Lidhje

Shqipëri, përplasje qeveri-opozitë për Koronavirusin


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj sot me tone të ashpra akuzave të opozitës për një keqadministrim të situatës së pandemisë, duke deklaruar se shifrat e deritanishme janë brenda parashikimeve, dhe pjesë e një tendence të përgjithshme edhe në vendet e tjera. Nga sot nis zbatimi i masave kufizuese, dhe kryeministri bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat për të evituar një mbyllje të madhe. Në 24 orët e fundit në Shqipëri u rregjistrua një tjetër numër i lartë vdekjesh me 11 viktima, ndërsa u konfirmuan 507 raste të reja. I infektuar dhe kryepeshkopi Janullatos

Paralelisht me përkeqësimin e situatës së përhapjes së Koronavirusit, edhe temperaturat politike e polemikat mbi këtë temë kanë ardhur duke u nxehur. Prej një kohe të gjatë qeveria dhe opozita shkëmbejnë replika të ashpra. Edhe sot kryetari demokrat Lulzim Basha, në një takim me persona që kanë kaluar më parë sëmundjen, bëri përgjegjëse qeverinë, duke këmbëngulur në nevojën e rritjes së testimeve apo dhe rimbursimin e të sëmurëve që trajtohen në kushte shtëpie.

Shqipëri, përplasje qeveri-opozitë për Koronavirusin
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

“Unë dhe askush tjetër nuk mund të bëjë përgjegjës qeverinë për pandeminë, por për përgjigjen ndaj pandemisë absolutisht ka qenë një keqmenaxhimin dhe një dështim total, që fillon me mungesën e testimeve dhe sot që flasim testimet janë më të ulëta në Europë, ndërkohë që numri i infeksioneve të raportuara po rritet nga dita në ditë dhe numri i infeksioneve të pa raportuara të jeni të sigurt sipas mjekëve me të cilët kam biseduar edhe mbrëmë, është 2-3 deri në 5 herë më i lartë se ajo që raportohet”, deklaroi zoti Basha.

Dje dhe presidenti Ilir Meta akuzoi qeverinë se “nuk ka asnjë plan apo strategji për përballimin e situatës, por vetëm demagogji”

Në një konferencë të gjatë shtypi kryeministri Rama ju kundërpërgjigj sot me tone të ashpra akuzave, duke deklaruar se sipas tij, opozita po i mbështet përpjekjet për të ardhur në pushtet duke u bërë zëdhënëse e panikut dhe një pesimizmi të fabrikuar: “Në Shqipëri rritja e numrit të të infektuarve nuk është absolutisht jashtë parashikimit që kemi bërë, dhe jo parashikimit më pesimist. Dhe nuk është aspak një fenomen unikal, por përkundrazi është pjesë e trendit të përgjithshëm. Në Shqipëri, numri i jetëve të humbura nuk është aspak jashtë parashikimit dhe nuk është aspak në krye të listës së vendeve që po humbin jetë për numër popullsie. Në Shqipëri numri i shtretërve nuk është i ezauruar”.

Sonte në mbrëmje hyjnë në fuqi masat e reja shtrënguese, që parashikojnë kufizimin e lëvizjeve nga ora 22.00 deri në orën 06.00 të mëngjesit. Kryeministri pati një thirrje për qytetarët: “Do bëjmë çmos të mos kthehemi prapa në masat e rënda shtrënguese të valës së parë. Dhe bëjnë mirë të gjithë të respektojnë rregullat. Secili ta mendojë mirë që ka diçka në dorë e të mos thotë që jo po unë po e thyej se s’ka problem se nuk jam unë që do sjell mbylljen. Se një kështu e një ashtu e pastaj vijmë të mbyllja e madhe që do të ishte shumë e rëndë për ne”.

Shifrat e përhapjes së Koronavirusit po rriten dita ditës. Mes të prekurve, sot u njoftua se ishte dhe Kryepeshkoi I Kishës Ortodoksve Janullatos, i cili mësohet të jetë nisur për trajtim në Athinë. Sipas një njoftimi zyrtar, ai ka patur simptoma të lehta.

Të dhënat e 24 orëve të fundit, konfirmuan tendencën e dy javëve të fundit, me të infektuar të shumtë e po ashtu një kuotë të lartë të vdekjeve, 11 viktima: një 43 vjeçar nga Gjirokastra, një 58 vjeçar nga Peqini, një 66 vjeçar nga Pogradeci, një 48 vjeçar nga Fieri, një 68 vjeçar dhe një 78 vjeçar nga Berati, një 53 vjeçare dhe një 78 vjeçare nga Korça, një 70 vjeçare nga Elbasani, një 78 vjeçare, dhe një 85 vjeçar nga Tirana.

Nga 2.284 testime, prej të cilave, 520 për arsye depistimi, janë 507 persona që kanë rezultuar pozitivë. Më shumë se gjysma, 295 raste, vetëm në Tiranë, vatra më e nxehtë e epidemisë. Ndërsa në të tre spitalet që trajtojnë të sëmurët ishin të shtruar 363 pacientë, nga të cilët 13 në terapi intensive dhe 5 të tjerë të intubuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG