Lidhje

Greqia, e shqetësuar nga veprimet agresive të Turqisë


Shtetet e Bashkuara po nxisin vendet e NATO-s të punojnë me Turqinë me shpresën e eliminimit të ndasive pas afrimit të Ankarasë të afrohet me Rusinë, por të paktën një nga ata aleatë pritet të ketë më shumë përplasje.

Greqia, e përfshirë në një mosmarrëveshje të vazhdueshme me Turqinë mbi të drejtat dhe burimet në Mesdheun lindor, ka vendosur vazhdimisht forcat e saj detare në gatishmëri javët e fundit

Dhe një zyrtar me peshë shqetësohet se tensionet midis dy vendeve janë pjesë e një prirjeje më të gjerë që nuk duket se do t’i vijë fundi së shpejti.

Turqia është "bërë gjithnjë e më e sigurt në vetvete. Shoqëruar me një element në rritje të retorikës agresive, një qëndrim konfrontues dhe pozicioni politik revizionist," tha të enjten Ministri Grek i Mbrojtjes Kombëtare Nikos Panagiotopulos, gjatë një bisede virtuale të organizuar nga Fondi Marshall Gjerman.

"Vjen momenti, që diçka duhet të bëhet," tha ai. "Për fat të keq, kjo do të thotë që ndonjëherë duhet të jesh jo shumë i sjellshëm”.

Zoti Panagiotopulos dhe të tjerë thonë se agresiviteti i ri u pa qartë të mërkurën, kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sulmoi perëndimin dhe Francën, gjatë një fjalimi para anëtarëve të partisë së tij.

"Ata duan të rikthejnë Kryqëzatat," tha zoti Erdogan, duke iu referuar mbrojtjes nga ana e qeverisë franceze të karikaturave të profetit Muhamed.

Udhëheqësi turk tha gjithashtu se Perëndimi ka hyrë "edhe një herë në një rrugë drejt një periudhe barbarie".

Turqia ka shkaktuar gjithashtu zemërimin e vendeve perëndimore, veçanërisht aleatëve të tjerë të NATO-s, pasi bëri prova javën e kaluar me sistemin e saj të mbrojtjes ajrore S-400 të blerë nga Rusia.

Duke folur me gazetarët të mërkurën, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Uashingtoni ishte i përgatitur të mbante një qëndrim më të ashpër me Ankaranë, duke paralajmëruar se kërcënimi i sanksioneve ishte shumë real.

"Sanksionet janë një alternativë shumë e mundshme," u tha gazetarëve Ndihmës Sekretari i Shtetit R. Clarke Cooper. "Vënia në punë e një sistemi të tillë e shton rrezikun e sanksioneve dhe kufizimeve të mëtejshme."

Shtetet e Bashkuara e kanë ndaluar Turqinë nga pjesëmarrja në programin e saj të avionëve luftarakë F-35 dhe kërcënimet për sanksione shtesë, nga SHBA. ose vendet e tjera evropiane, nuk janë diçka e re.

Por zoti Panagiotopulos tha të enjten se ai besonte se Turqia ka të ngjarë ta vërë në punë së shpejti sistemin e mbrojtjes ajrore ruse dhe se NATO-s nuk i mbetet shumë kohë për të ndërmarrë masa efektive.

"Nëse nuk bëhet asgjë, atëherë Turqia ka gjithë të drejtën të besojë dhe udhëheqësit e saj kanë të gjithë të drejtën të besojnë se ata mund të vazhdojnë pa u ndalur, duke demonstruar atë lloj sjelljeje armiqësore dhe konfrontuese që kërcënon stabilitetin në të gjithë rajonin," tha ministri grek i mbrojtjes.

Zyrtarët amerikanë vazhdojnë të paralajmërojnë së përdorimi nga Turqia i teknologjisë së përparuar të radarëve rusë mund të komprometojë sistemet ushtarake të NATO-s dhe mund të përdoret për të vënë në shënjestër avionët e NATO-s në Turqi, përfshirë F-35.

Shqetësime të tilla, gjithsesi, janë injoruar në mënyrë të përsëritur nga zyrtarët turq, diçka që e shqetëson zotin Panagiotopulos.

"Tek Rusia nuk mund të kesh besim," tha ai, duke shtuar se blerja nga Ankaraja e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 është "e mjaftueshme për të provuar se Turqia potencialisht, me dashje apo pa dashje, do të provojë të jetë një burim i dobësimit të kohezionit brenda NATO-s. "

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG