Lidhje

Zyrtarët afganë hedhin poshtë shqetësimet për tërheqjen e trupave amerikane


Zyrtarë të lartë afganë nuk po u kushtojnë rëndësi njoftimeve se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të tërheqin trupat amerikane, duke thënë se forcat vendase po kryejnë tashmë në mënyrë të pavarur thuajse të gjitha operacionet në mbarë vendin dhe varen vetëm për mbështetje të kufizuar ajrore nga partnerët e huaj.

Media amerikane njofton se Presidenti Trump ka në plan të pakësojë numrin e kontigjentit amerikan në Afganistan duke lënë 2500 nga 4500 trupa. Zëri i Amerikës nuk arriti të marrë konfirmim të pavarur dhe deri tani nuk ka pasur njoftim zyrtar për reduktim të kontigjentit amerikan në Afganistan.

Të martën, ministri afgan i Mbrojtjes Asadullah Khalid, në komentet para parlamentit, u përpoq të qetësonte shqetësimet në vend se një tërheqje e menjëhershme e trupave amerikane do të minonte aftësinë e Afganistanit për të luftuar kryengritjen e talebanëve, duke thënë se forcat afgane të sigurisë përballojnë vetë 96% të operacioneve kundër talebanëve.

Spekulimet për reduktime të mundshme të trupave amerikane ndodhin në një kohë kur bisedimet e paqes mes qeverisë afgane dhe talebanëve kanë ngrirë dhe dhuna në vend është intensifikuar.

Një numër figurash politike dhe ushtarake, ndër ta edhe udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell kanë paralajmëruar Presidentin Trump që të mos tërheqë trupat nga Afganistani.

“Tërheqja jonë do t’u jepte zemër talebanëve, sidomos krahut gjakatar Haqqani dhe do të rrezikonte gratë e vajzat afgane duke i kthyer tek periudha e viteve 1990,” tha zoti McConnell duke iu referuar periudhës kur gratë nuk lejoheshin të arsimoheshin apo të kryenin aktivitet ekonomik jashtë shtëpisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG