Lidhje

Bullgaria bllokon bisedimet për pranimin në BE të Maqedonisë së Veriut


Bullgaria refuzoi të martën të miratojë kornizën e negociatave të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut, duke bllokuar në këtë mënyrë fillimin zyrtar të bisedimeve të pranimit në BE, të fqinjit të saj më të vogël ballkanik.

Ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva tha se vendi i saj nuk mund të mbështesë tani për tani fillimin e negociatave të pranimit, të vonuara prej kohësh, mes BE-së dhe Shkupit për shkak të mosmarrëveshjeve të hapura mbi historinë dhe gjuhën, por ajo shtoi se Sofja mbetet e hapur për bisedime.

"Bullgaria, në këtë fazë, nuk mund të mbështesë planin e parashikuar në kornizën e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare", tha zonja Zaharieva pasi ministrat e BE-së diskutuan mbi këtë temë në një takim që u zhvillua përmes internetit.

Fillimi zyrtar i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pritej të ndodhte në një konferencë ndërqeveritare në muajin dhjetor. Zonja Zaharieva tha se Bullgaria mbështet kornizën e negociatave për Shqipërinë.

Vendimi i Bullgarisë përbën një sfidë të mëtejshme ndaj ish-republikës jugosllave, së cilës iu desh të binte dakord për të shtuar fjalën "Veri" në emrin e saj zyrtar për të zgjidhur një mosmarrëveshje prej dekadash me Greqinë, me qëllimin për "të pastruar" rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë iu desh të prisnin deri në mars të këtij viti që t'iu hapej drita jeshile për bisedimet e anëtarësimit në BE, pasi Franca kishte shprehur skepticizëm në vitin 2019 lidhur me rezultatet e tyre mbi çështje të lidhura me demokracinë dhe luftën ndaj korrupsionit.

Garancitë që kërkon Sofja

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia po përpiqen t'i bashkohen BE-së pas luftërave etnike të viteve 1990 që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Futja e Ballkanit Perëndimor në BE do të ndihmonte në rritjen e standardeve të jetesës dhe do të zbuste rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon, thonë mbështetësit e kësaj qasjeje.

Bullgaria, e cila prej kohësh i ka nxitur përpjekje për integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kërkon garanci në kuadrin e negociatave në mënyrë që Shkupi të prodhojë rezultat mbi një traktat miqësie të vitit 2017 me Sofjen, që trajton kryesisht çështje historike.

Sofja zyrtare gjithashtu kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakicë maqedonase në Bullgari. Bullgaria kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e "gjuhës maqedonase", që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG