Lidhje

Kodi Zgjedhor, Komisioni Venecias: Opinioni ynë në dhjetor


Komisioni i Venecias njoftoi të martën se ka vendosur të jap vlerësimin e tij lidhur me ndryshimet e fundit të Kodit zgjedhor të bërëa nga parlamenti shqiptar në dritën e ndërhyrjeve kushtetuese të 30 korrikut, lidhur me zbatimin e një sistemi me lista të hapura.

Në përgjigje të kërkesës që Presidenti Ilir Meta i drejtoi Komisionit, drejtuesi i këtij institucioni, Gianni Buquicchio bëri të ditur se “në dritën e kohës së shkurtër para seancës së ardhshme plenare dhe të ndërlikueshmërisë së çështjes, Byroja e Komisionit ka vendosur të mos autorizojë procedurën urgjente”, duke shpjeguar se “opinioni do të përgatitet sipas procedurës së zakonshme dhe do t'i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor”. Në mbyllje të letrës, zoti Buquicchio vë në dukje se “sipas praktikës sonë, ky mendim në parim do të hartohet së bashku me ODIHR-in”.

Pergjigja e Komisionit te Venecias
Pergjigja e Komisionit te Venecias

Kërkesa e zotit Meta u shoqërua me debate, kryesisht rreth faktit nëse do të duhej të pritej opinion I Venecias, përpara se parlamenti të rivotonte ndryshimet në Kod, pas dekretit të Kreut të shtetit për t’ja kthyer atë pas deputetëve.

Shumica rikonfirmoi të martën vendosmërinë e saj për të miratuar ndryshimet. Presidenti Meta i bëri sërish thirrje parlamentit që të priste mendimin e Venecias. Por Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin e tij, ndërsa vetëm dy përfaqësues të opozitës parlamentare votuan kundër, duke mbështetur idenë që rivotimi të bëhej pasi të shprehej Komisioni i Venecias.

Ashtu si dhe një ditë më parë, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Harvelyi ripërsëriti gjithashtu qëndrimin se do të ishte e udhës që parlamenti të vepronte pasi të kishte një vlerësim nga ekspertët e Venecias. “I kënaqur që Kryeministri mirëpret mendimin e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese të korrikut. Prandaj do të ishte e matur të presim që të shprehet, para se të rivotohet në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruajti komisioneri europian në një postim në Twitter.

Twitter i Komisionerit Oliver Harvelyi
Twitter i Komisionerit Oliver Harvelyi

Por kryeministri Edi Rama, i qëndroi mendimit se koha nuk pret, ndërsa shpjegoi se kishte patur një komunikim të drejtpërdrejtë me zotin Harvelyi. “Unë e kam sqaruar Komisionerin në bisedat që kemi patur, si gjithmonë biseda të drejtpërdrejta, miqësore, pa dorashka, që parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë për arsye se ne kemi zgjedhjet në 25 prill dhe nuk ka asnjë mundësi të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta, i cili nuk ka qëllim të përmirësojë Kodin Zgjedhor, por të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist antishumicë dhe antiparlament, këtë proces”, tha zoti Rama duke shtuar se lëvizjet e presidentit janë një “përpjekje që është tanimë një përpjeke botërisht e identifikuar si përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe e një lideri absolut të një partie të degraduar”.

Për zotin Rama “Komisioni i Venecias është patjetër i mirëpritur të sjellë kur të pjekë, opinionin e vet. Ai opinion do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe natyrisht, duke patur parasysh kohën që kemi në dispozicion, do të mbetet për të adresuar çfarëdolloj çështjeje që mund të dalë përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk mund të hyjmë në asnjë aventurë, po e përsëris, sepse strukturat e reja të administrimit zgjedhor që kanë nisur punën, kanë nevojë të kenë të shkruar të zezë mbi të bardhë ligjin zgjedhor dhe implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet”.

Ndaj qëndrimit të Kryeministrit reagoi menjëherë Partia Demokratike. “Këmbëngulja arrogante e Edi Ramës në injorimin e apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi nxjerr zbuluar Kryeministrin autokrat që, për hallin e pushtetit të tij, është gati t’i shpallë luftë Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë! Reforma Zgjedhore dhe zgjedhjet demokratike janë kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Duke mos dëgjuar këshillën për të pritur Opinionin e Komisionit të Venecias, Edi Rama po tenton të marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe të hedhë në erë zgjedhjet e radhës”, shkruajti në Facebook Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi.

Më vonë dhe presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, falenderoi “miqtë e vërtetë të Shqipërisë, që duan çeljen sa më parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe nuk duan të na ndajnë nga Maqedonia e Veriut, për durimin e tyre dhe këshillat e sinqerta. Shpresoj shumë që ato të dëgjohen me mençuri deri të enjten. Por i siguroj miqtë tanë të sinqertë ndërkombëtarë se kohës së injorimit të kushteve dhe standardeve për integrimin do t’i vijë fundi, në çdo rast, në 25 prill 2021. Pas kësaj date të gjitha kushtet do plotësohen rrufeshëm, me qëllim që Shqipërinë europiane ta ndërtojmë këtu dhe së bashku! Në 25 prill 2021, do fillojë epoka e re e sundimit të ligjit, që do të sjellë edhe sundimin e ligjit në Shqipëri”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG