Lidhje

Maqedoni e Veriut, 22 të vdekur nga koronavirusi brenda një dite


Në Maqedoninë e Veriut 22 persona humbën jetën si pasojë e koronavirusit, brenda një dite të vetme. Gjendja po përkeqësohet nga dita në ditë për shkak të mos respektimit në tërësi të masave dhe protokolleve të vendosura nga autoritetet. Brenda 24 orëve të fundit u regjistruan 561 raste të reja me COVID-19 nga 1901 testime të kryera nga e shtuna deri të dielën.

Situata në Maqedoninë e Veriut paraqitet mjaft e keqe për nga shifrat e viktimave dhe të të prekurve nga virusi vdekjeprurës. Që nga shpërthimi i pandemisë deri tani kanë humbur jetën 919 persona; janë regjistruar 26954 të infektuar, prej të cilave 7408 mbeten aktive, ndërsa 18627 rezultojnë të shëruar.

Viktimat e ditës së fundit janë të moshës nga 55 në 88 vjeç. 7 prej tyre janë nga Shkupi, 2 nga Dibra, 2 nga Gostivari, 2 nga Manastiri, 2 nga Velesi, 2 nga Kriva Pallanka dhe nga 1 në Strugë, Kumanovë, Koçanë dhe Dellçevë. Vetëm dy prej tyre humbën jetën jashtë spitalit.

Spitalet që trajtojnë pacientët me koronavirus pothuaj se janë të mbushura. Rastet më të rënda nga i gjithë vendi dërgohen në tre spitale të Shkupit.

Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për respektimin e masave, që janë mbajtja e maskave, ruajtjes së distancës fizike dhe higjienës personale. Parlamenti pritet të marrë vendim për të imponuar një sërë masash të reja kufizuese. Autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e vendosjes së orës policore nëse gjendja vazhdon të përkeqësohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG