Lidhje

Ndikimi i politikës së jashtme tek votuesit amerikanë


Çështjet e politikës së jashtme nuk kanë zënë një vend shumë të rëndësishëm gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, e cila kryesisht është përqendruar tek pandemia e koronavirusit dhe recesioni ekonomik që rezultoi prej saj. Megjithatë, qëndrimet e ashpra të Presidentit Trump ndaj Kinës dhe Kubës mund ta ndihmojnë atë në shtetet fushëbetejë që i nevojiten për të fituar zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ndikimi i politikës së jashtme tek votuesit amerikanë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Gjatë debatit përfundimtar të enjten, kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare u adresuan vetëm shkurtimisht. Kur u pyet mbi përpjekjet e vazhdueshme të Koresë së Veriut për të prodhuar armë bërthamore, Presidenti Donald Trump mbrojti komunikimin e tij diplomatik me udhëheqësin Kim Jong Un.

“Nuk jemi në luftë me Korenë e Veriut dhe kemi marrëdhënie të mira. Njerëzit nuk e kuptojnë. Të kesh marrëdhënie të mira me udhëheqësit e vendeve të tjera është gjë e mirë.”

Kandidati demokrat Joe Biden e kritikoi qasjen e njëanshme të politikës së jashtme, për të cilën tha se ka dështuar të frenojë kundërshtarët e Amerikës.

“Ai ka legjitimizuar Korenë e Veriut. Ai ka folur për mikun e tij të mirë, i cili është një bandit. Dhe thotë se si jemi më mirë. Ata kanë raketa më të afta, të afta për të arritur territortin amerikan më lehtë se kurrë më parë.”

Administrata e Presidentit Trump ka përmendur rinisjen e bisedimeve bërthamore me Korenë e Veriut mes arritjeve të saj në politikën e jashtme. Po ashtu ndërmjetësimin e përmirësimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe disa prej fqinjëve të tij, negocimin e një marrëveshje paqeje me Talebanët në Afganistan, mposhtjen e ISIS në Siri, tërheqjen e trupave amerikane nga konfliktet e huaja si dhe bindjen e aleatëve që të paguajnë një pjesë më të madhe të kostos për dislokimin e trupave amerikane jashtë vendit.

Demokrati Biden fajëson zotin Trump se ka lejuar Iranin, Rusinë dhe Kinën që të zgjerojnë fuqinë dhe ndikimin e tyre ndërsa Amerika tëhiqet nga roli i udhëheqësit global. Dhe në veçanti ai dënoncoi rivalin e tij për refuzimin e përballjes me udhëheqësin rus Vladimir Putin lidhur me raportet se Rusia kishte paguar talebanët për vrasjen e ushtarëve amerikanë.

Përveçse në kohë lufte, politika e jashtme nuk luan një rol të madh në zgjedhjet amerikane.

Por këtë vit, kufizimet e ashpra tregtare të vendosura nga zoti Trump ndaj Kubës komuniste dhe përpjekjet për rrëzuar udhëheqësin socialist të Venezuelës Nicolas Maduro, mund të rrisin mbështetjen për të mes kubano-amerikanëve në Florida. Mark Jones është profesor në Universitetin Rice.

“Qëndrimi i zotit Trump kundër Kastros, dhe pro demokracisë në Venezuelë po e ndihmon me një segment të vogël të elektroratit.”

Nuk është e qartë nëse mbështetja e fortë e zotit Trump për Izraelin mund të tërheqë për vete mbështetjen që ka zoti Biden nga komuniteti izraelit në Florida, të cilët votuan në shumicë dërmuese për zonjën Hillary Clinton në vitin 2016.

Tarifat e presidentit ndaj Kinës për tregti të padrejtë po ashtu mund të rrisin mbështetjen mes votuesve në shtetet industriale si Miçigani dhe Pensilvania. Zoti Trump i fitoi këto shtete kryesore të pavendosura në vitin 2016 dhe këtë vit ato përsëri mund të përcaktojnë fituesin në këtë garë të ngushtë presidenciale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG