grek, Pavlos Fyssas dhe dënimin me nga 6 deri në 8 vite burg për 13 të akuzuar të tjerë si bashkëpunëtor në vrasje.

Ajo kërkoi gjithashtu dënimin me shtatë vite burg për ish-deputetët e akuzuar për pjesëmarrje në organizatën kriminale, ndërsa për 4 ish-deputetë për të cilët u morën parasysh rrethana lehtësuese, u kërkua dënimi i tyre me pesë vite burg.

Prokurorja greke kërkoi dënime me burg me nga 7 në 10 vite nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë në rastin e sulmit ndaj peshkatarëve egjiptianë dhe 10 muaj burg për të akuzuarit per krimin e dëmtimeve trupore për secilin nga tre sindikalistët e “PAME”.

Javën e kaluar gjykata greke shpalli fajtor shtatë drejtues të partisë së ekstremit të djathtë “Agimi i Artë” si “përgjegjës për drejtimin e një organizate kriminale” dhe për 11 ish-deputetë të tjerë të parlamentit “për pjesëmarrje në një organizatë kriminale”.Mes anëtarëve të këshillit politik të “Agimit të Artë”, është udhëheqësi i tij Nikos Michaloliakos.

Partia “Agimi i Artë” u themelua në vitin 1980 si një organizatë neo-naziste dhe gjatë krizës financiare arriti të bëhej forca e tretë politike në Greqi. Megjithatë ajo nuk arriti të fitojë asnjë vend në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, të cilat u fituam me një rezultat dërrmues nga partia konservatore Demokracia e Re.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG