Lidhje

Barrett nuk u përgjigjet pyetjeve mbi vendimet që mund të marrë nëse bëhet anëtare e Gjykatës së Lartë


USA, Washington, U.S. Supreme Court nominee Judge Amy Coney Barrett participates in the second day of her confirmation hearing

Të martën, e emëruara e Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë Amy Coney Barrett nuk pranoi t'u përgjigjet një sërë pyetjesh të senatorëve se çfarë vendimi do të merrte mbi mosmarrëveshje të ndryshme ligjore me të cilat mund të përballet në rast konfirmimi. Megjithatë zonja Barrett tha se ajo nuk do të lejonte që pikëpamjet e saj personale e fetare, të përcaktonin vendimet e saj.

"Unë nuk kam axhendë", tha zonja Barrett gjatë ditës së dytë të seancës dëgjimore në Komisioni Juridik të Senatit mbi emërimin e saj për një mandat të përjetshëm në gjykatën prej nëntë anëtarësh. "Do të zbatoj ligjin", tha më tej ajo.

Në pyetjet e fillimit drejtuar nga dy republikanë, kryetari i komisionit senatori Lindsey Graham dhe senatori Chuck Grassley si dhe dy demokratë, senatorja Dianne Feinstein si dhe senatori Patrick Leahy, zonja Barret nuk pranoi të thoshte se çfarë qëndrimi do të mbante lidhur me një vendim të gjykatës të vitit 1973 mbi legalizimin e aborteve, të drejtën e pronësisë mbi armët që garantohet nga Kushtetuta amerikane dhe mbi një çështje të cilën gjykata do ta marrë në shqyrtim muajin tjetër që lidhet me fatin e ligjit të kujdesit shëndetësor.

U.S. Supreme Court nominee Judge Amy Coney Barrett reacts as she sits in front of her children and her husband Jesse Barrett during the second day of her confirmation hearing before the Senate Judiciary Committee on Capitol Hill in Washington, D.C.
U.S. Supreme Court nominee Judge Amy Coney Barrett reacts as she sits in front of her children and her husband Jesse Barrett during the second day of her confirmation hearing before the Senate Judiciary Committee on Capitol Hill in Washington, D.C.

Senatorët e pyetën zonjën Barret nëse në rast konfirmimi do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga shqyrtimi i një mosmarrëveshjeje të mundshme ligjore lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit. Pyetje së cilës zonja Barret nuk pranoi t’i përgjigjet.

Presidenti Trump po përpiqet të fitojë një mandat të dytë katër-vjeçar përballë ish-nënpresidentit demokrat Joe Biden. Ai ka kritikuar votimin masiv me postë dhe ka thënë se dëshiron që gjykata të ndihmojë për të vendosur mbi rezultatin e zgjedhjeve. Presidenti i cili renditet pas zotit Biden në sondazhet kombëtare, thotë se ai dëshiron që zonja Barrett të konfirmohet për të shmangur një bllokim të mundshëm të një vendimi mbi çështjen e zgjedhjeve në 4 me 4, për shkak të vendit bosh të krijuar në gjykatë.

Zonja Barrett tha se ajo nuk ka zhvilluar asnjë bisedë me Presidentin Trump apo stafin e tij mbi atë se cili do ishte vendimi i saj lidhur me një mosmarrëveshje zgjedhore. Ajo tha se zhvillimi i një bisede të tillë do të kishte qenë joetik për të si një gjykatëse federale e apelit.

48-vjeçarja Barrett pritet t'i japë gjykatës një shumicë të fortë konservatore 6 me 3 në dekadat që vijnë. Ajo shpesh i është referuaranëtarit të ndjerë të Gjykatës së Lartë Antonin Scalia, për të cilin ka punuar si nënpunëse ligjore dy dekada më parë, si udhëheqësin e saj filozofik, për shkak të interpretimit të tij të rreptë të Kushtetutës amerikane sikurse është shkruar dy shekuj më parë dhe duke shmangur interpretimin e saj bazuar në zhvillimet aktuale.

Por zonja Barrett tha se nëse konfirmohet si gruaja e pestë që do të shërbejë në këtë gjykatë: "ju do të keni një gjykatëse Barrett dhe jo një gjykatës Scalia", siç tha ajo.

Nëse konfirmohet, zonja Barrett do të zëvendësojë gjykatësen e ndjerë Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq muajin e kaluar në moshën 87 vjeçare. Kritikët demokratë druhen se zonja Barrett do të votojë për të zhbërë shumë nga reformat e mbështetura nga zonja Ginsburg, përfshirë të drejtën e abortit dhe të drejtën e homoseksualëve për t'u martuar e për t'u trajtuar në mënyrë të barabartë në shoqërinë amerikane.

Senatori Graham e quajti zgjedhjen e zonjës Barrett "një nga zgjedhjet më të shkëlqyera që Presidenti Trump mund të bënte". Ai parashikoi të hënën se të 12 republikanët e komisionit do të votojnë të gjithë në favor të emërimit të saj ndërsa të 10 demokratët kundër. Udhëheqësit republikanë thonë se kanë mjaftueshëm vota në Senat për konfirmimin e saj.

Zonja Barrett siguroi zotin Graham se pavarësisht se familja e saj zotëronte armë, ajo do të gjykonte dhe vendoste me drejtësi "mbi një rast të tillë" duke kërkuar kufizime më të rrepta lidhur me pronësinë mbi armët që garantohet nga amendamenti i dytë i Kushtetutës. Në mënyrë të ngjashme, zonja Barrett tha si gjyqtare e gjykatës së apelit ajo e kishte lënë mënjanë besimin e saj si katolike e devotshme duke marrë vendime sipas ligjit amerikan dhe se do ta bënte këtë sërish edhe në Gjykatën e Lartë. Por ajo nuk bëri asnjë premtim se çfarë vendimi do të merrte në në rastin e abortin, të cilin Kisha Katolike e kundërshton.

Ajo tha se precedenti i Gjykatës së Lartë nga vendimet e shumë kohëve më parë "supozon kontrollin", dhe se disa vendime bien në kategorinë "super precedentit", të tilla si një vendimin i vitit 1954 që ndalon ndarjen brenda shkollave për arsye racore si trajtim i pabarabartë i afrikano-amerikanëve dhe antikushtetues. (super precedenti i referohet atyre vendimeve të cilat konsiderohen imune ndaj shfuqizimit).

Gjykatësi Scalia e ka kundërshtuar të drejtën e abortit, por zonja Barrett nuk pranoi të thotë nëse edhe ajo gjithashtu mendon se vendimi për ta shpallur abortin të ligjshëm, ishte i gabuar.

"Do të ishte e gabuar për mua si gjykatëse ta thosha një gjë të tillë", i tha zonja Barret senatores Feinsteinit. “Unë duhet të vendos kur çështjet të paraqiten para meje. Në asnjë mënyrë nuk mund të angazhohem paraprakisht për të gjykuar një çështje. Do të zbatoj ligjin”, tha ajo.

Zonja Berret tha se edhe pse gjykata ka vendosur që amerikanët të gëzojnë të drejtën e armëmbajtjes, vendimi "lë hapësirë për rregullore mbi armët. Premtoj se do ta trajtoj këtë çështje me mendje të hapur. Çdo çështje duhet të vendoset nga faktet e paraqitura mbi të”.

Nesër pritet të zhvillohet një raund tjetër pyetjesh ndaj zonjës Barret. Zoti Graham ka caktuar një votim fillestar të enjten mbi emërimin e saj.

Kjo do të mundësojë miratimin përfundimtar të saj javën e ardhshme dhe një votim nga Senati me shumicë republikane para fundit të muajit, vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Seanca e parë dëgjimore në Komisionin Juridik të Senatit

Me mbërritjen e saj Kongres, i cili u mbyll javën e kaluar në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, zonja Barrett shpjegoi përpara Komisionit Juridik të Senatit filozofinë e saj ligjore.

Gjykatat nuk janë krijuar për të zgjidhur çdo problem, ose për të korrigjuar çdo gabim të jetës sonë publike. Miratimi i vendimeve dhe politikave qeverisëse u takon institucioneve politike të zgjedhura nga populli e që japin llogari përpara tij. Publiku nuk duhet të presë që gjykatat të miratojnë politika qeverisëse dhe ato nuk duhet ta bëjnë këtë”, tha Amy Coney Barrett, e emëruara për në Gjykatën e Lartë.

Mundësitë që udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell të dështojë për të mbushur vendin bosh të krijuar nga vdekja e gjykatëses Ruth Bader Ginsburg muajin e kaluar dhe për të konfirmuar të emëruarën e Presidentit Donald Trump para zgjedhjeve të 3 nëntorit, janë të vogla. Kandidatja demokrate për nënpresidente, anëtare e Komisionit Juridik të Senatit, tha se procesi nuk respekton vullnetin e votuesve amerikanë.

"Një shumicë e qartë e amerikanëve dëshiron që vendin bosh ta plotësojë fituesi i zgjedhjeve", tha senatorja denokrate Kamala Harris.

Por Senati po bën përpara me procesin edhe pse disa anëtarë republikanë të komisionit rezultuan të infektuar me COVID-19, dhjetë ditë më parë.

Nuk ka asgjë antikushtetuese lidhur me këtë proces. Ky është një vend bosh i krijuar nga humbja tragjike e një gruaje të shkëlqyer. Dhe ne do ta plotësojmë atë me një grua tjetër të shkëlqyer”, tha Lindsey Graham, kryetar i komisionit Juridik të Senatit.

Demokratët thonë se zoti Trump po nxiton me konfirmimin e zonjën Barrett për dy arsye.

Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ai dëshiron një tjetër të emëruar nga ai vetë në Gjykatën e Lartë para zgjedhjeve, sepse ai ka paralajmëruar mbi sfidat që do të paraqiten në gjykata rreth procesit të votimit, veçanërisht mbi votimin me postë, të cilën ai e ka sulmuar vazhdimisht pa dhënë prova. Presidenti Trump ka treguar se do të ishte krejtësisht i lumtur që të kishte një rezultat të ngushtë në votime e që gara të vendosej nga shumica konservatore gjashtë me tre në Gjykatën e Lartë dhe jo nga vota e popullit amerikan”, tha senatori demokrat Dick Durbin.

Ndërkohë vetëm një javë pas ditës së zgjedhjeve, Gjykata e Lartë do të trajtojë një çështje të rëndësishme atë që lidhet me ligjin mbi kujdesin shëndetësor të miratuar nga administrata e Presidentit Obama.

"Administrata Trump do të argumentojë se ky ligj është antikushtetues dhe në fakt do të kërkojë shfuqizimin e ligjit që garanton sigurim shëndetësor për miliona amerikanë, si antikushtetues. Pra, gjykatësja Barrett do të jetë një nga faktorët vendimtarë në këtë çështje madhore”, thotë Kejsi Burgat nga universiteti George Washington.

Demokratët planifikojnë të përqendrohen në kritikat e tyre gjatë seancat të konfirmimit tek vota mundshme përcaktuese e zonjës Barrett kundër ligjit për kujdesin shëndetësor.

"Garantimi i sigurimit shëndetësor për miliona amerikanë është në rrezik me këtë emërim", tha senatorja demokrate Dianne Feinstein.

Senatorët demokratë pritet të ndryshojnë taktikë pas paralajmërimeve të republikanëve dhe të mos ngrejnë si çështje gjatë konfirmimit besimin si katolike e devotshme të nënës së shtatë fëmijëve.

Kemi lexuar histori rreth stilit tuaj të jetës si katolike. Rrëfime se si i rrisni fëmijët, rreth asaj se si i keni birësuar ata apo rreth doktrinës katolike ku ju besoni. Pyetje pa pushim nëse gëzoni pavarësinë për të qenë një gjykatëse, një anëtare e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara", tha senatori republikan Josh Hawley.

Kandidati demokrat për President Joe Biden, i cili është gjithashtu katolik, tha se zonja Barrett nuk duhet të përballet me pyetje lidhur me fenë e saj.

"Jo, besimi i saj nuk duhet të merret parasysh", tha zoti Biden.

Komisioni Juridik i Senatit ka gjasa ta miratojë emrin e zonjës Barrett deri më 22 tetor, duke krijuar mundësinë e një votimi në Senat një javë para ditës së zgjedhjeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG