Lidhje

SHBA, shtrëngohen masat kufizuese në disa shtete në përgjigje të pandemisë


Pandemia në Shtetet e Bashkuara ka bërë që më shumë spitale të mbingarkohen me një numër rekord pacientësh. Infermierët në zonën e Filadelfias pritet të fillojnë një grevë sot për të protestuar ndaj kushteve të punës. Qyteti sapo njoftoi kufizime të mëdha mbi restorantet dhe bizneset ndërsa infeksionet rriten. Nga bregu lindor në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara, njerëzit janë duke pritur për orë të tëra në radhë për t'u testuar.

Kufizime të reja të Covidit hyjnë në fuqi në disa shtete amerikane, ndërsa virusi po përhapet në nivele rekord.

Në Kaliforni, guvernatori tha se do të frenojë përkohësisht rihapjen e ekonomisë dhe po shqyrton vendosjen e një ndalim-qarkullimi në këtë shtet.

"Rastet e përditshme në shtetin e Kalifornisë janë dyfishuar vetëm në 10 ditët e fundit. Kjo është thjesht rritja më e shpejtë që Kalifornia ka parë që nga fillimi i pandemisë”, tha Gavin Newsom.

Kryetari i Bashkisë së Los Anxhelosit po u kërkon banorëve të shmangin udhëtimet për dy deri tre javët e ardhshme.

“Mos udhëtoni tek familjarët në qytete tjera dhe mos prisni të tjerët nëse është e mundur”, tha Eric Garcetti.

Në Ajova, guvernatorja ndryshoi qasjen duke lëshuar urdhër që bën të detyrueshëm përdorimin e maskave.

“Kam frikë se rastet me simptoma të lehta rritën vetëbesimin e banorëve”, thotë zonja Kim Reynolds.

Në Nju Xhersi nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 10 personave në mjedise të mbyllura.

Në ndërtesa shtetërore në Oklahoma maskat janë të detyrueshme, ndërsa restorantet nga e enjtja duhet të mbyllen në ora 11 të mbrëmjes.

“Oklahoma nuk është e vetme, qytete të mëdha e të vogla, bregu perëndimor dhe ai lindor po shohin rritje të rasteve “, tha Kevin Stitt.

ShBA po regjistron afër 145 mijë infeksione të reja çdo ditë ndërsa numri i viktimave po i afrohet një çerek milioni.

Por këto ditë ka pasur edhe lajme premtuese për vaksinën.

Moderna është kompania e dytë farmaceutike që njofton se vaksina e tyre është 90 për qind e efektshme.

Megjithëse është më e shtrenjtë, vaksina e Modernës ndryshe nga ajo e Pfizer, mund të ruhet në temperaturë të rregullt frigoriferi, duke e lehtësuar shpërndarjen.

Vaksina mund të jetë gati për disa njerëz qysh muajin e ardhshëm.

“Kompanitë janë vigjilente për ruajtjen e integritetit të procesit të provave klinike… kur bëhet fjalë për vaksinën, nuk duket se janë ngutur e kanë shkelur standardet”, thotë mjeku John Brownstein.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG