Lidhje

Rreth 39 milionë të prekur nga koronavirusi në të gjithë botën


Hemisfera Veriore po përballet me një rritje të parashikuar të rasteve me COVID-19 ndërsa po afrohet moti i ftohtë. Në botë infeksionet e reja janë rritur në 330,000 në ditë dhe rritja më shqetësuese po vihet re në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Të enjten SHBA regjistroi më shumë se 64,000 raste të reja me COVID-19, shifra më e lartë ditore që nga muaji korrik. Drejtori për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se në kontinent 1.000 persona në ditë po vdesin nga COVID-19 dhe se gjatë dhjetë ditëve të fundit janë diagnostikuar më shumë se një milion raste të reja me koronavirus.

Hans Kluge tha se ndikimi i sëmundjes këtë dimër mund të minimizohet në Evropë nëse vendosja e maskave rritet nga 60 për qind aktualisht në 95 për qind si dhe nëse distancimi fizik do të respektohej me përpikmëri.

Eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA u sugjeroi amerikanëve që t’i rimendojnë planet për ditën e Falënderimeve në fund të nëntorit, kur tradicionalisht shumë njerëz udhëtojnë duke përdor qendra të tej mbushura transporti, si stacionet e autobusëve, trenave, apo aeroportet, për t'u mbledhur me familjet e tyre.

Gjatë një interviste për rrjetin televiziv ABC News zoti Fauci sugjeroi që amerikanët t’i shtyjnë planet e tyre për më vonë e të presin derisa pandemia të vendoset nën kontroll.

"Duhet të jemi vërtet të kujdesshëm këtë herë dhe çdo familje të vlerësojë përfitimet dhe rrisqet", shtoi zoti Fauci.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG