Lidhje

SHBA, sfidat e miratimit të një pakete ndihme para zgjedhjeve


FILE - U.S. House Speaker Nancy Pelosi departs a news conference on Capitol Hill in Washington, Oct. 8, 2020.

Ligjvënësit amerikanë janë në garë me kohën për të miratuar një paketë të dytë masive të ndihmave për të trajtuar krizën ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuara nga koronavirusi.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi do të flasë me Sekretarin e Thesarit Steve Mnuchin të hënën përpara një afati 48 orësh që ajo vendosi për të arritur një marrëveshje përpara ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor.

Nëse Shtëpia e Bardhë dhe Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët nuk mund të arrijnë një marrëveshje deri të martën, mundësia tjetër për negociata mbi një paketë tjetër ndihmash mbetet nëntori dhe dhjetori.

Në një letër drejtuar anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të dielën, zonja Pelosi shprehu optimizëm rreth shanseve për të arritur një marrëveshje. Por ajo gjithashtu i tha emisionit "This Week Sunday" të kanalit ABC se administrata e Presidentit Trump kishte hequr elemente kryesore nga legjislacioni që përcaktonte strategjitë e testimit dhe gjurmimit të të infektuarve me Covid-19.

"Pra, për këtë temë ende nuk kemi marrëveshje për gjuhën e paketës. Por unë shpresoj se do të arrijmë marrëvesheshje”, tha zonja Pelosi.

Ligjvënësit amerikanë kanë dështuar në mënyrë të përsëritur për të arritur një marrëveshje mbi një raund të dytë ndihmash ekonomike për miliona amerikanë të ndikuar nga pandemia. Në shtator, republikanët e senatit dështuan të miratonin një projekt-paketë më të vogël prej 500 miliardë dollarë. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi Aktin e Heronjve prej 2.2 trilionë dollarësh në qershor dhe deri më tani ka hedhur poshtë ofertën e administratës prej 1.8 trilionë dollarësh për një raund të ri ndihmash.

Udhëheqësi i shumicës në senat, republikani Mitch McConnell njoftoi se Senati do të votojë të mërkurën për një propozim tjetër prej 500 miliardë dollarësh. Ky projektligj do të siguronte fonde për një raund të ri të përfitimeve të papunësisë dhe Programin popullor të Mbrojtjes së Pagës (PPP).

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi fundin e negociatave për një raund të ri të ndihmash në fillim të këtij muaji përpara se të ndryshonte mendimin përmes një postimi në Twitter ku thuhej "Miratoni një paketë masive ose shkoni në shtëpi!" Mbështetja e tij për një numër më të lartë i afrohet kërkesës së demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët kërkojnë afër 2 trilionë dollar ndihma dhe ka shkaktuar shqetësime në mesin e shumë republikanëve të Senatit.

Akti i Kujdesit prej 2 trilionë dollarësh, i miratuar me mbështetje dypartiake në mars, ishte një nga paketat më të mëdha të ndihmave në historinë e Shteteve të Bashkuara, duke siguruar 600 dollarë në përfitime javore të papunësisë për miliona amerikanë pa punë. Asistenca javore skadoi më 31 korrik.

Ekonomia amerikane po tregon disa shenja të rimëkëmbjes nga mbyllja në fillim të këtij viti për të frenuar përhapjen e virusit. Më shumë se 11.4 milionë vende punë janë rikuperuar dhe ka shenja të rritjes së punësimeve në industritë e goditura rëndë, si ajo e turizmit.

Aplikimet e reja për përfitimet e papunësisë u rritën javën e kaluar, duke arritur në më shumë se 890,000, niveli më i lartë që nga mesi i gushtit, megjithëse numri i kërkesave për vazhdimin e tyre ka rënë 10 milionë.

Shtetet e Bashkuara kryesojnë listën e vendeve të botës për nga numri i viktimave të shkaktuara nga Covid-19, me 219,000 të vdekursi dhe për nga numri i infeksioneve, që ka arritur në mbi 8 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG