Lidhje

Vandalizohen vepra arti në tre muzeume gjermane


Zyrtarët gjermanë të policisë dhe muzeumeve njoftuan të mërkurën se vandalët kanë dëmtuar më shumë se 70 vepra arti dhe objekte në disa nga muzetë më të njohur të Berlinit.

Sulmet ishin mbajtur në heshtje nga autoritetet për më shumë se dy javë.

Christina Haak, nëndrejtore e muzeumeve shtetërore të Berlinit, u tha gazetarëve se të paktën 63 punime në Muzeun Pergamon, Alte Nationalgalerie dhe Muzeun Neues ishin spërkatur me një lëndë që ajo e përshkroi si një lëng vajor që linte njolla. Ajo tha se nuk kishte asnjë lidhje tematike midis punëve që ishin vënë në shënjestër dhe "nuk vihet re ndonjë emërues i përbashkët" në qasjen e autorit të krimit.

Muzeumet janë të gjitha pjesë e kompleksit Museum Island, një objekt i trashëgimisë botërore të UNESCO-s në zemër të kryeqytetit të Gjermanisë që është një nga pikat kryesore turistike të qytetit.

Policia tha se fillimisht vendosi të mos fliste publikisht për incidentin nga "konsideratat taktike lidhur me hetimin". Media lokale në Berlin e dha lajmin të martën vonë. Të mërkurën, policia u kërkoi dëshmitarëve të paraqiteshin me çdo informacion për njerëz ose aktivitete të dyshimta që mund të kishin vënë re më 3 tetor.

Mediat gjermane kanë vënë në dukje se Muzeu Pergamon muajt e fundit ka qenë në shënjestër të teorive të konspiracionit. Attila Hildmann, një aktiviste që ka sulmuar masat qeveritare për të frenuar koronavirusin, ka përhapur teori konspirative rreth Museum Island.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG