Lidhje

Një qark në zonën e Detroitit çertifikon rezultatin pas një bllokimi paraprak


Qarku më i madh i Miçiganit çertifikoi unanimisht rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të martën në mbrëmje pasi republikanët bllokuan për herën e parë këtë veprim duke votuar në linja partiake, gjë që kërcënoi të bllokonte përkohësisht miratimin zyrtar të fitores së demokratit Joe Biden në këtë shtet.

Bordi Zgjedhor i Qarkut të Uejnit veproi pasi votimi fillestar 2 me 2 u dënua nga demokratët dhe ekspertët e zgjedhjeve si një përpjekje e rrezikshme për të përmbysur vullnetin e votuesve.

Bordi u mblodh pas disa ditësh padi gjyqësore të pasuksesshme të paraqitura nga republikanët dhe aleatët e Presidentit Donald Trump ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Ata pretenduan për manipulime gjatë procesit të numërimit të votave të hedhura jo fizikisht në një qendër votimi në Detroit. Por dy gjykatës thanë se këto pretendime nuk ishin të mbështetura në prova dhe vendosën kundër ndaljes së procesit të numërimit të votave.

Zoti Biden shënoi një fitore të thellë në qarkun e Uejnit, një bastion i demokratëve, duke marrë 33 për qind më shumë vota sesa Presidenti Trump. Sipas rezultateve jozyrtare ai ka fituar shtetin e Miçiganit me një diferencë prej 146 mijë votash.

Zyrtarët partiakë fillimisht refuzuan çertifikimin e rezultatit në këtë zonë të Detroitit, duke votuar në vija partiake 2 me 2. Monica Palmer, anëtare republikane e bordit, tha se lista e votuesve të regjistruar në zona të caktuara të Detroitit nuk ishte e balancuar, që do të thotë se numrat e votuesve të regjistruar në disa qendra votimi nuk përputheshin me numrin e fletëve të votimit. Anëtari demokrat i bordit, Jonathan Kinloch reagoi duke thënë se mos çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve ishte një veprim "i pamatur dhe i papërgjegjëshm".

"Nuk kishte të bënte me ndonjë mashtrim. Ishte absolutisht një gabim njerëzor", tha zoti Kinloch lidhur me mangësitë e evidentuara. "Votat e hedhura janë paraqitur në tabelën e rezultateve", tha ai.

Bordi dëgjoi pastaj një numër banorësh që kritikuan ashpër zonjën Palmer dhe kolegun e saj republikan William Hartmann gjatë një diskutimi publik në Zoom.

Wendell Anthony, një pastor i mirënjohur dhe kreu i degës së Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë (NAACP) në Detroit, tha se anëtarët republikanë të bordit duhet të kenë "turp" lidhur me veprimin e tyre.

"Ju keni përjashtuar afrikano-amerikanët nga qyteti për shkak të një qarku dhe keni thënë se faji bie vetëm mbi qytetin e Detroitit, ku 80 për qind e banorëve janë afrikano-amerikanë. Turp për ju!", tha pastori Wendell Anthony gjatë një diskutimi publik mbi zgjedhjet zhvilluar në Zoom.

Çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 3 nëntorit në secilin prej 83 qarqet e Miçiganit është hapi i parë drejt çertifikimit të zgjedhjeve në mbarë shtetin nga Bordi Zgjedhor i Shtetit të Miçiganit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG