Lidhje

Zgjedhjet 2020 - Platformat sociale u përgjigjen shqetësime të ligjvënësve


Krerët e kompanive më të mëdha teknologjike amerikane u bënë thirrje ligjvënësve të mërkurën të mbajnë të paprekura masat për kontrollin e përmbajtjes që postohet në këto platforma, megjithë thirrjet e republikanëve për të ndrequr atë që e cilësojnë si qëndrim të njëanshëm të kompanive të medias sociale ndaj postimeve.

Kompanitë e medias sociale mbrohen nga përgjegjësia për materiale që postohen në faqet e tyre në bazë të klauzolës 230 të Ligjit për Komunikim Civil të vitit 1996.

Por disa republikanë argumentojnë se ky përjashtim për kompani si Facebook dhe Twitter u lejon atyre të censurojnë materiale bazuar në pikëpamje të caktuara politike dhe të përdorin fuqinë e tyre të konsiderueshme për të ndikuar tek debati publik.

Presidenti Trump ka bërë thirrje për eliminimin e mbrojtjeve që ofron klauzola 230, duke thënë në një postim në Twitter të mërkurën se, “SHBA nuk kanë Liri të Shtypit, por shtypjen e lajmit, ose thjesht Lajme të Rreme. Gjatë këtyre dy javëve kemi mësuar kaq shumë se sa e korruptuar është Media dhe se Kompanitë e Mëdha Teknologjike mund të jenë edhe më të këqija. Hiqni Klauzolën 230!”.

Në thelb të këtij debati është pyetja nëse një platformë e medias sociale mund të ndërhyjë për të kufizuar ose bllokuar informacionin, siç bën një komani publikimi dhe gjithashtu pyetja nëse Facebooku, Google dhe Twitteri janë kthyer në monopole.

“Kompanitë po bllokojnë në mënyrë aktive artikuj nga platformat e tyre dhe fshihen pas klauzolës 230 kur bëjnë veprime të tilla. A ka vend për t’u çuditur që zëra me pikëpamje të djathta ankohen për hipokrizi, apo edhe më keq?” tha të mërkurën Kryetari i Komisionit të Senatit për Tregtinë, Rooger Wicker.

Klauzola 230 ka tërhequr vëmendje të shtuar në këtë cikël zgjedhor pasi kompanitë e medias sociale po ndjekin praktika të reja për të moderuar informacionin në përgjigje të ndërhyrjeve të huaja në këto platforma gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Jack Dorsey
Jack Dorsey

Shefi ekzekutiv i kompanisë Twitter, Jack Dorsey iu kundërpërgjigj kritikave në dëshminë e tij të mërkurën, duke thënë, “Nuk duhet të harrojmë se Klauzola 230 u ka dhënë mundësi kompanive të reja, kompani të vogla që kanë një ide origjinale, të konkurrojnë me kompani të fuqishme globale. Nëse shkatërrojmë këtë themel që ofron Klauzola 230 do të dëmtohej vetë mënyra si komunikojmë në internet, duke lënë në ekzistencë vetëm disa gjigandë teknologjikë me fuqi të madhe financiare”.

Zoti Dorsey u tha ligjvënësve se një nga rrugëdaljet e mundshme do t’u jepte mundësi përdoruesve të zgjidhnin ose një algoritëm të vetë kompanisë që vendos se çfarë informacioni mund të lexohet nga përdoruesi, ose algoritme të krijuara nga një palë e tretë.

Senatori Wicker tha se stafi i tij kishte mbledhur “dhjetëra e dhjetëra” shembuj të artikujve me përmbajtje konservatore që ai thotë se ishin censuruar ose ishin bllokuar gjatë katër viteve të fundit në Twitter. Ai e akuzoi Twitterin se kishte lejuar propagandën e Kinës komuniste lidhur me COVID-19 të qëndronte për dy muaj, ndërsa kishte hequr menjëherë komentin e Presidentin Trump lidhur me votimin me postë.

Më parë këtë muaj, Twitter nuk u lejoi përdoruesve të ndanin linkun e një artikulli mbi Hunter Biden, djali i kandidatit demokrat për president, Joe Biden. Twitter bllokoi gjithashtu llogaritë e Presidentit Trump dhe Sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany që të ndanin artikullin, duke e argumentuar veprimin me politikat e kompanisë lidhur me ndarjen e informacionit të siguruar përmes hakerimit të një kompiuteri. Bazuar në këto veprime, Senatori republikan Ted Cruz akuzoi Twitterin se po përpiqet të ndikojë tek zgjedhjet amerikane.

“Ju mendoni se mund të rrini atje, në Luginën e Silikonit dhe t’i diktoni medias se çfarë mund të mbulojë dhe të publikojë; se ju mund t’u tregoni amerikanëve se çfarë raportimesh mund të dëgjojnë,” tha Senatori Cruz gjatë dëshmisë së zotit Dorsey të mërkurën.

Shefi ekzekutiv i Twitterit ka kërkuar ndjesë për vendimin, duke thënë “bllokimi i një linku ishte gabim. Kemi rishikuar politikat tona dhe e kemi ndrequr gabimin. Synojmë të shtojmë kontekst dhe tani e kemi të mundur ta bëjmë”.

Edhe rrjeti Facebook ka kufizuar ndarjen e artikujve lidhur me Hunter Biden, duke thënë se është e nevojshme që një palë e tretë të konfirmojë faktet.

Kjo kompani e medias sociale lejoi dizinformimin rus të përhapej në platformën e saj gjatë zgjedhjeve të viti 2016, por tani ka vënë në zbatim politika të reja për ciklin zgjedhor 2020. Sipas faqes elektronike të Facebookut, kjo kompani ka reaguar duke mbyllur 6.5 milionë llogari fallso, ka angazhuar një palë të tretë për konfirmimin e fakteve si dhe ka bllokuar 30 rrjete për sjellje të bashkërenduar jo-etike.

Mark Zuckerberg.
Mark Zuckerberg.

“Pa Klauzolën 230, platformat mund të mbahen përgjegjëse për çdo gjë që thonë njerëzit. Platformat do të reagonin në ato kushte duke censuruar informacion pasi do të druheshin se mund të hidheshin në gjyq dhe nuk do të ishin të gatshme të investonin për teknologji që ofrojnë forma të reja që njerëzit të shprehen,” tha të mërkurën para ligjvënësve shefi ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg.

Demokratët në Kongres kanë shprehur shqetësim lidhur me rritjen e aktivitetit të grupeve ekstremiste online si dhe përpjekjet e vazhdueshme të aktorëve të huaj në procesin zgjedhor përmes platformave të medias sociale. Ata ngritën pikëpyetje për momentin e kësaj seance dëgjimore:

“Jam i revoltuar që kolegët republikanë po zhvillojnë një seancë me pyetje-përgjigje vetëm pak ditë para zgjedhjeve, kur duket se po përpiqen të frikësojnë plaftormat e medias sociale në përpjekje për t’i shtyrë në favor të Presidentit Trump,” tha Senatori Richard Blumenthal. “Presidenti Trump ka thyer të gjitha normat. Ai ka postuar përmes platformave tuaja dizinformim që ka të ngjarë të jetë i rrezikshëm ose vdekjeprurës,” tha senatori demokrat.

Gjatë një seance dëgjimore më herët, zoti Dorsey tha se Twitter nuk ka lista me llogari që janë nën vëzhgim, por e kontrollon informacionin e postuar duke shfrytëzuar algoritme, apo pasi merr kërkesa nga përdoruesit.

Sundar Pichai
Sundar Pichai

Sundar Pichai, zyrtar i lartë në kompaninë Google, tha se kompania e tij mbetet e angazhuar për të ruajtur pavarësinë, duke deklaruar para ligjvënësve, “Ne operojmë pa paragjykime politike. Përndryshe do të binim ndesh me interesat dhe misionin e kompanisë sonë, që kërkojnë prej nesh t’i ofrojmë qasje tek informacioni çdo individi, pavarësisht nga vendndodhja apo bindjet e tij”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG