Lidhje

Snowden do të aplikojë për nënshtetësi ruse


Edward Snowden
Edward Snowden

Ish-kontraktori Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare Edward Snowden shkruante në një postim në Twitter të hënën se ai dhe bashkëshortja e tij po aplikojnë për të marrë shtetësinë ruse, krahas shtetësisë së tyre amerikane.

37-vjeçari Snowden, bëri të ditur gjithashtu se ai dhe Lindsay Mills janë në pritje të një djali.

“Pas shumë vitesh ndarje nga prindërit tanë, unë dhe bashkëshortja ime nuk kemi dëshirë të ndahemi nga djali ynë. Kjo është arsyeja se pse në këtë epokë të pandemisë e kufijve të mbyllur, po aplikojmë për shtetësi të dyfishtë amerikane e ruse”.

Edward Snowden theksoi se ata nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga shtetësia e tyre amerikane.

“Lindsay dhe unë do të mbetemi amerikanë. Do të rrisim djalin tonë me të gjitha vlerat amerikane të cilat i duam, përfshirë lirinë për të thënë atë që mendojmë. Mezi pres ditën kur mund të kthehem në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që e gjithë familja të ribashkohet.”

Postimi në rrjetin Twitter nga Snowden vjen disa javë pasi Moska i garantoi atij qëndrimin të përhershëm. Kohët e fundit Rusia i ka ndryshuar ligjet e saj të rrepta duke lejuar individë të ndryshëm të mbajnë shtetësi të dyfishtë, atë të vendit të tyre të origjinës dhe atë ruse.

Edward Snowden ka jetuar në mërgim në Rusi që nga viti 2013, pas nxjerrjes së informacioneve sekrete mbi programet e mbikëqyrjes së brendshme e ndërkombëtare nga qeveria amerikane.

Ai kërkohet nga autoritetet amerikane nën akuzat për spiunazh pasi kopjoi dhe publikoi dosje sekrete në gazetat The Guardian dhe Washington Post. Të dhënat u publikuan edhe nga gazeta të tjera kryesore botërore.

Opinioni publik amerikan është i ndarë nëse duhet apo jo që Snowden të falet. Në fillim të këtij viti, Presidenti Donald Trump tha se do ta shihte nga afër e me kujdes mundësinë e faljes së Edward Snowdenit, por që nga ajo kohë nuk ka bërë më asnjë koment.

Disa ditë pas deklaratës së zotit Trump, në një intervistë për agjencinë e lajmeve“Associated Press”, Prokurori i Përgjithshëm William Barr tha se ai do të ishte "tejet i ashpër" ndaj çdo përpjekje për ta falur Edward Snowdenin. Në vitin 2015, presidenti i atëhershëm Barack Obama hodhi poshtë një peticion nëpërmjet të cilit kërkohej falje për Edward Snowdenin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG