Lidhje

Koronavirusi, situata në Maqedoninë e Veriut


Koronavirusi në Maqedoninë e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Autoritetet shëndetësore presin që masat kufizuese që u vendosën para pak ditësh të japin rezultate lidhur me uljen e shkallës së të prekurve me COVID-19, por nga ana tjetër janë shtuar debatet lidhur me qasjen e autoriteteve ndaj pandemisë; nëse këto masa janë të mjaftueshme apo nëse duhet të ashpërsohen.

Masat kufizuese kanë shkurtuar orarin e punës së restoranteve dhe kafeneve deri në orën 21, ndërsa ndalohet grupimi i më tepër se katër vetave në vende publike.

Po ashtu, mbajtja e maskës është e detyrueshme edhe në ambiente të hapura. Por, këto vendime ende nuk i kanë ulur shifrat e personave të prekur që brenda një dite të vetme arrijnë mesatarisht në një mijë, apo të viktimave që kanë shënuar numrin rekord në të gjithë rajonin, llogaritur në bazë të numrit të popullatës.

Sipas të dhënave zyrtare, 1305 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi; mbi 47 mijë është numri i të diagnostikuarve që nga fillimi i pandemisë; mbi 18 mijë janë raste aktive dhe 27 mijë rezultojnë të shëruar.

Autoritetet shëndetësore bëjnë përafërsisht nga dy mijë deri në tre mijë teste në ditë.

Prej 1 nëntorit deri tash janë regjistruar 280 viktima; me një mesatare prej 20 viktimash në ditë, një shifër kjo tepër e lartë për shtetin rreth dy milionësh.

Tre komuna të Shkupit, Aerodromi në juglindje të kryeqytetit, Qendra dhe Karposhi në perëndim janë më të prekura me mbi një mijë raste aktive secila. Grupmosha prej 30 deri 39 vjeç po ashtu rezulton të jetë më e infektuar nga koronavirusi.

Nuk ka ndonjë shpjegim pse Maqedona e Veriut qëndron në majë të listës në rajon për nga numri i të prekurve dhe viktimave.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe shpreson se masat e fundit do të japin rezultat brenda dy javëve të ardhshme, në aspektin e uljes së numrit të të infektuarve.

Lidhur me shqetësimet mbi kapacitetet e spitaleve për të pranuar të sëmurë me koronavirus, ministri thotë se “aktualisht ka shtretër të lirë në disa pavijone të Klinikës shtetërore” në Shkup.

Ai thotë se të hënën Komisioni për Sëmundjet Ngjitëse do të diskutojë nëse duhen marrë masa të tjera shtesë, por nuk mendon se vendi duhet futur në karantinë apo në një izolim të plotë.

Pushteti, ndërkohë vlerëson se opozita maqedonase po e bllokon në ngritjen e 16 spitaleve modulare në afërsi të spitaleve të vendit.

Opozita, nga ana tjetër kërkon dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë për shkak të keqmenaxhimit, sipas saj, të gjendjes me koronavirusin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG